Data e sotme
November 17, 2018

PËR NJË GRAFIK TË REFERENDUMIT

Shkruan:Aleksandar Kërzhalovski

Verën e kaluar kemi kaluar me Marrëveshjen Prespës, me bisedime, debate, bindje, por madje edhe me diskutime të ashpra për të argumentuar përparësitë dhe të metat e saja që secili prej nesh të marrë një vendim të informuar në referendumin që u mbajt më 30 shtator.
Gjithsesi, secili me pikëpamjet dhe argumentet e veta, kurse partitë politike shumë të konfrontuara – koalicioni qeverisës (së bashku me partitë e tjera etnike shqiptare) me bindje se marrëveshja është e vetmja rrugë përpara për Maqedoninë, ndërsa partia opozitare VMRO-DPMNE me qëndrime të shprehura për kapitullim dhe vetë-shkatërrim të shtetit .
Në argumentimin e saj në favor të marrëveshjes, qeveria mbështetej në masë të madhe në përfitimet nga BE-ja dhe NATO-ja, të cilat do të fitoheshin me pranimin e marrëveshjes dhe në këtë mënyrë me zhbllokimin e rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotë në këto aleanca ndërkombëtare. Para së gjithash, këtu mendohej për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e standardit të jetës që do të bëheshin realitet me anëtarësimin në to. Këto porosi kryesisht u gjetën në reklamat për fushatën “Për” (më saktësisht “Dil për Maqedoninë Evropiane”) dhe faktikisht BE-ja dhe NATO-ja u gjetën edhe në pyetjen e referendumit. Nga ana tjetër, opozita, por edhe lëvizja “Bojkotiram” (Bojkotoj), e cila u paraqit shpejt pas publikimit të Marrëveshjes së Prespës (si një grup i shumë nismave të ndryshme protestuese) dhe e cila mbushi hapësirën e lënë nga mungesa e një fushate “Kundër”, rrallë kundërshtoheshin se BE-ja dhe NATO-ja janë dhe duhet të jenë qëllimi ynë, por ata mendonin se çmimin të cilin e paguajmë me pranimin e një marrëveshjeje të këtillë – është shumë i lartë.

E ngjashme, mbështetësit e fushatës “Për” publikonin në mediat sociale argumente dhe prova të ndryshme për përfitimet nga BE dhe NATO. Kështu, mua më tërhoqi vëmendjen një grafik të cilin e publikoi në Facebook një mik dhe ish-kolegu im i dashur në MCMS, e tani një aktivist ndërkombëtarisht aktiv qytetar dhe komentues i shpeshtë në Facebook i zhvillimeve sociale dhe politike në dhe rreth Maqedonisë.
Grafiku i treguar më poshtë, u shoqërua me komentin e tij se Maqedonia, Bullgaria dhe Rumania kanë qenë përafërsisht në të njëjtin nivel të zhvillimit ekonomik, duke matur sipas Bruto Produktit Vendor (BPV) për kokë banori (GDP per capita) prej rreth 2.000 dollarësh amerikanë, ndërsa tani, në vitin 2018, Maqedonia është në nivelin e 5.500 dollarëve, Bullgaria në nivelin e 8.000, ndërsa Rumania në nivelin e 11.000 dollarëve.

Duke kujtuar se Bullgaria dhe Rumania u bënë anëtare të BE-së më 01.01.2007, ai konstaton se përfitimet ekonomike nga anëtarësimi janë të qarta.
Duke pasur parasysh të dhënat e prezantuara në grafik, plotësisht pajtohem me këtë konstatim dhe vet ilustrimi konfirmon në mënyrë të bindshme “filozofinë” e shpeshtë se çdo vend që është bërë anëtare e BE-së dhe NATO-s vetëm ka përmirësuar gjendjen e tij ekonomike dhe me këtë edhe mirëqenien e qytetarëve të tij. Asnjë vend deri më tani nuk është ankuar se anëtarësimi i ka kthyer mbrapa ekonomikisht (ndoshta me përjashtim të anglezëve, të cilët votuan për Brexit, dhe atje në shumë raste u dëshmua se ato zona, ku përqindja më e lartë e votuesve kanë votuar për largimin e BE-së, në fakt kanë pasur përfitime më të mëdha financiare pikërisht nga fondet e BE-së. .. por kjo është një temë tjetër).

Por, cilat gjëra të tjera mund t’i shohim nga grafiku?
Së pari se BPV-ja për kokë banori edhe në Bullgari dhe Rumani kanë qenë në një nivel të ngjashëm si tani në ditën e anëtarësimit në BE… në Bullgari pak mbi 7.000 dollarë, ndërsa në Rumani mbi 10.000 dollarë. Në fakt, kriza e madhe botërore financiare që filloi pikërisht në vitin 2007, ndikoi fuqishëm edhe në ekonomitë e tyre, të cilat madje para dy vjetësh, në fund të vitit 2016, e kanë arritur nivelin e vitit 2007.
Së dyti, rritja kryesore është në periudhën prej vitit 2004 deri në vitin 2007, kur të dy vendet u bënë anëtare të NATO-s, por jo ende të BE-së. Kjo shkon në favor të teorisë se ka përfitime më të larta ekonomike nga anëtarësimi në NATO (edhe pse kjo është një aleancë ushtarake) sesa në BE (e cila është një aleancë e bazuar në interesin ekonomik), që shpjegohet me argumentet se NATO jep sigurinë për kompanitë për të investuar në vendet anëtare, sidomos para se të bëhen anëtare të BE-së (me ç’rast legjislacioni i madh kufizon pjesërisht mundësitë e biznesit).
Është interesante të shikohen dhe të krahasohen parametrat për Maqedoninë në të njëjtën periudhë.
Domethënë, linja jonë ndjek plotësisht trendin e dy vendeve të tjera deri në vitin 2007, me atë që rritja e tyre është më e theksuar. Me fjalë të tjera, ne gjithashtu kemi përparuar, por jo aq sa ato, gjë që është logjike sepse nuk ishim (dhe nuk jemi) anëtarë të NATO-s dhe sapo kemi fituar statusin e kandidatit për BE-në në vitin 2005, por nuk filluam (dhe nuk kemi filluar ende) negociatat për anëtarësim në BE.
Në periudhën tjetër, nga viti 2007 deri më tani, BPV-ja për kokë banori është në stagnim apo me rritje të vogël, por kryesisht të qëndrueshme, respektivisht pa tronditje të mëdha në ekonomi. Është e ngjashme edhe në Bullgari, por me ndryshime më të theksuara, ndërsa në Rumani ka tre rënie relativisht të mëdha prej nga 1 deri në 2 mijë dollarë për kokë banori në vit.

Në përgjithësi, duke shikuar në tërësi (ose në mënyrë makroekonomike), atë që tregon grafiku është se në Maqedoni nuk është aq e keqe sa tregohet shpesh. Përkundrazi, edhe pse ndoshta nuk është dukur kështu për ne, ne kemi përparuar vazhdimisht (duke përfshirë edhe periudhën e “famëkeq” të qeverisë së mëparshme, nga rreth 1.000 dollarësh në 10 vjet) dhe qëndrojmë 2.5 herë më mirë se në vitin 2000. Gjithsesi, kjo nuk e zvogëlon poentën kryesore të grafikut dhe të mikut tim – se me anëtarësimin në BE dhe veçanërisht me anëtarësimin në NATO do të ishte edhe më mirë për ne (në qoftë se dëshirojmë të jemi më të saktë sipas numrave të grafikut – mes 1.45 herë (Bullgari) dhe 2 herë më mirë(Rumani)). Domethënë, janë të pakontestueshme përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në BE dhe NATO, por nuk duhet të presim shumë nga kjo gjë, edhe shumë më pak se kjo gjë do të vërehet shumë në jetën e përditshme.

Dhe e gjithë kjo është siç e theksova më lart – duke parë ekonominë e përgjithshme, gjegjësisht rritjen ekonomike të shprehur përmes BPV-së për kokë banori. Si reflektohet ky zhvillim ndaj çdo qytetari (edhe në Maqedoni edhe në vendet e tjera), dhe si e ndien atë çdo individ individualisht – është një përrallë shtesë. Mund të debatohet se përfitimet e këtij zhvillimi kanë përfunduar në “pak duar ” dhe më shpesh në duart e elitave të pushtetit. Por, kjo sigurisht nuk është shumë e ndryshme edhe në të dy vendet e cekura – edhe në Bullgari edhe në Rumani, gjatë gjithë kësaj periudhe kishte edhe protesta më të mëdha dhe më të shpeshta për shkak të korrupsionit, të cilat përfunduan me rënie të qeverive të atyre vendeve dhe me dënime të dy ish-kryeministrave (Rumani).

E gjithë kjo më çon në fakt deri te pyetja kryesore, gjegjësisht deri te dilema kryesore, e cila duket se është një dallim fundamental edhe në ideologjitë dhe veprimet e dy partive kryesore në Maqedoni gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, që është: a mundemi ne vetë? Por kjo është tashmë një temë për një artikull tjetër!

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit