Data e sotme
November 17, 2018

Pëshpëritja e popullit ose shurdhësia e pushtetit

A do të zgjohet garnitura aktuale politike ose edhe ajo, si një vazhdimësi e padëshiruar e matricës unike politike në Maqedoni, do ta konfirmojë përshtypjen e popullit se – të gjithë janë të njëjtë?

 

Shkruan: Zoran Ivanov

 

Marrëveshja e Prespës nuk do t’i amnistojë premtimet parazgjedhore    

Partitë në pushtet shpëtuan nga zgjedhjet e parakohshme të cilat kishte mundësi të mbaheshin nëse në parlament nuk u mblodhën për një kohë të shkurtë 80 vota “për” të filluar procedurat kushtetuese. Duke pasur parasysh disponimin e përgjithshëm të qytetarëve, për shkak të motiveve kryesisht të ndryshme ekonomike dhe sociale, e jo për shkak të motiveve politiko emocionale të referendumit, zgjedhjet e mundshme të parakohshme, me siguri do të priteshin me një zhgënjim të madh. Me dalje të vogël dhe me abstenim të madh. Pushteti aq shumë merret me marrëveshjen me fqinjin jugor, me zbatimin e tij kështu që e vë besimin e tij në rrezik dhe i vë të gjitha gjëra në një hartë. Ose, për dallim nga pushteti i mëparshëm, i cili e bënte mizën buall, pushteti aktual nuk e di t’i afirmojë mjaft rezultatet e punës së tij.

Në një ambient me shpresë të madhe, zgjedhjet mbaruan një vit e gjysmë më parë. Qytetarët prisnin dhe heshtnin një muaj, dy, tre, shtatë, tetë, nëntë muaj, një vit. Por, reagimet e qytetarëve për premtimet e parealizuara, veçanërisht në sferën ekonomike, sociale, standardin, janë gjithnjë më shqetësuese. Qytetarët pëshpëritin, gurgullojnë, shushurijnë për pagat, varfërinë, për çmimet e shtrenjta të shërbimeve komunale, për përmbaruesit, për dallimet gjithnjë më të mëdha sociale në shtetin e tyre social.

Në hijen e preokupimit tashmë më shumë se një vjeçar intensiv me misionin negociues për zgjidhjen e kontestit me fqinjin jugor dhe me betejat e përditshme që marrëveshja e arritur për çështjen e emrit ta vërë në fazën përfundimtare, qytetarët sikur t’i lëshojnë pritjet për çështjet e pazgjidhura ekzistenciale. Tema, të cilat në periudhën e negociatave ishin të ndjeshme për durimin e tyre. Por, pakënaqësia gjithnjë më e theksuar e qytetarëve, qeveria sikur ta mos e shohë e as ta mos e dëgjojë. Ose e sheh atë, por e vë nën qilim. Ose, në emër të “qëllimeve më të larta” aktuale, i injoron ata pa ndjenjë.

Ndërkohë, për këtë periudhë prej një viti e gjysmë, edhe nëse janë të rëndësishme rezultate të caktuara qeveritare që përmbahen në programet partiake dhe janë premtuar në periudhën parazgjedhore, jehona e tyre është e vogël, pa përshtypje. Shikuar në mënyrë më objektive, ka rezultate dhe ato janë të pakontestueshme sidomos në pjesën e transfereve sociale për personat më të rrezikuar, në pjesën e pagave të punëtorëve të tekstilit dhe të lëkurës, pak në pjesën e investimeve dhe diçka pak në pjesë të tjera, më shumë për të bërë marketing, si me uljen e shumës së shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve apo te funksionarët qeveritarë për reprezentim dhe të ngjashme.

Në të njëjtën kohë, ndizen alarmet për indikacionet gjithnjë më të shumta dhe më të dukshme për tenderët e kurdisur, për monopolet në prokurimin publik, për shërbimet klienteliste, për punësimet partiake në të gjitha nivelet e institucioneve edhe në nivel shtetëror edhe në atë komunal. Pritet edhe realizimi i premtimeve për rregullimin e deponive të egra, për hapa konkretë për ajër më të pastër, për t’i dhënë fund ndërtimit të pakontrolluar urbanistik. Zbulohen gjithnjë e më shumë aferat më të vogla, por edhe ato më të mëdha, afera kryesisht përmes privilegjeve partiake. Në skenën publike dalin karakteristikat e njohura të karakterit, sjelljet korruptive dhe klienteliste të kuadrove besnike të shtabeve. Shembuj me Fondin e inovacioneve, me tenderë për ilaçe, me konfliktin e interesave për biznese të mëdha të funksionarëve të lartë dhe shembuj për tenderë të ngjashëm në nivel qendror, si dhe tenderë të ndryshëm familjarë në nivel lokal. Këta janë indikatorë për të cilët, përmes rrjeteve sociale, publiku vetëm dëgjon, shikon, flet, reagon. Pushteti nuk reagon, mbetet inert dhe ngadalë, por në mënyrë të pashmangshme, humb kontaktin me njerëzit, me realitetin e jetës reale. Përshtypja është se për pushtetin, edhe pse është e pashmangshme, tema e vetme, kryesore dhe dominante është çështja e rëndësishme e integrimit të shtetit. Temë, e cila nuk prek nevojat e përditshme të njerëzve, por e cila sikur të jetë një alibi e mirëseardhur për detyrimet e premtuara komplekse të programeve elektorale.

Korrupsioni e tronditi nga brenda VMRO-DPMNE-në e Gruevskit. Mola e korruptuar tani zhvendoset në radhët e LSDM-së së Zaevit. Tani për tani, ajo nuk mund të shihet mirë për shkak të zhurmës të tepërt dhe preokupimit të mediave dhe publikut në përgjithësi me Marrëveshjen e Prespës, me Kushtetutën dhe me rënien aktuale të konkurrencës partiake. Tani është pyetja se a do të zgjohet dhe kur do të zgjohet pushteti për t’i parë pakënaqësitë e njerëzve dhe për të parë se si, sa dhe deri ku përmes institucioneve të monopolizuara, dukuritë e reja të vogla dhe më të mëdha korruptive do të vazhdojnë të dëmtojnë indin shoqëror të Maqedonisë. Të tregojë më qartë se edhe sa kohë do të zgjasë pritja e standardit më të lartë të dukshëm për të paktën një jetë pak më të relaksuar sociale.

Komoditeti apo preokupimi i pushtetit vetëm me një temë kryesore, tani praktikisht edhe pa opozitë, shihet qartë. Dita kur, megjithatë, së shpejti do të mbyllen temat globale si këto me marrëveshjen dhe kushtetutën, kur do të hapen dyert për integrime, kur nën presionin e Bashkimit Evropian do të përballet me obligimet e harruara të reformave dhe me drejtimet e parealizuara të Pribes, atëherë arsyetimet e garniturës aktuale qeverisëse për kohën e lëshuar do të jenë të pavlefshme. Për ballafaqimin e hidhur me detyrimet e papërfunduara dhe me faktin se do të jetë shumë vonë për të kërkuar një besim të ri.

Përveç kësaj, ndër qytetarët përhapet ndjenja se janë të tradhtuar nga revolucioni i larmë, se vazhdon praktika e drejtësisë selektive, vazhdon ndarja e njerëzve të zgjedhur dhe të atyre të zakonshëm. Ai është pulsi i shtresës sonë më të gjerë qytetare, të qetë, shtëpiake.

Këta janë njerëzit, burra, gra, fëmijë, të cilët pushteti sapo do të fillojë të qeverisë, sikur të mos ketë shumë kohë për ta. Sikur e gjithë qeveria dhe të gjitha institucionet e saja të angazhohen në negociatat midis Maqedonisë dhe Greqisë, në kërkim të shumicës parlamentare, në shkrimin e amendamenteve kushtetuese dhe merret me gjendjen e opozitës.

Por, ata janë të njëjtët bashkëqytetarë tanë të cilët me heshtje, por me siguri zgjedhin pushtetin. Por, ata janë të njëjtët ata të cilët me heshtje, por me siguri rrënojnë pushtetin.

A do të zgjohet garnitura aktuale politike ose edhe ajo, si një vazhdimësi e padëshiruar e matricës unike politike në Maqedoni, do ta konfirmojë përshtypjen e popullit se – të gjithë janë të njëjtë

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit.