Data e sotme
November 17, 2018

KANÇESKA MILEVSKA: NË ASNJË MOMENT NUK NDJEHEM SI TRADHTAR

Deputetja Elizabeta Kançeska Milevska u gjet në qendër të kritikave nga kolegët e saj partiakë, kur më 19 nëntor vendosi të mbështesë ndryshimet kushtetuese me të cilat hapet rruga për implementimin e Marrëveshjes së Prespës. Menjëherë pas kësaj, ajo dhe kolegët e saj të cilët gjithashtu votuan “për”, u përjashtuan nga partia VMRO-DPMNE për shkak të veprimit jashtë qëndrimit të partisë që të mos përkrahet procesi.

 

Interviston: Svetllana Unkovska

Deputetja Elizabeta Kançeska Milevska u gjet në qendër të kritikave nga kolegët e saj partiakë, kur më 19 nëntor vendosi të mbështesë ndryshimet kushtetuese me të cilat hapet rruga për implementimin e Marrëveshjes së Prespës. Menjëherë pas kësaj, ajo dhe kolegët e saj të cilët gjithashtu votuan “për”, u përjashtuan nga partia VMRO-DPMNE për shkak të veprimit jashtë qëndrimit të partisë që të mos përkrahet procesi.
Kançeska Milevska tani është koordinatori i grupit të ri parlamentar dhe thotë se është herët të thuhet se si do të funksionojnë pas përfundimit të ndryshimeve kushtetuese. Edhe pse është e përjashtuar nga partia VMRO-DPMNE, ajo thotë se nuk ka marrë një vendim të tillë zyrtar.
“Unë duhet të them se nuk kam bërë diçka të keqe apo kundër interesave ose angazhimeve të partisë. Votimi im ishte për të hyrë në debatin për amendamentet kushtetuese. Tani shohim se edhe kolegët e mi nga partia ime gjithashtu hyjnë në debat. Kështu që, tani jemi në të njëjtën pozitë”, nënvizon Kançeska Milevska në një intervistë ekskluzive për Inbox7.

 

Inbox7: Z-nja Kançeska Milevska, Ju jeni koordinator i grupit të ri parlamentar. Si do të veprojë ai në të ardhmen dhe në cilat drejtime do të veproni?

ELIZABETA KANÇESKA MILEVSKA: Grupi i ri parlamentar është formuar me qëllim që të hyjmë në debatin e amendamenteve. Unë personalisht si deputete edhe në fjalimin tim e kam thënë se duhet të hyjmë në debatin e amendamenteve dhe sot, të them sinqerisht, më vjen shumë mirë kur shoh se edhe kolegët e tjerë të partisë sime VMRO-DPMNE u përfshinë në debatin e amendamenteve. Unë mendoj se ai perceptim i rremë që krijohej në opinion, tani mund të shihet se gjithë ajo nuk është ashtu, kështu që tani u ranë të gjitha ato maska. Në pjesën e grupit parlamentar do të them se ne duhej të formonim një grup të pavarur të deputetëve në kuadër të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” që të mund të veprojmë edhe në fazën përfundimtare për disa amendamente shtesë, sepse ne nuk dinim se si do të veprojnë kolegët e tjerë nga partia ime VMRO-DPMNE. Por, kur shoh se tani në vetë Komisionin u përfshinë edhe dhe ata, nga kjo distancë, do të them se ndoshta duhej të mbeteshim së bashku. Por, dua të them se u formua ai grup deputetësh sepse mendonim se ishte e mirë të hynim në debatin e amendamenteve që të përfshihemi në një proces gjithëpërfshirës të dialogut, debatit, debatit publik, të thirren edhe ekspertë të së drejtës kushtetuese, ndërkombëtare, profesorë, ne si deputetë… Unë duhet të them se pushteti bën shumë gabime në drejtimin e procesit dhe ato gabime i thashë edhe në foltoren e Kuvendit.

Inbox7: Ky grup deputetësh do të jetë vetëm për ndryshimet kushtetuese ose mbeteni edhe më tej si një grup i pavarur deputetësh?

ELIZABETA KANÇESKA MILEVSKA: Aktualisht grupi është formuar për këtë qëllim, sepse kemi dashur të hyjmë në përfshirjen e këtij procesi dhe që të mund të parashtrosh amendamente, duhet të kesh një grup deputetësh. Si do të vazhdojnë dhe në cilën drejtim do të lëvizen të gjitha këto gjëra do të shohim nga rrethanat. Tani për tani, ne nuk kemi ndërtuar një qëndrim se si do të vazhdojmë më tej, por në këtë periudhë veprojmë si deri më tani, normalisht, si opozitë. E kemi treguar këtë edhe paraprakisht, kur kishim një konferencë për shtyp thamë se qëndrimi ynë është se nuk do të votojmë për heqjen e mandatit të Nikolla Gruevskit. Dua të them se do të veprojmë si opozitë, ka shumë kritika në çdo fushë të funksionimit dhe punës së Qeverisë dhe ato kritika duhet të thuhen dhe ne do të veprojmë si opozitë.

Inbox7: Pas votimit për ndryshimet kushtetuese ju jeni përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja. A mendoni të formoni nj parti të re?

ELIZABETA KANÇESKA MILEVSKA: Dëgjova deklarata atëherë se do të na përjashtojnë, edhe në konferencën për shtyp kryetari Hristijan Mickovski tha se jemi përjashtuar, por një dokument se për cilën bazë jam përjashtuar dhe cilat janë arsyet, nuk kam. Unë duhet të them se nuk kam bërë diçka të keqe apo kundër interesave ose angazhimeve të partisë. Votimi im ishte për të hyrë në debatin për amendamentet kushtetuese. Tani shohim se edhe kolegët e mi nga partia ime gjithashtu hyjnë në debat. Kështu që, tani jemi në të njëjtën pozitë. Sipas rregullës, nëse jeni të përjashtuar duhet të keni një dokument zyrtar, ku do të ketë një shpjegim se për cilat arsye jam përjashtuar, cila është ajo gjë të cilën e kam bërë që është në kundërshtim ose diçka të keqe që nuk është në interes ose angazhimet e partisë sime amë. Kur përjashtoni dikë duhet të keni ndonjë shpjegim, duhet të ju thërrasin, duhet të jepni ndonjë ankesë… Është thënë një gjë e tillë në eter nga persona të caktuar, por nuk kam marrë një dokument zyrtar deri në këtë moment as përmes postës as personalisht.

Inbox7: Cilat janë relacionet tuaja tani me deputetët e VMRO-DPMNE-së. A i kujtoheni momentit kur votonit për hapjen e procesit të ndryshimeve kushtetuese, ata u ngritën në këmbë dhe prej anash ju shikonin me të keq. Si janë sjelljet tani?

ELIZABETA KANÇESKA MILEVSKA: Siç ishin deri më tani ashtu janë edhe në këtë moment. Ishte e qartë se dëshiroja të përfshihesha në këtë proces. Këtë qëndrim e kam thënë edhe në koordinim edhe në fjalimin tim në Kuvend edhe kur bisedova me kryetarin Hristijan Mickovski. Nuk kam fshehur asgjë, përkundrazi, kam menduar se ajo është e nevojshme. Bëhet fjalë për një pyetje shumë të rëndësishme dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë ambicie partiake, për diçka tjetër dhe për ndonjë vend, dikush që i ka ato duhet të pyetet vetë. Në vitet e fundit, ne kemi punuar intensivisht në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë në NATO dhe BE. Angazhimet e mia në atë periudhë si ministër i kulturës ishin të mëdha dhe jam e bindur se kemi bërë shumë në këtë proces. Nuk mund të angazhoheni se postulati i partisë sime amë është se ne jemi për integrimin evropian dhe NATO, e të mos ofroni asgjë. Ose të thoni, ne do të bëjmë diçka më të mirë, dhe ja tani është shansi që të ofrohen amendamente nëse mendojmë se mund të bëhet diçka më të mirë, të përfshihemi në debat, nëse me të vërtetë mendojmë se duhet të bëhet diçka më të mirë.

Inbox7: Kolegët e tu për votimin Ju quajtën tradhtar. Si është ndjenja tani?

ELIZABETA KANÇESKA MILEVSKA: As atëherë as tani nuk ndjehem tradhtar. Sepse, nëse shkojmë sipas asaj analogjie, pra tani edhe kolegët e mi janë tradhtarë sepse hyjnë në këtë proces. Është për të ardhur keq që të jepen kualifikime të tilla, nëse dikush është tradhtar apo hero, ne duhet njëherë përgjithmonë t’i heqim ato interesa personale dhe politike dhe të përfshihemi sinqerisht dhe me ndershmëri në këtë proces. Gjithashtu duhet t’i konstatojmë edhe gabimet e pushtetit në të gjithë këtë proces, ne si opozitë. Sepse interesi i të gjithë neve është hyrja më e shpejtë në BE dhe NATO dhe nuk është vetëm deklarative, por duhet të angazhohemi drejtpërdrejt që ta bëjmë atë në cilëndo mënyrë. Kështu që, nuk shihem si tradhtar në asnjë moment.

Inbox7: Pas votimit ju morët sigurim. A keni pasur probleme dhe a ndjeheni të sigurt?

ELIZABETA KANÇESKA MILEVSKA: Unë nuk përdor sigurim dhe në asnjë moment nuk kam pasur kërcënim as nga njëra palë as nga pala tjetër. Nuk kam pasur asnjë presion as nga njëra palë as nga pala tjetër. Shteti vendosi kështu, sepse u krijua një situatë të tensionuar dhe u krijua një perceptim të rremë. Në opinion thuhej se tani menjëherë po votojmë për ndryshimin e emrit, për ndryshimin e kushtetutës dhe ai është një perceptim i rremë. Ajo që u bë paraprakisht në votim dhe dikush të të shoh ashtu sikur të dëshirojë të të vrasë, nuk ishte në rregull dhe mendoj se tani ata turpërohen për këtë akt. Unë sinqerisht dhe me ndershmëri kam vepruar në atë fazë dhe në asnjë moment nuk mund të ndihem si ndonjë tradhtar, por përkundrazi mendoj se kam bërë diçka më shumë që tani konfirmohet me praninë dhe pjesëmarrja e tyre në këtë fazë.

Inbox7: Cilat janë marrëdhëniet e tua me LSDM-në? A mendoni se pas votimit për hapjen e Kushtetutës tani ju shikojnë si një grup deputetësh i cili në të ardhmen do të ndihmonte për miratimin e ligjeve dhe vendimeve të tjera?

ELIZABETA KANÇESKA MILEVSKA: Të gjitha mendimet, qëndrimet e mia janë korrekte, nuk kam marrëdhënie shumë të ngushta, por ato janë thjeshtë marrëdhënie profesionale që i kemi këtu në Kuvend. Unë nuk kam një përvojë të madhe në parlament, por mendoj se si një shtëpi më e lartë ligjdhënëse duhet të funksionojë pikërisht sipas atij definicioni të demokracisë parlamentare. Është mirë që ndryshime të caktuara në ligje, propozimet e zgjidhjeve të dalin nga deputetët dhe Kuvendi të kuptohet si demokraci parlamentare, e jo si demokraci partiake. Unë mendoj se shumë gjëra duhet të ndryshojnë në raport me Kuvendin pikërisht në kuptimin e vërtetë të demokracisë parlamentare, e jo partiake. Shumë gjëra për ndryshimin e zgjidhjeve të caktuara duhet të dalin prej këtu. Marrëdhëniet me LSDM-në i kemi shumë profesionale dhe do të mbeten ashtu.