Data e sotme
November 18, 2018
Photo: Tomislav Georgiev

Wouter Plomp: Marrëveshja e prespës nuk është një detyrë e lehtë, por është një kompromis korrekt

Unë jam i vetëdijshëm se pranimi i Marrëveshjes së Prespës nuk është një detyrë e lehtë, siç nuk ishte e lehtë edhe lidhja e saj, as për Qeverinë e Maqedonisë, as për Qeverinë e Greqisë. Çështjet e identitetit dhe të gjuhës janë të një rëndësie shumë të madhe. Por, në fund të ditës, mendoj se bëhet fjalë për një kompromis korrekt dhe se duhet të mendojmë për përfitimet që do t’i sjellë ajo. Zgjidhja përfundimtare e çështjes së emrit do të mundësojë kohë dhe energji për të fokusuar në çështjet që do të përmirësojnë jetën e njerëzve në Maqedoni. Në radhë të parë, këtu është procesi i reformave”, thotë ambasadori Plomp në intervistën ekskluzive për Inbox7.

 

Interviston: Teodora Cvetkovska

 

Wouter Plomp, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, filloi misionin e tij diplomatik në Maqedoni në vitin 2015, në kulmin e krizës politike. “Tensionet të cilat unë mund t’i ndieja ato ditë u ulën. Gjatë asaj periudhe, fraza më e përdorur ishte “shteti i kapur”, ndërsa këtë vit Maqedonia u ftua të bëhej anëtare e tridhjetë e NATO-s”.

Tre vjet më vonë, ai thotë se shumë gjëra kanë ndryshuar – për të mirë. Ai është i lumtur që situata në mediat është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme, por edhe për hapat që qeveria ka ndërmarrë në drejtim të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

 

Inbox7: Z. Plomp, së pari dëshirojmë të ju informojmë se online revista Inbox7, e cila më parë ishte mbështetur nga Ambasada e Holandës, ka filluar punën e saj përsëri. Sipas jush, në cilën masë shoqëria e Maqedonisë ka nevojë për media që ndjekin në mënyrë kritike zhvillimet politike dhe shoqërore në këtë vend?

 

Wouter Plomp: Në përputhje me parimet e politikës së jashtme holandeze: liria e mediave dhe liria e shprehjes, Ambasada jonë pesë vjet më parë vendosi të sigurojë një mbështetje të drejtpërdrejtë për mediat. Inbox7 është një nga trembëdhjetë projektet mediatike që janë mbështetur deri tani, dhe më vjen mirë që po filloni punën përsëri. Mediat e pavarura dhe kritike mundësojnë që qytetarëve të jenë të informuar mirë dhe të jenë aktivë, diçka që ka një rëndësi esenciale për çdo demokraci.

 

Inbox7: A është përmirësuar klima e mediave nga fillimi i mandatit Tuaj e deri më tani?

Wouter Plomp: Mandati im filloi në vitin 2015, në kulmin e krizës politike dhe pak pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Përzhinës. Mund të them se shumë gjëra kanë ndryshuar qysh atëherë. Tensionet që mund t’i ndieja këto ditë u ulën. Gjatë asaj periudhe, fraza më e përdorur ishte “shteti i kapur”, ndërsa këtë vit Maqedonia u ftua të bëhej anëtare e tridhjetë e NATO-s”.

Kur bëhet fjalë për mediat, në Indeksin e lirisë së mediave Maqedonia u ngjit nga vendi i 117-të në vitin 2015 në vendin e 109-të këtë vit, ndërsa në raportin e organizatës “Freedom House”, statusi i Maqedonisë ka ndryshuar nga “vend jo i lirë” në “vend pjesërisht i lirë”. Gjithsesi, me nivelin tim të njohjes së gjuhës nuk mund të them se i ndjek të gjitha mediat, por kur i shikoj televizionet RTVM apo Sitel ose kur e lexoj gazetën e përditshme “Nezavisen vesnik” (Gazeta e Pavarur) kam përshtypjen se palët e ndryshme në debatin politik kanë mundësinë t’i prezantojnë argumentet e tyre. Prandaj, mund të them se klima e mediave është përmirësuar ndjeshëm. Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë. Qëndrueshmëria e mediave është padyshim një nga problemet që lidhen me strukturat e tyre të pronësisë. Për këtë shkak, ne vendosëm që fokusi i konferencës së sivjetshme rajonale, të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, të jetë pikërisht te kjo çështje. Gazetarët, juristët, punëtorët e mediave dhe përfaqësuesit e agjencive të marketingut të rajonit diskutuan për zgjidhjet e mundshme për përmirësimin e klimës së mediave dhe qëndrueshmërinë e mediave. Gazetaria me cilësi të lartë nuk është një luks, por një nevojë e domosdoshme për çdo shoqëri.

 

Inbox7: Cili është qëndrimi Juaj lidhur me gjendjen momentale të mediave të rajonit të Ballkanit?

 

Wouter Plomp: Çështjet kryesore për të cilat u diskutua në konferencën rajonale ishin shkrim-leximi i mediave dhe lajmet e rreme, vetë-rregullimi i tyre, siguria e gazetarëve dhe qëndrueshmëria. Me dallime të caktuara, këto janë sfidat kryesore për mediat kudo në Ballkan.

Megjithatë, sfidat e përbashkëta mund jenë edhe zgjidhje të përbashkëta: rritja e bashkëpunimit rajonal mund të sjellë një rritje të tregut dhe një përforcim të pozitës së tyre në shoqëri.

 

Inbox7: Në cilën mënyrë integrimi i Maqedonisë në BE do të ndikojë ndaj shtetit dhe shoqërisë?

 

Wouter Plomp: Holanda, sikurse Maqedonia, është një shtet relativisht i ri i cili me kalimin e viteve ka mësuar se aleancat janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Puna e përbashkët me partnerët tanë evropianë gjithsesi se ka rritur prosperitetin e njerëzve në Holandë. Tregu më i madh, stabiliteti, mobiliteti i rritur dhe rritja janë përfitimet kryesore nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian ose thjesht sjellin një standard më të lartë të jetesës në çdo aspekt.

 

Prandaj jam me të vërtetë i lumtur që Qeveria ka bërë disa hapa të rëndësishëm përpara. Maqedonia nuk ka qenë kurrë më afër anëtarësimit në NATO dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa finalizimi i ndryshimeve kushtetuese do ta çojë atë edhe më përpara. Unë jam i vetëdijshëm se pranimi i Marrëveshjes së Prespës nuk është një detyrë e lehtë, siç nuk ishte e lehtë edhe lidhja e saj, as për Qeverinë e Maqedonisë, as për Qeverinë e Greqisë. Çështjet e identitetit dhe të gjuhës janë të një rëndësie shumë të madhe. Por, në fund të ditës, mendoj se bëhet fjalë për një kompromis korrekt dhe se duhet të mendojmë për përfitimet që do t’i sjellë ajo. Zgjidhja përfundimtare e çështjes së emrit do të mundësojë kohë dhe energji për të fokusuar në çështjet që do të përmirësojnë jetën e njerëzve në Maqedoni. Në radhë të parë, këtu është procesi i reformave. Por, është po aq i rëndësishëm edhe zbatimi i reformave, në veçanti përforcimi i luftës kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit. Kjo nuk mund të zbatohet vetëm nga ana e Qeverisë. Sigurisht se qeveria duhet të jetë e para me shembullin e saj, por gjyqësia dhe prokuroria gjithashtu duhet të provojnë për çdo ditë pavarësinë dhe standardet e tyre profesionale përmes veprimeve të tyre. Vetëm në këtë mënyrë ligjet e reja nuk do të jenë vetëm detyra të vendosura me qëllim që të përmbushen kushtet për anëtarësim në BE dhe NATO, por themele të sundimit të ligjit, që është një gur-themel i demokracisë dhe zhvillimit.