Data e sotme
November 17, 2018

Ka shtrenjtuar mbrojtja kundër gripit, por mjekimi është edhe më i shtrenjtë

Një pjesë e vaksinave janë për herë të parë falas, ndërsa ato komerciale kushtojnë 650 denarë. Për dallim nga viti i kaluar ka një rritje të çmimit prej 250 denarësh. 

Mesatarisht mjekimi i një rasti të gripit na kushton rreth 3.300 denarësh.

Katerina Oboçki, pulmoalergolog, thotë se personat me sëmundje kronike, sidomos me sëmundje të mushkërive, duhet të marrin këtë vaksinë.

 

Shkruan: Teodora Cvetkovska

 

Me një çmim më të lartë në krahasim me vitin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë këto ditë ka siguruar vaksina si preventivë kundër virusit të gripit. Edhe pse me një vonesë të konsiderueshme prej pothuajse një muaji të tërë, qytetarët edhe këtë vit kanë interes të madh për vaksinimin. Arsyeja është e thjeshtë – viruset e grupit “grip” janë shumë të pakëndshme për të rinjtë dhe shumë të rrezikshme për jetën e të moshuarve. Varësisht nga lloji i virusit, gripi mund të zgjasë midis shtatë dhe dhjetë ditësh, i ndjekur me temperaturë të lartë, ethe, dhimbje dhe mund të shkaktojë pasoja të tjera recidive ndaj shëndetit.

 

Në vend nuk ka ndonjë statistikë më të saktë për pasojat indirekte të gripit, por Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH vërejti se çdo vit rreth 500.000 njerëz në botë vdesin për shkak të komplikimeve nga gripi. Rreth 10% e këtyre rasteve të vdekjes janë në Evropë.

 

Më shtrenjtë se vitin e kaluar – ku është dallimi?

 

Vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë informoi se kjo vaksinë është përgatitur sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe mbron kundër dy llojeve të viruseve të grupit A dhe një virusi të grupit B. Prodhuesi i vaksinave, të cilat u blenë vitin e kaluar, është kompania Abot nga Holanda. Ato kushtonin 400 denarë.

Këtë vit, vaksinat janë blerë nga kompania farmaceutike franceze “Sanofi Pasteur”. Disa prej tyre janë falas për herë të parë, ndërsa vaksinat komerciale kushtojnë 650 denarë. Por, një pjesë e opinionit reagoi ndaj këtij shtrenjtimi dhe hapi dilemën se sa në fakt janë falas këto vaksina.

 

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se niveli më i lartë i mbrojtjes së vaksinës është arsyeja për çmimin e ri.

 

Këtë vit, çmimi i vaksinës është më i shtrenjtë për shkak se bëhet fjalë për një vaksinë katërvalente, për dallim nga viti i kaluar, kur ishte trivalente, por merret në konsideratë që kostoja shtesë për aplikim të jenë minimale“, thuhet në përgjigjen me shkrim për Inbox7.

 

Për këtë furnizim, ministria ka planifikuar 13 milionë denarë ose 216.000 euro, por pas ankandit të zbatuar elektronik, ka arritur një çmim me shumë totale prej 8.6 milionë denarësh ose 140.000 eurosh.

 

Nga Ministria e Shëndetësisë kemi marrë përgjigjen se me caktimin përmes opsionit

“Termi im”, personat me sëmundje kronike dhe pensionistët, të cilët kanë një pension më të ulët se 14 mijë denarë, do të mund të marrin vaksina falas. Por, theksojnë se ata më parë duhet të kontrollohen nga mjeku amë, sepse personat të cilët duan të vaksinohen duhet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore para se ta pranojnë vaksinën.

 

D-r Aleksandar Stojanov, epidemiolog, deklaroi se rritja e çmimit të vaksinave është për shkak të faktit se këtë vit ato janë katërvalente dhe mbrojnë më shumë.

Për specialistët kompetentë, kufizimet janë për arsye financiare.

“Secili shtet ka në dispozicion një buxhet i cili nuk është i pakufizuar, këtë vit si një ndryshim, Ministria e Shëndetësisë arriti të sigurojë 28.000 vaksina falas për të gjithë Maqedoninë. Për Shkupin janë ndarë 5.000 vaksina dhe 4.000 vaksina komerciale. Diku duhej të kishte një selektim se kush do t’i pranojë ato. Megjithatë, nuk ka mjete të mjaftueshme që të furnizohen ato, kështu që u morr një vendim që ata të jenë pensionistët mbi 65 vjeç dhe njerëzit me një pension më të ulët se 14.000 denarë. Deri më tani njerëzit çdoherë paguanin për vaksinat, ndërsa këtë vit është bërë një përpjekje që të fitohen vaksinat në një numër të tillë, kështu që mbetet të shihet nëse njerëzit do të paraqiten dhe nëse do të shpenzohen të gjitha dhe të planifikohet diçka plus për vitin e ardhshëm”,  thotë d-r Stojanov.

 

DERI MË TANI JANË VAKSINUAR 2 MIJË PERSONA

Sipas ekspertëve, vaksinat e tilla katërvalente kundër gripit sigurojnë mbrojtje kundër katër llojeve të gripit, përkatësisht kundër dy viruseve të tipit A dhe dy viruseve të tipit B. Deri më tani vaksinat kundër gripit ishin trivalente, por sipas rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë zhvilluar vaksina të reja, pasi dy llojet e virusit B me intensitet të ndryshëm kanë qenë të pranishëm në periudha të ndryshme të vitit në vende të ndryshme. Nga Qendra e Shëndetit Publik në Shkup thonë se vetëm për tri ditë kanë vaksinuar 2.000 persona.

 

 Mendime të ndara edhe për efektin e vaksinave

 

Mjekët konsiderojnë se vaksinat e gripit janë të sigurta dhe se ato duhet t’i pranojnë të gjithë njerëzit që bien në kategoritë e rrezikuara. Në Maqedoni shpesh ka hamendje nëse t; pranojn; vaksinë apo jo, duke dyshuar për cilësinë. Shumë fushata kundër vaksinave shpesh thonë se ato nuk mbrojnë 100 për qind nga sëmundjet, dhe prandaj ato nuk duhet të pranohen.

“Ekspertët asnjëherë nuk kanë pohuar se vaksinat mbrojnë 100 për qind, si të gjitha barnat e tjera. Vaksinat janë shumë efikase kur jepen në mënyrë përkatëse, sipas një orari të përcaktuar, edhe atë nga 80 deri në 100 për qind, varësisht nga vaksina. Por, edhe pse vaksinat nuk ofrojnë një mbrojtje prej 100 për qind, madje edhe nëse ka sëmundje, personi i vaksinuar do të tregojë një gjendje më të mirë shëndetësore se personi i cili nuk ka pranuar vaksinën e duhur” , thotë d-r Katerina Oboçki, pulmoalergolog.

 

Ajo theksoi se personat me sëmundje kronike, sidomos ata me sëmundje të mushkërive duhet të pranojnë vaksinën me qëllim që më vonë kostot për trajtim të mos jenë më të larta se vaksina, edhe pse këtë vit ajo është më e shtrenjtë për 250 denarë.

 

 

Sa kushton mjekimi i gripit?

 Mjekët thonë se simptomat e virusit të gripit shfaqen tri ditë pas infeksionit. Personi i infektuar ka të ftohtë, është e lodhur, ka temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje në muskujt dhe kockat, ndjenjë të iritimit në fyt dhe kollë të thatë. Të gjitha këto simptoma të përmendura zakonisht zhduken për 2-7 ditë, vetëm kollitja mund të zgjasë për disa javë.

 

Mesatarisht mjekimi i një rasti të gripit na kushton rreth 3.300 denarësh, ndërsa vaksina është 650 denarë.

 

Qytetarët me të cilët kemi biseduar për këtë temë janë me mendime të ndara. Pjesa më e madhe e të intervistuarve thanë se asnjëherë në jetën e tyre nuk e kanë pranuar këtë lloj të vaksinës, e as që planifikojnë të bëjnë atë këtë vjeshtë. Ata të cilët u përgjigjën pozitivisht thonë se vaksinat janë të nevojshme për të gjithë njerëzit dhe se ato i kanë mbrojtur deri më tani.