Data e sotme
April 19, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Pajtimi dhe drejtësia

Shkruan: Denko Maleski

 

Mendimi juaj për “pajtimin”, thotë ditë më parë gazetarja e gazetës “Nova Makedonija”. Pas deklaratës së shkurtër telefonike që kishte të bënte me situatën në vendin tonë, vazhdoj të mendoj për këtë temë. Fjalorët kanë një definicion të thjeshtë për pajtimin: një proces në të cilin dy individë ose dy grupe njerëzish ose dy shtete, pas një zënke, madje edhe pas një lufte, përsëri sillen si miq.

A mendonte për këtë pajtim Kryeministri Zaev kur e thirri “palën e majtë” t’ia shtrijë dorën “palës së djathtë” dhe anasjelltas? Pajtimi për dhunë është i mundur vetëm nëpërmjet zbatimit të parimit të drejtësisë. Ka një mësim elementar të cilin dhunuesit e Parlamentit të Maqedonisë duhet ta mësojnë, që ta mësojë edhe shoqëria në përgjithësi: e drejta jote për të treguar me dorë (ose me një TV piedestal) përfundon disa centimetra nga koka ime. Pse? Sepse këtu fillon e drejta ime të mos jem i lënduar, dhe për pasojë, nëse më lëndon mua dhe të drejtën time, vijon një ndëshkim. Ose, nëse i ke hapur dyert e parlamentit për të hyrë turma e demonstruesve, duke shkelur rregullat e shtëpisë ligjdhënëse dhe duke rrezikuar jetën e deputetëve kolegë, ti përgjigjesh për veprën e bërë. Në shkencë, kjo quhet drejtësi retributive, e cila mbështetet në parimin shumë të vjetër “sy për sy”, i cili, në fakt, është shikimi i zakonshëm i drejtësisë nga e cila pritet dënim. Dënimi, kuptohet, duhet t’i konvenojë veprës. Në këtë kuptim, duhet të bëhet një dallim në motivet dhe veprimet e individëve, të cilët, si pjesë e turmës kanë hyrë në Parlamentin e Maqedonisë. Dhunuesit, urdhërdhënësit dhe organizatorët e dhunës meritojnë një lloj dënimi, ata të cilët kanë prodhuar valën nacionaliste një tjetër dënim, ndërsa ata të cilët ishin nxitur nga ajo valë dhe nga ndjenjat e tyre patriotike meritojnë një tjetër lloj dënimi. Artistët, si këngëtari ynë i shquar Durlovski, për shembull, sipas rregullës, nuk i përket kategorisë së parë.

Por, mosmarrëveshjet tona maqedonase janë më të gjera dhe më të thella se ngjarjet që ndodhën në parlament më 27 prill. Ata mund të na çojnë në një prishje afatgjate të marrëdhënieve në shoqëri dhe ta rrisin dhunën. Në situata të tilla, shoqëritë fillojnë të praktikojnë atë që quhet drejtësi restauruese. Ky lloj i drejtësisë është një reagim i tillë i krimit i cili kërkon që viktimat, kryesit dhe shoqëria së bashku ta rivendosin harmoninë ndërmjet palëve që janë në grindje. Pajtim, po, por për cilën gjë, i them gazetares. Ne edhe deri më tani kemi pasur një lloj pajtimi. Gjegjësisht, kjo ndodhte çdoherë kur pushteti i ri ia falte mëkatet (mashtrimet, vjedhjet dhe korrupsionin) pushtetit të vjetër, me qëllim që të sigurojë të njëjtin status për veten pas ndryshimit të ardhshëm të pushtetit. Megjithatë, kriza e thellë në të cilën u gjend vendi ynë dhe hapja publike e dosjeve të “bombave” përmes Prokurorisë Speciale, si dhe përfshirja e madhe e faktorit ndërkombëtar, përjashton një mundësi të tillë sot.

Pas të gjitha atyre gjërave që ndodhën në “shtetin e kapur”, pajtimi për këtë lloj krimi nuk është i mundur nëpërmjet faljes, por vetëm nëpërmjet drejtësisë. Në fakt, nëse pushteti aktual nuk arrin ta reformojë gjyqësorin në drejtim të pavarësimit të tij, ekspozon veten në rrezik të madh: gjyqësori i pareformuar, në disa zgjedhje të ardhshme, përsëri do të bjerë në duart e kundërshtarit politik, i cili do të “hedhë në burg” pushtetin e deritanishëm, pa marrë parasysh nëse ka pasur prova apo jo. Dhe kështu, përgjithmonë. Rregulla ballkanike që është shkelur njëherë se ata të cilët ndërrohen në pushtet ia falin mëkatet mes vetes, një veprim i bërë me guxim nga udhëheqjet e LSDM-së dhe BDI-së, më në fund e hapi rrugën për shtetin ligjor. Unë nuk mund ta përdor fjalën “pakthyeshme”, sepse të gjitha llojet e befasive janë të mundshme në politikë, një fushë me të cilën udhëheq natyra e paparashikueshme e njeriut. Megjithatë, mund të thuhet lirshëm se rruga është e hapur. Nëse punojmë me përkushtim për afirmimin e parimeve të shtetit ligjor, do të kuptojmë se ata janë një shpëtim për të gjithë, madje edhe për ata që janë tani në pushtet, ndërsa pas disa zgjedhjeve të ardhshme, nuk do të jenë më. Prandaj, të pajtohemi rreth shtetit ligjor!

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit.

Latest posts by Администратор (see all)