Data e sotme
November 17, 2018

“Pajtimi” i papajtueshmërive

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Do të jetë siç duket edhe një javë e mbushur me ngjarje dhe taktizime rreth përgatitjes së amendamenteve për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Dinamikat politike tashmë i dikton Marrëveshja e Prespës, e cila nënkupton edhe afatet e implementimit të saj. Sigurisht, tetë votat e deputetëve të opozitës kanë hapur edhe çështjen e amnistisë, e cila u quajt herë si pajtim e herë si falje.

Përderisa pozita kërkon që nëpërmjet “Komisionit për pajtim” t’i japë zgjidhje amnistisë që ndërlidhen me 27 prillin e përgjakshëm, opozita e udhëhequr nga VMRO DPMNE tashmë ka një propozim-ligj për amnisti për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ngjarjen e përgjakshme në parlament.

Duket se çmimi i votimit të deputetëve tē opozitës në parlament vjen me një faturë përplasjesh që do ta mbizotërojë edhe në ditët në vijim debatin politik në Maqedoni. Pajtimi si nocion tingëllon mirë, por pasojat që bart duken të jenë me shumë porosi tjera që hapin një gamë të gjerë interpretimesh mbi “mosndëshkimin e keqbërjes”.

Çdo amnisti e mundshme, padiskutim, e vendosë në sprovë moralitetin e gjithë deklarimeve paraprake të përfaqësuesve qeveritarë që keqbërësit të japin llogari përpara ligjit. Kjo padyshim hap edhe një debat tjetër mbi gjithë moralitetin e politikës, si një dimension vlerash që ka në epiqendër njeriun, lirinë dhe dinjitetin e tij.

Sigurisht, kryeministri Zaev ndodhet mbase para një pragmatizmi të domosdoshëm të diktuar nga gjithë konteksti politik për të “pajtuar” papajtueshmëritë. Një situatë e sikletshme dhe me shumë të panjohura, por mbi të gjitha me barrën e madhe të drejtësisë hijerëndë që ai vetë e kishte paralajmëruar si mënyrë funksionimi të institucioneve të drejtësisë. Aq më tepër që përgjakja në parlament ishte kualifikuar si terrorizëm.

Edhe një fakt tjetër mbetet tepër domethënës në gjithë këto zhvillime mbi amnistinë. Zijadin Sela, lideri i Aleancës për Shqiptarët, ishte më i dëmtuari nga ajo natë e përgjakshme. Ai u rrah për vdekje atë natë. Për Selën ideja e pajtimit mbetet e papranueshme. Sela ka deklaruar se askush nuk guxon të trokasë te ai për ndonjëfarë pajtimi ose amnistie.

Në njërën anë ideja e pajtimit nëpërmjet komisionit në Parlament që të mos ndikohet, siç thuhet, në gjyqësorin, ndërsa në anën tjetër propozim-ligj për amnisti nga ana e opozitës për të gjithë pjesëmarrësit në 27 prillin e përgjakshëm. Diku brenda këtyre propozimeve për “falje” dhe “amnisti” qëndron një dilemë e thellë morale që po komentohet në opinion. Mes pritjeve për ndëshkim, që përfaqëson ndjeshmërinë e shumicës së qytetarëve që e votuan këtë qeveri, ndodhet një pragmatizëm politik që rrezikon ta degjenerojë gjithë sistemin e drejtësisë. Ngërçet politike dhe tē sistemit të drejtësisë në Maqedoni nuk kanë fund.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit.