Data e sotme
November 17, 2018

Mccarthy nga mëhalla jonë

Shkruan: Zoran Ivanov

 

Akt i izoluar i një aksioni kulturologjik edukativ ose mobilizim i gjithë shtetit për një disiplinim të të gjithë qytetarëve?  

 

Për titullin: Joseph Raymond McCarthy, politikan republikan i cili nga viti 1947 për një dekadë të tërë ka akuzuar dhjetëra individë të shquar, bashkëqytetarë të tij, se janë agjentë të fshehtë të huaj dhe armiq shtetërorë të SHBA-ve.

Konservatori me ndikim në vitin 1954 u turpërua publikisht kur, pas hetimeve të gjera të Kongresit, u konstatua se për asnjë nga akuzat e tija, me të cilat ndërkohë  ka dëmtuar shumë amerikanë të shquar me mendim të lirë, nuk ka pasur prova. Pas vdekjes së senatorit, Joseph Joe McCarthy, ai u perceptua në opinion si një nga figurat më negative të Amerikës demokratike. Gjuetia moderne e shtrigave, dukuria e akuzave politike pa dëshmi, sot quhen edhe si “makartizëm”.

Ashtu disi në stilin e McCarthy-t duket se është edhe veprimi i Prokurorisë publike. Ajo e thirri në një takim të afërt gazetarin dhe publicistin mjaft aktiv eminent dhe me ndikim, Branko Troçkovski. Kuptohet, jo si dëshmitar, por me siguri, duke vlerësuar sipas aktiviteteve të tija atraktive në Facebook, në cilësi të të akuzuarit. Kjo tregon se ky institucion gjyqësor ka pranuar “argumentet” e dikujt nga korpusi “ofendime”. Konkretisht, Triçkovski si me fjalorin e tij “të shëmtuar”, ashtu edhe me fjalorin e tij “kërcënues vulgar”, ka fituar shumë kundërshtarë dhe shumë përkrahës te ky komunitet interneti.

“Personi thirret në cilësi të një të dyshuari, lidhur me një procedurë që zhvillohet pas një kallëzimi penal të ngritur për disa vepra penale sipas Kodit Penal”, thuhet në ftesën e Prokurorisë së Shkupit. Në aktin nuk është shkruar se për çfarë konkretisht thirret ai në dëgjim në këtë institucion gjyqësor, por përmbajtja e saj implikon që personi i thirrur të mos ketë mundësi të përgatisë paraprakisht çfarëdolloj shpjegimesh të arsyeshme për akuzat që do t’ia prezantojnë atje.

Sinqerisht, porositë dhe komentet e tija në rrjetin më të njohur social janë të bollshme me gjëra të turpshme. Me vulgarizma, me ofendime ndaj figurave të caktuara politike dhe personave të tjerë publikë. Megjithatë, këtu është e nevojshme të theksohet fakti se autorësia e tij çdoherë, pa përjashtim, mbështetet me gjëra konkrete. Me tregim preciz të subjektit dhe subjekteve të cilat, sipas bindjeve të tija, janë krijuesit e pasojave veçanërisht të dëmshme për shoqërinë dhe shtetin. Në shënjestrën e tij janë persona të njohur, të cilët po ashtu pa përjashtim, janë personalitete nga korpusi i faktorëve politikë me ndikim ose nga skena intelektuale publike.

Triçkovski nuk është i vetmi gazetar, për të cilin, për shkak të kuptimeve të lartësuara të termeve që reflektojnë “ofendime”, jo për shkak të shpifjeve apo kërcënimeve, por pikërisht për shkak të ofendimeve, ngrihet shteti. Në këtë rast ai është personifikuar me Prokurorinë publike.

Në rrjetet masovike sociale ka shumë polemika për atë se ku është kufiri i korrektësisë së fjalës publike. A duhet të ndërhyjë shteti apo edhe vulgaritetet janë në kuadër të parimeve të gjera liberale demokratike? Një nga shumë interpretimet teorike: “Gjuha e urrejtjes është një verbalizim i emocioneve negative, një nevojë e natyrshme e njeriut dhe një rezultat i refleksioneve instiktive, por edhe i refleksioneve të mendimit, të shkaktuara nga subjekte, të cilat nga pozitat e fuqisë shoqërore, me sjelljet e tyre provokojnë shkatërrime”.

Triçkovski është një rast aktual, por jo edhe një rast i izoluar, me etiketë se shprehet duke përdorur ofendime dhe një dozë të urrejtjes. Ndër personalitetet me profesione transparente, të cilët për shkak të fjalorit të tyre jo-standard në rrjetet sociale, nga ana e individëve dhe qendrave të ndryshme qytetare, po ashtu janë në shënjestër të akuzave, janë edhe profesorët dhe gazetarët Najçevska, Vankovska, Apasiev, Nedellkovski, Çilimanov, Gelevski. Edhe fjalori i tyre shkakton reagime dhe cilësohet si “ofendues” dhe si “gjuhë urrejtjeje”.

Gjithsesi se shteti, rendi gjyqësor do të gjejnë një bazë ligjore për të dënuar këdo, i cili në skenën publike përdor fjalë, mendime, porosi jo standarde dhe vulgare. Ofendimi, gjuha e urrejtjes edhe në legjislacionin demokratik evropian, edhe në legjislacionin e vendit tonë është definuar si një dukuri ndëshkuese. Por, atje në veri, ndërhyrja e shtetit është maksimalisht e përmbajtur. I njëjti ai shtet, megjithatë, është maksimalisht i shpejtë dhe efikas në përmbushjen e drejtësisë si një reagim fillestar kur prej asaj personalisht do ta kërkojnë qytetari i prekur apo grupi i prekur i qytetarëve. Jo institucionet si në rastin e Triçkovskit.

A bëhet shteti ynë McCarthy i Maqedonisë? A është ai institucioni shtet në tërësi, qendra të caktuara të garniturave partiake ose kjo është vetëm një pasojë e klientelizmit të rrënjosur, në rastin konkret të eksponuar te prokuroria. Dhe, siç thotë ajo fjalë e urtë – mos e tërhiq djallin për bisht. Këtë javë funksionarë të lartë qeveritarë njoftuan se po përgatisin një “shtrëngim” të ligjit lidhur me temën shpifje, ofendim dhe dhjetëra fjalorë të tjerë verbalë. Duket se po përgatiten ditë të zeza për personat me karakter të formatuar, të cilët shprehin publikisht fjalë të turpshme. Mbetet shpresa se me idetë e reja ligjore, pushteti nuk do të kalojë vijën e kuqe të lirisë elementare, sepse ajo i takon qytetarit në mënyrë të natyrshme.

Disa teza në këto radhë me siguri do të shkaktojnë reagime të caktuara për atë se çfarë është ofendimi, çfarë është gjuha e urrejtjes, nëse keqpërdoren rrjetet sociale dhe mundësia të cilën e ofrojnë ato për një diskurs të pakufizuar të lirë publik. Ose do të konstatohet se çdo fjalim, çdo fjalë e shkruar në Facebook, në Twitter, në Instragram, pa marrë parasysh se sa është e vendosur në regjistrin e termeve ofenduese, është në fakt një reflektim i nivelit të lartë të demokracisë në shoqëri.

Pavarësisht nga kjo, nëse është fakt se ambienti në shoqërinë tonë lejon që ofendimi të jetë liberal, të dekriminalizuar, kjo nënkupton se shteti duhet të qëndrojë jashtë polemikave publike të hapësirës së lire dhe liberale të internetit, sado që të jenë ato ofenduese për dikë. Ndërsa të prekurit nga ato, nga gjuha e urrejtjes, gjithmonë kanë mundësinë që të kërkojnë kënaqësinë nga ofendimet para gjykatave civile. Atje zbatohet drejtësia pa pjesëmarrje të politikës. Atje, të dëmtuarit, të ofenduarit, të prekurit mendorë, duhet ta kërkojnë revanshin. Dhe nëse autorët e vulgarizmave gjykata i dënon me dënime prej dy, tre, pesë mijë eurosh dhe nëse në praktikën e kuptimit të tyre për lirinë e shprehjes atë auto investim në imazhin e tyre mund ta durojnë financiarisht, atëherë le të vazhdojnë me dizajnin e fjalorit të vet në hapësirat e hapura multikomunikuese interaktive siç janë rrjetet e njohura sociale.

Tani për tani, procedura gjyqësore “Triçkovski” është enigmë. Bëhet fjalë për një akt të izoluar të një aksioni kulturologjik edukativ të prokurorisë ose për një mobilizim të gjithë shtetit për një disiplinim të të gjithë qytetarëve?

Çfarëdo qoftë ajo, njëra ose tjetra, kur është nga shteti, është në stilin e McCarthy-t.

Prej këtu del edhe mendimi im në stilin e Volterit: Në pakufishmërinë e tyre të theksuar “etike” nuk i mbështes Triçkovskin, Najçevskën, Apasievin, Milenën, Çilimanovin, Gelevskin dhe të ngjashmit. Por, i gjykoj përpjekjet e ndërhyrjes së shtetit ndaj fjalës së çdokujt pa marrë parasysh se si është ajo fjalë dhe e kujt është ajo fjalë.

Shteti mënjanë – fuqishëm për lirinë!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit