Data e sotme
March 25, 2023

Fjala dhe urrejtja (2): Kemi ligje, por jo edhe praktikë me epilog

Është e rëndësishme të mësohet kufiri i ngushtë midis lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes, i cili në asnjë rast nuk duhet të kalohet, nëse duam të ndërtojmë një shoqëri demokratike. Por, të mos lihet pas dore edhe qëllimi fillestar i rrjeteve sociale, i cili duket se sot shkon në një drejtim tjetër.

 

 

Shkruan: Bjanka Stankoviq

 

Në Maqedoni, ai i cili nëpërmjet sistemit të informacioneve dhe të kompjuterit do të përhapë gjuhën e urrejtjes ose do të kërcënohet se do të bëjnë një vepër penale, do të dënohet me një dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 deri në pesë vjet. Ekspertët pajtohen se ekziston një kornizë përkatëse ligjore, por problemi është te institucionet kompetente.

Kordallov tha se rregullat ekzistuese ligjore ofrojnë mbrojtje, por ajo që na mungon është zbatimi i mirë, përkatësisht zbatimi i ligjit. Nevojitet një praktikë e mirë dhe kuadro përkatëse, por për këtë nevojitet një edukim cilësor, i përshtatur me kohën e re dhe trendët e rinj.

Me këtë pajtohet edhe Sllavica Anastasovska. Nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e shikojnë vazhdimisht gjuhën e urrejtjes, identifikojnë atë, tregojnë se sipas cilit nen duhet të ndiqet penalisht dhe klasifikojnë atë në përputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane, por në Maqedoni gjykatat nuk reagojnë për këto situata.

“Prokuroria publike sikur të mos jetë e interesuar për këto procedura. Ka rreth 7 kallëzime penale nga viti 2015, 2014 dhe 2013 për të cilat akoma nuk ka aktakuzë, e të mos flasim për një përfundim të këtyre rasteve. Në MPB-në ka edhe 13 kallëzime të tjera, të cilat gjithashtu nuk procedohen fare”, – tha Anastasovska.

Sipas statistikave që i bëjnë në Komitetin e Helsinkit, ata kanë regjistruar mbi 300 raportime për gjuhë të urrejtjes në periudhën prej muajit shkurt të vitit 2014 deri në muajin tetor të vitit 2018. Pjesa më e madhe e tyre, 180 raportime kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes për shkak të përkatësisë etnike, ndërsa 106 për shkak të përkatësisë politike. Raportimet janë më së shpeshti për statuset në Facebook dhe Twitter.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, thonë se në bazë të nenit 144 paragrafi 4, në evidencën e tyre zyrtare elektronike janë regjistruar 18 vepra penale “rrezikimi i sigurisë”, të kryera me anë të një sistemi të informacioneve dhe janë raportuar 14 autorë, prej të cilave:

  • Në vitin 2016 janë regjistruar tri vepra penale dhe është raportuar një kryes;
  • Në vitin 2017 janë regjistruar pesë vepra penale dhe janë raportuar dy kryes;
  • Në periudhën prej muajit janar deri në muajin shtator të vitit 2018 janë regjistruar 10 vepra penale dhe janë raportuar 11 kryes.

 

Procesi i zgjidhjes së këtij problemi është i ngadalshëm dhe i vështirë, por me qëllim që të parandalohet rrethi magjik në të cilin për gjuhën e urrejtjes kthehet me urrejtje, nevojiten strategji afatgjata. Kordallov mendon se autoritetet duhet të investojnë në kuadro profesionale dhe potenciale, e jo në punësime mbi baza të tjera.

“Ato ekipe do të duhet t’i zbatojnë reformat e këtilla, të liruara nga ndikimet dhe paragjykimet politike, kombëtare, gjinore dhe të tjera. Vetëm në këtë mënyrë mund të fillojmë të ndërtojmë individë të rinj që do të jenë imunë ndaj dukurive negative në sferën e Internetit. Si shoqëri, ne duhet të ndërtojmë “mekanizma mbrojtës” te çdo individ për ballafaqimin dhe identifikim personal të dukurive të këtilla”, shton Kordallov.

Mediat, sidomos portalet e internetit, të cilat për shkak të klikimeve dhe fitimeve të shpejta, transferojnë informacionet me pakujdesi. Ekspertët dhe një pjesë e opinionit pajtohen se nuk duhet të transmetohen pa nevojë Facebook ose Twitter statuset e personave të famshëm, fjala e të cilëve ka një peshë tjetër dhe mund të shkaktojë pasoja më të mëdha sesa është pritur, duke pasur parasysh se ata kanë mijëra ndjekës.