Data e sotme
November 17, 2018
Karikatura :Russia Beyond

Ndarja e shoqërisë në “pro-perëndimorë” dhe “pro-lindorë” pamundëson debatin e argumentuar për “NATO efektin”

Maqedonia, institucionet e saja dhe faktorët që përcaktojnë rrjedhat politike në vend duhet të qëndrojë në këtë vijë pa hamendje, jo për shkak të Perëndimit apo Lindjes, por për faktin se ky orientim përbashkues për të gjithë grupimet partiake, etnike apo religjioze është e vetmja rrugë që garanton paqe e zhvillim.

 

Shkruan: m-r Xhelal Neziri

 

Republika e Maqedonisë po kalon nëpër fazën më të rëndësishme të ecurisë së saj si shtet. Për herë të parë po ballafaqohet me një krizë, e cila ka shenduar vendin në një arenë të përplasjeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike të fuqive globale dhe rajonale. Kriza bëhet edhe më e paparashikueshme kur merret parasysh se ky rivalitet i fuqive të mëdha, që tani më është i pranishëm në Siri dhe Ukrainë, po ashpërsohet edhe në Ballkan.

Ndikimi në rajon nga ana e Rusisë tentohet të rruhet duke mbajtur larg integrimit në NATO të vendeve të këtij gadishulli evropian. Ambasadori rus në Shkup, Oleg Sherbak, në mars të këtij viti deklaroi se nëse Maqedonia integrohet në NATO, atëherë do të jetë një cak legjitim i Rusisë nëse do të kishte një luftë midis Lindjes dhe Perëndimit. Edhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov paralajmëroi Perëndimin se zgjerimi i NATO-s me anëtarësimin e Maqedonisë do të kuptohej si një provokim për Rusinë. Nga ana tjetër, Uashingtoni dhe Brukseli zyrtar janë të shqetësuar nga rritja në vazhdim e ndikimit rus në Ballkan. Në qershor të vitit 2017 NATO pranoi anëtarin e 29 në kuadër të saj – Malin e Zi, ndërkohë që bën përpjekje t’i japë shtytje procesit të integrimit edhe të Maqedonisë gjatë vitit 2019. Mediet raportuan se anëtarësimi i Malit të Zi ishte një proces i rrezikshëm pasi Moska kishte mbështetur një tentim për grusht-shteti.

Finalja e rrezikshme

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespësmë 17 qershor u prit me entuziazëm në Bruksel, por me shumë rezerva dhe dyshime në Shkup e Athinë. Që nga fillimi i negociatave midis kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, u pa se kontesti 27-vjeçar i dy vendeve fqinje po shkon drejt zgjidhjes së madhe. Sa më shumë afrohej momenti i arritjes së marrëveshjes historike, aq më shumë ky rivalitet Perëndim-Rusi shfaqej në forma të ndryshme në Maqedoni dhe Greqi. Tani kur u siguruan dy të tretat e votave në Parlamentin e Maqedonisë dhe po mbahet një shumicë e luhatshme Greqi, Marrëveshja e Prespës duket më afër jetësimit. Më 19 nëntor shumica parlamentare në Maqedoni mezi arriti t’i “bindë” 8 deputetë të opozitës që të përkrahin nevojën e hapjes së Kushtetutës, e cila kërkon dy të tretat e votave, apo së paku 80 deputetë. Por, asgjë nuk është e sigurt deri në janar, kur pritet të përmbyllen procesi i ndryshimit të Kushtetutës në Maqedoni dhe votimit në Greqi, me ç’rast do të rrumbullakohej pjesa më e madhe e zbatimit të Marrëveshjes. Antagonizmi Rusi-Perëndim do të jetë prezent edhe në këtë fazë finale, gjë që e bën edhe më të rrezikshëm këtë fundviti.

Gjatë tërë këtij procesi theksi është vënë te orientimet apo preferencat gjeopolitike të partive politike, organizatave apo personave publikë. Nëse gjatë pesë viteve të kaluara shoqëria maqedonase u nda në “patriotë” dhe “tradhtarë”, tani kjo ndarje merr një formë të re – në “pro-perëndimorë” dhe “pro-rusë”. Edhe në taborin politik shqiptar ka kohë që ka “xixa gjeopolitike” në raportet midis partive. Edhe pse anketat tregojnë se pjesa dërmuese e shqiptarëve etnik kanë një përcaktim të vazhdueshëm pro-perëndimor, megjithatë, në diskursin publik shtohen dyshimet në vlerat që promovon Perëndimi dhe preferohet një afërsi me Turqinë apo Iranin, si dy fuqi rajonale më me ndikim edhe në Ballkan.

Kjo ndarje relativisht e re në shoqërinë e Maqedonisë në “pro-lindorë” dhe “pro-perëndimorë” po promovon një antagonizëm të ri, deri më tani më pak i pranishëm dhe gati se i parrezikshëm. Përplasjet më serioze në historinë e Maqedonisë kanë qenë me prapavijë etnike ose politike, por që kanë arritur të tejkalohen falë autonomisë më të madhe të faktorëve politikë në marrjen e vendimeve.

 

A ia vlen integrimi në NATO?

 

Tani debati zhvillohet mbi atë se çfarë do të jenë përfitimet që mund të ketë Perëndimi nga integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE, apo çfarë mund të fitojë Lindja nëse Maqedonia dhe rajoni nuk bëhen pjesë e këtyre strukturave. Përplasja midis mbështetësve të Perëndimit dhe Lindjes më shumë duket si një tifozllëk i ekipeve rivale në futboll, sesa një debat përmbajtjesor për të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve të saj. Kjo përplasje duket ende më absurde kur kihet parasysh fakti se integrimi në strukturat euroatlantike duke se është pa alternativë. Unioni i Euro-Azisë, të cilin Moska e promovon si alternativë, ka kohë që nuk arrin të funksionojë. Sistemi politik i paqëndrueshëm në vendet që gravitojnë në këtë Union, e që varet nga dora e fortë e liderëve autokratë, e bën orientimin eventual strategjik drejt kësaj strukture një aventurë të rrezikshme me pasoja të mëdha.

Në tërë këtë zhurmë që krijohet nga finalizimi i procesit të integrimit të Maqedonisë fillimisht në NATO, si duket mungon një debat kyç, i arsyeshëm dhe i argumentuar që duhet të jetë kryekëput në interes të të gjithë qytetarëve. Ky debat nuk do të mëtonte të tregojë se çfarë fitojnë apo humbin qendrat e gjeopolitikës me integrimin në Aleancën Veri-atlantike, por do t’i përgjigjej pyetjes se çfarë fiton Maqedonia nëse bëhet anëtarja e 30-të e kësaj strukture.

Si një Aleancë jo vetëm ushtarake, por edhe politike, NATO nuk garanton vetëm sigurinë e anëtarit të saj por nxit edhe kultivimin e vlerave demokratike, luftën e krimit dhe korrupsionit, funksionim të pavarur të gjyqësisë, stabilitet financiar, efektivitet në shpenzimet publike, rritje ekonomike dhe investime të huaja të drejtpërdrejta. Këto elemente përbëjnë të ashtuquajturin “NATO efekt”, të cilin e kanë përjetuar vendet e Evropës Lindore dhe të Ballkanit, të cilat më shumë se 10 vite janë anëtare të kësaj strukture.  Shqipëria fitoi statusin e vendit anëtar në vitin 2008 dhe që atëherë investimet e huaja u trefishuan, kurse numri i të punësuarve u rrit nga 900 mijë në afër 1.15 milionë. Rroga minimale në vitin 2008 në këtë vend ka qenë 16 mijë lekë, apo afër 120 euro, ndërsa në vitin 2018 ajo ka arritur në 24 mijë lekë, apo afërsisht 200 euro. Ndërsa rroga mesatare në 2008-ën ka qenë 36 mijë lek, apo afër 300 euro, dhjetë vite pas anëtarësimit në NATO ajo është afër 60 mijë lekë, apo 500 euro. Në vitin 2008 Shqipëria ka regjistruar investime të huaja të drejtpërdrejta në vlerë prej 150 milionë eurosh, në vitin 2009 ato arrijnë në 350 milionë euro, kurse deri në 2018-ën çdo vit në këtë vend kanë hyrë mesatarisht nga 250 milionë euro investime të drejtpërdrejta nga jashtë.

Bullgaria njëlloj përjetoi një hov në zhvillimin ekonomik që nga viti 2004, kur u bë anëtare e NATO-s. Bruto Prodhimi Vendor (BPV) për kokë banori në vitin e anëtarësimit ka qenë diku mbi 5 mijë dollarë amerikanë, derisa në vitin 2018 ka arritur në mbi 8 mijë dollarë amerikanë. Para anëtarësimit rroga mesatare në këtë vend ka qenë afër 300 leva bullgare, apo 150 euro, kurse në vitin 2018 ky numër ka arritur në gati 1200 leva, apo 600 euro.

Natyrisht se NATO nuk mund me magji t’i zgjidhë të gjitha problemet e vendeve të reja anëtare, por ajo krijon një bazë të mirë për zhvillim. Këto përfitime nga anëtarësimi në këtë sistem të qëndrueshëm ushtarako-politik janë marrë parasysh në vitin 1993, kur Parlamenti votoi vendimin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Që nga kjo kohë, integrimi në strukturat euroatlantike më shumë është parë si një orientim strategjik që sjell dobi për qytetarët e Maqedonisë, sesa si marrje anë në përplasjen e përhershme gjatë historisë midis Lindjes dhe Perëndimit. Maqedonia, institucionet e saja dhe faktorët që përcaktojnë rrjedhat politike në vend duhet të qëndrojë në këtë vijë pa hamendje, jo për shkak të Perëndimit apo Lindjes, por për faktin se ky orientim përbashkues për të gjithë grupimet partiake, etnike apo religjioze është e vetmja rrugë që garanton paqe e zhvillim.

 

Lexoni të gjithë blogun në ResPublica