Data e sotme
November 18, 2018

“Vapë” nëntori

Shkruan: Bardhyl Zaimi

 

Ndryshimet kushtetuese të parapara me Marrëveshjen e Prespës duket se do ta shtrijnë “vapën” e verës edhe në nëntor. Qeveria, ndërkohë, ka bërë të ditur se ka përgatitur amandamentet për këto ndryshime. Riformulimet në preambulë kanë ngjallur reagime. Kryeministri Zoran Zaev ka bërë të ditur se në preambulë do të përfshihet edhe Marrëveshja e Ohrit. Përfaqësues të BDI-së e kanë quajtur këtë përfshirje si sukses të liderit të tyre, Ali Ahmeti.

Paraprakisht, partitë opozitare, ASH dhe BESA, kishin dorëzuar amandamente për ndryshime në kushtetutë, nëpërmjet të cilave thuhej se do të avancohet statusi juriko-politik i shqiptarëve në Maqedoni. Ndër ndryshimet e paralajmëruara nga këto parti pikëtohej të ndërrohej definimi “20 përqind” që nënkupton shqiptarët, si dhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe.

Në opinion u fol për një kushtëzim që mund të ndodhte për votimin e ndryshimeve kushtetuese, të parapara me Marrëveshjen e Prespës. Por, brenda kohës përfaqësues të partive politike opozitare shqiptare kanë shpjeguar se nuk bëhet fjalë për kushtëzim, por se për një tentim të bindjes së deputetëve tjerë për domosdoshmërinë e definimit të shqiptarëve në kushtetutë jo si “përqindje”, por me emërtimin “shqiptarët”.

ASH-ja e Zijadin Selës, tashmë ka ndërmarrë edhe një fushatë në rrjetet sociale të pagëzuar “Don’t call me 20%, I’m Albanian” (Mos më quaj 20%, unë jam shqiptar). Duket se nëpërmjet kësaj fushate kjo parti kërkon të senzibilizojë pozicionin e saj partiak gjatë debatit parlamentar mbi ndryshimet kushtetuese, duke kërkuar që shqiptarët të përfshihen në kushtetutë me emërtimin “shqiptarë” dhe jo si përqindje.

Me gjasë debati dhe antagonizmat mes partive politike në bllokun politik shqiptar do të zhvillohen rreth dy premisave politike: rreth përfshirjes së Marrëveshjes së Ohrit në preambulë dhe insistimit për një riformulim të “20 përqindëshit” në Kushtetutë.

Pavarësisht nga pozicionimet partiake, ky formulim mbetet një problem më vete i afishuar gjatë tërë kohës nga protagonistët e jetës publike te shqiptarët. Partitë opozitare këmbëngulin se ky është një definim problematik, ndërkohë që disa protagonistë të jetës publike te shqiptarët e kanë quajtur si “definim poshtërues për shqiptarët”. Sigurisht që do të hapet debati edhe për këtë çështje të ndjeshme për shqiptarët në suaza të një dialogu argumentues dhe gjithëpërfshirës. Në kohën kur Maqedonia po futet në një paradigmë tjetër zhvillimesh, që nënkupton pluralitetin etnik, gjuhësor dhe kulturor, riformulimi që nënkuptojnë praninë e shqiptarëve në kushtetutë vetëm mund të përforcojnë një identifikim politiko-shtetëror më kualitativ të tyre, ndërkohë që lojaliteti kushtetues do të sillte një kohezion shumë më substancial shoqëror. Sidoqoftë, fjalën gjithnjë e ka politika, e cila jo gjithëherë është e gatshme që t’i mbyll çështjet që mendohet se mund të krijojnë një normalitet dhe shtet funksional multietnik.

Përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit në preambulë dhe ideja për riformulim në kushtetutë të “pranisë së shqiptarëve” do të jenë dy pozicione politike që do ta shënojnë debatin në parlament. Me gjasë pozita dhe opozita në bllokun politik shqiptar, në bazë të këtyre dy orientimeve do t’i ndërtojnë edhe kauzat partiake, pavarësisht nga epilogu i “suksesit” të tyre.

Kërkesat e opozitës të bllokut politik shqiptar, kryeministri Zaev i ka quajtur si “tepër ambicioze”. Ai gjithashtu ka theksuar se “nuk mund të zgjerohet edhe më tej Kutia e Pandorës”. Ndërkohë, Zaev, ka harmonizuar qëndrimet me grupin e deputetëve të shkëputur nga VMRO-DPMNE, rreth propozim amadamenteve që pritet të votohen në parlament për ndryshimin e emrit.

Ndërkohë, opozita maqedonase VMRO-DPMNE ka paralajmëruar strategji për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese. Lideri i kesaj partie, Hristijan Mickovski, ka theksuar se miratimet në kuvend vijnë krejt në mënyrë të papritur, duke vënë në dukje se nuk është paraparë të diskutohet për Marrëveshjen e Ohrit. Sidoqoftë ai ka paralajmëruar kundërshtim të ashpër nga ana e partisë që ai përfaqëson. “Pres kritikë të ashpër ndaj të gjithë asaj që do të propozohet nga ana e shumicës qeveritare dhe nga ana e Qeverisë dhe në kornizë të diskutimit të komisionit, ndërkaq më pas edhe në kornizë të diskutimit kuvendor nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së “, ka theksuar Mickovski.

Me gjasë nëntori do të jetë muaji i përplasjeve të “nxehta” partiake. Dhe kur flet politika, zëri i racionalitetit dhe mendimit argumentues shuhet ngadalë diku në margjina!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit