Data e sotme
November 17, 2018

Ndërgjegjja vs lojalitetit

Shkruan: Aleksandar Kërzhalovski

 

Votimi në Kuvend më 19.10 për të filluar procedura e ndryshimeve kushtetuese,

 

Votimi në Kuvend më 19.10 për fillimin e procedurës së ndryshimeve kushtetuese, përveç katarzës të cilën e solli me ndërprerjen e pasigurisë nëse do të sigurohet minimumi i 80 votave të nevojshme që të ndodhin këto ndryshime, ndoshta, si kurrë më parë, nxori në sipërfaqe dilemën e votimit në përputhje me qëndrimin partiak ose në kundërshtim me të.

Nuk e di nëse titulli Ndërgjegjja vs (versus = kundrejt) Lojalitetit është më i përshtatshëm për të pasqyruar këtë dilemë, por ajo (bërja e thirrjes për ndërgjegje, sidomos për deputetët e koalicionit opozitar, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja) ishte fraza që përdorej më shpesh në atë periudhë, edhe në mediat, por edhe nga vetë kolegët deputetë të shumicës qeverisëse. Nga ana tjetër e dilemës ishte lojaliteti ndaj partisë (ose qëndrimit partiak, ose siç theksonin ata shpesh – ndaj votuesve të cilët i kanë zgjedhur, ose ndaj atyre të cilët nuk dolën në referendum). Me siguri ky titull nuk është më i përshtatshëm sepse kishte thirrje për ndërgjegje edhe për deputetët e shumicës (të mos e “japin” emrin sepse nuk kanë marrë mandatin për të ndryshuar kushtetutën dhe e ngjashme), por edhe pritja që ata të jenë lojalë ndaj qëndrimit të qeverisë/partisë/koalicionit/fushatës “Për Maqedoninë Evropiane” dhe të votojnë Për! Por, ky është tashmë një debat filozofik.

 

Në fund, pamë çfarë ndodhi – 80 deputetë votuan “për”, me çka u miratua propozimi për fillimin e procedurës së ndryshimeve kushtetuese, duke përfshirë votat e tetë deputetëve të opozitës. Pasoja për shtatë prej tyre ishte përjashtimi nga anëtarësimi në parti (VMRO-DPMNE), i shoqëruar edhe me një kërkesë për dorëheqje të tyre nga funksioni i deputetit, dhe siç (për fat të keq) tashmë u bë e zakonshme – edhe me etiketimin e tyre si “tradhtarë”. Zhgënjimi te partia opozitare ishte pa dyshim shumë i madh, e atë e tregoi të njëjtën mbrëmje kryetari i saj, sidomos që erdhi disa orë pas konferencës së tyre për shtyp, në të cilën bënë thirrje të votohet – me bindje se nuk do të ketë një numër të mjaftueshëm (80) të deputetëve të gatshëm për të votuar “për”. Për hir të së vërtetës, me siguri shumica parlamentare në atë moment nuk i kishte ato 80 vota “për”, përndryshe seanca do të fillonte siç ishte planifikuar (fillimisht për orën 11,e pastaj për orën 15). Çfarë me të vërtetë ka ndodhur atë ditë (dhe disa ditët paraprake) dhe pse disa deputetë, të cilët kishin deklaruar edhe publikisht se nuk do të votojnë “për”, kanë ndryshuar mendimin e tyre me siguri do të mësojmë se shpejti – deri në votimin përfundimtar për ndryshimet kushtetuese. Për disa prej tyre, ndoshta do të mbetet e paqartë edhe atëherë, ndërsa për disa ndoshta asnjëherë nuk do t’i mësojmë arsyet për votimin e tillë. Sidoqoftë – të gjithë 120 (gjegjësisht 119 deputetë të pranishëm në seancë) (do të) pretendojnë se kanë votuar sipas ndërgjegjes dhe bindjes së tyre.

 

Ky zbulim i arsyeve për të votuar “për” nuk është qëllimi i këtij artikulli, siç nuk ka as ambicie për të zgjidhur dilemën e titullit. Kjo edhe për arsye se ajo gjë nuk është e mundur, sepse dilema është dhe do të jetë e pranishme gjatë çdo votimi (dhe për cilëndo gjë) në Kuvend (dhe gjithsesi jo vetëm në kuvendin tonë). Një nga qëllimet është, megjithatë, të mësojmë nga ajo që ndodhi, ndër të tjera për lidhshmërinë midis modelit zgjedhor, lidhjes së deputetëve me qytetarët (votuesit) dhe procesit të formimit të listave të kandidatëve në partitë. Derisa Kushtetuta parashikon që deputetët të votojnë sipas bindjes së tyre, shihet qartë se pritjet e partive janë që të ndiqet qëndrimi i partisë dhe kështu të votohet, respektivisht për të qenë lojal ndaj partisë (madje edhe kur ajo gjë është në kundërshtim me qëndrimin personal për një çështje të caktuar). Është pyetja se si të sigurohet dhe garantohet ai lojalitet, sidomos kur ai do të jetë më i nevojshëm (si në rastin konkret, ku ka një diferencim të qartë dhe një polarizim ekstrem të çështjes midis dy partive më të mëdha) dhe nëse asgjë tjetër, ky votim ndoshta theu një stereotip – se deputetët kanë nënshkruar certifikata për huamarrje të parave (e cila do të aktivizohej nga ana e partisë në rastin e votimit të deputetit në kundërshtim me qëndrimin e partisë). Pra, ata ose nuk e kanë nënshkruar një gjë të tillë, ose kanë marrë një “mbulim” më të madh.

 

Por, si është rregulluar kjo gjë në demokracitë më të zhvilluara, si për shembull në demokracinë amerikane. Këtë verë, derisa ne ishim të preokupuar me referendumin, e pastaj edhe me procedurën në Kuvend, në SHBA-të një nga preokupimet kryesore të publikut ishte debati në Senat për emërimin e gjyqtarit të ri në Gjykatën e Lartë – kandidati Brett Kavanaugh. Kur në korrik u zbraz një prej nëntë vendeve në gjykatë për shkak të daljes në pension të njërit prej gjyqtarëve (ky funksion në SHBA është i përjetshëm, gjegjësisht derisa gjyqtari vetë të vendosë të tërhiqet), Presidenti Trump e propozoi gjyqtarin Cavanaugh dhe pritej që ai të zgjidhet lehtë, duke pasur parasysh shumicën e Partisë Republikane (51 senatorë, kundrejt 49 senatorëve të Partisë Demokratike, duke përfshirë 2 senatorët e pavarur të cilët zakonisht votojnë si ata të Partisë Demokratike). Por, pas 30 vjetësh, ajo do të bënte një shumicë të gjyqtarëve konservativë (thënë kushtimisht – gjyqtarë republikanë) në Gjykatën Supreme, prandaj Demokratët përpiqen që ta shtyjnë procedurën të paktën deri në nëntor, me shpresë se në zgjedhjet e ardhshme (të sotme, 6 nëntor) do të fitojnë shumicën në Senat dhe kështu do të parandalojnë emërimin e gjyqtarit Brett Kavanaugh dhe do të bëjnë të zgjidhet një kandidat më të përshtatshëm. Në gjithë rastin u paraqit edhe pohimi i një gruaje për një sulm seksual nga gjykatësi Cavanaugh në ditët e tyre studentore (para 36 vitesh), të cilit rast i janë bashkuar edhe dy gra të tjera, gjë e cila ka ngritur çështjen e ndërgjegjes së senatorëve, përkatësisht – e ngjashme si në rastin tonë, kështu që pritej që disa nga senatorët republikanë të votojnë “kundër”.

Derisa shumica e senatorëve janë prononcuar publikisht dhe mjaft herët në procesin se si do të votojnë, tre prej tyre (2 republikanë dhe 1 demokrat) nuk e kanë thënë atë deri në ditën e votimit, kështu që ishte e paqartë se si do të jetë rezultati. Në fund, 1 senator ka munguar dhe 1 ka abstenuar (të dy republikanë), ndërsa të gjithë të tre që nuk janë deklaruar më parë, kanë vendosur të votojnë “për” me çka Cavanaugh u zgjodh gjyqtar i Gjykatës së Lartë pikërisht me 50 votat e nevojshme “për” (dhe 48 “kundër”)… siç parashikonte shumica republikane. U tregua se vendimtare ishte vota e senatorit të Partisë Demokratike (të gjithë senatorët republikanë votuan “për”, ndërsa të gjithë senatorët demokratikë përveç atij një, votuan “kundër”, përkatësisht votimi ishte jashtëzakonisht partiak, më saktësisht 97-99% partiak).

A votoi ai një senator (ose të gjithë) sipas ndërgjegjes së tij personale? A veproi ai sipas mendimit të shumicës në Senat? Ose sipas shumicës së qytetarëve? Apo ndoshta sipas interesit të tij personal? A do të sjellë vota e tillë “për” një rizgjedhje të tij në shtetin e tij federal (të cilën gjë në fakt do ta mësojmë sonte), në të cilin dy vjet më parë fitoi kandidati republikan për president – Donald Trump… dhe a ka qenë kjo një gjë vendimtare për ndërgjegjen e tij?

 

Siç shkrova më lart – nuk mund të zgjidhet në përgjithësi kjo dilemë, nëse të ndiqet qëndrimi i partisë ose ndonjëherë të bëhet përjashtim, e madje edhe në votimet kritike (për gjëra të rëndësishme për partinë dhe/ose shtetin). Edhe në SHBA, votimi është shpesh partiak (pothuajse të gjithë senatorët në mbi 70% të rasteve, ndërsa më shumë se gjysma dhe në 90% të rasteve votojnë në përputhje me qëndrimin e partisë), por ndodh që disa prej tyre për çështje të caktuara të jenë kundër qëndrimit të partisë (p.sh. ka një vendim i cili muajin e kaluar nuk është miratuar për shkak të 2 votave “të shkuara”), duke përfshirë edhe për disa nga çështjet/projektet më të rëndësishme për partinë (p.sh. kundër heqjes së programit shëndetësor të presidentit të mëparshëm Barack Obama, të ashtuquajtur Obamacare).

Por ajo që është zgjidhur sigurisht më mirë në demokracitë më të vjetra (perëndimore), është lidhja e përfaqësuesve të zgjedhur me qytetarët, përkatësisht “baza” (zgjedhore), ose siç vetë ata e quajnë atë (ndërsa te ne nuk ka asnjë fjalë adekuate) – konstituentët (constituents). Në fakt, në pjesën më të madhe të këtyre shteteve (gjithsesi siç është shembulli me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe), është e drejtpërdrejtë lidhja e deputetit (senatorit, kongresmenit, etj.) me njësinë zgjedhore (bashkësinë vendore, komunën, distriktin, qytetin, shtetin federal). Me këtë, edhe përfaqësimi është më i qartë dhe më i lehtë për konsultim (dhe nuk është partiak) nëse ka dilema se si të votohet për diçka. Gjithsesi, shumë interesa të tjera kanë një ndikim ndaj të gjitha atyre proceseve të vendimmarrjes, por në fund – në qoftë se dëshirojnë rizgjedhjen (e shumica e tyre ua kushtojnë karrierat e tyre funksioneve të këtilla) – duhet të marrin parasysh “zërin e popullit”, veçanërisht në zonat në të cilat janë zgjedhur… dhe dispunimin e shumicës atje (e jo vetëm te anëtarët e partisë së tyre).

Ndoshta kjo duhet të zbatohet në revizionin e ardhshëm të modelit zgjedhor dhe me këtë të kontribuohet së pari për një demokratizim më të madh të partive politike, e pastaj edhe të gjithë shoqërisë. Me këtë do të zvogëloheshin (ndoshta edhe do të parandaloheshin tërësisht) “befasimet” e këtilla në votimet, e kur do të ndodhin nuk do të përjetohen ato në mënyrë aq tragjike (ose euforike).

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit