Data e sotme
December 13, 2018

Christian Rupp, zëdhënës i Platformës federale “Austria Digjitale”: Austria ka zëvendësuar dokumentet e letrës me dokumente digjitale

Z-ri Christian Rupp është zëdhënës i Platformës federale “Austria Digjitale” dhe koordinator i iniciativës “NVM-të Digjitale” në Odën federale ekonomike të Austrisë. Ai ishte një nga folësit në Samitin “Maqedonia 2025” që u mbajt në Shkup prej 7 deri më 9 nëntor, ku e ndau përvojën e tij në sferën e digjitalizimit.

 

Z-ri Rupp, çfarë saktë paraqet profili i “NVM-të Digjitale”?

– Ne përpiqemi të ndihmojmë anëtarët tanë që të kuptojnë se çfarë do të thotë digjitalizimi për biznesin e tyre dhe se si ata mund të bëjnë hapat e parë në procesin e digjitalizimit. Ne nuk flasim vetëm për industrinë. Bëhet fjalë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në industrinë e artizanatit, për shembull, floktarët, marangozët. Është me të vërtetë, të themi, inovative për kompanitë e vogla që të kuptojnë se si mund të ndihmojë printeri 3D, për shembull, ose çfarë është “përpunimi në re” (cloud computing). Në fund, çfarë është inteligjenca artificiale dhe se si këto teknologji mund të sigurojnë shërbime më të mira. Kjo është gjithashtu e dobishme për qeverinë tonë dhe për administratën publike, për shkak se këto teknologji ndryshojnë dhe e-qeveria padyshim është një simbol i vendit modern, si të sigurohen shërbime më të mira për Qeverinë, qytetarët dhe sipërmarrësit.

 

A mund ta shpjegoni situatën në Austri në krahasim me situatën në Maqedoni, sepse këtu, shtypi është ende një dëshmi valide për posedimin e një dokumenti origjinal?

-Ai është trekëndëshi magjik i digjitalizimit – çfarë është teknologjikisht e mundur; çfarë është e lejuar me ligj dhe nëse ka vullnet politik. Për shembull, teknikisht nuk ka asnjë problem të nënshkruani një dokument në mënyrë elektronike, të keni një vulë elektronike, çfarëdo që të nevojitet. A është e lejuar me ligj? Në BE, ne kemi një rregullore kështu që administrata publike duhet të pranojë nënshkrimet e digjitalizuara. Në Austri kemi filluar në vitin 2001 me nënshkrime elektronike, ndërsa në vitin 2004 kemi pasur ligjin e parë për E-qeveri në Evropë. Ky ligj mundëson që nënshkrimi i dorës të jetë i barabartë me nënshkrimin elektronik dhe secila zyrë e administratës publike duhet të nënshkruajë dokumentin e saj në mënyrë elektronike, kështu që ajo duhet të ketë një vulë elektronike, të ketë një nënshkrim elektronik dhe nëse klienti dëshiron, ai gjithashtu mund të marrë dërgesën elektronike të këtyre dokumenteve zyrtare. Domethënë, sipas këtij ligji, qytetari ka të drejtë të ketë komunikim elektronik me administratën publike.

 

Domethënë, dokumentet elektronike janë të vlefshme për institucionet publike?

– Dokumenti origjinal është një dokument elektronik. Nuk ka më letër.

 

Duke i ditur rrethanat e Maqedonisë, a mendoni se ky proces duhet të fillojë nga institucionet publike, e pastaj të transferohet në sektorin privat ose të zhvillohet paralelisht si proces?

Teknologjia është tashmë këtu. Ka një kompani në Maqedoni që siguron nënshkrime elektronike, kështu që mendoj se mund të fillojë tani në të dyja mënyrat, në administratën publike dhe në biznes, por megjithatë nevojitet një ligj që të lejohet me ligj të përdoren mundësitë e këtilla. Për shembull, që të lejohet me ligj të nënshkruhet një kontratë në mënyrë elektronike, që të mund me ligj të nënshkruhet një faturë në mënyrë elektronike. Gjithashtu në Austri, ne kemi edhe ligj, nëse keni kontratë me një ministri federale, nuk ju lejohet të dërgoni faturën në formën e letrës, por duhet të dërgoni një faturë elektronike, e nëse jeni pjesë e procesit të prokurimit, duhet ta bëni këtë gjë në mënyrë elektronike, nuk pranojmë më letër. Në këtë mënyrë, qeveria juaj mund t’i detyrojë kompanitë ta bëjnë atë në mënyrë elektronike, por gjithashtu duhet të detyroni administratën publike të pranojë nënshkrime elektronike. Duhet t’i trajnoni për këtë dhe të keni mundësi ta bëni këtë. Mund ta dëshmoni nënshkrimin elektronik edhe në letër. Dhe kjo është diçka që duhet të zbatohet në Maqedoni. Kjo tashmë është një rregullore e Komisionit Evropian, prandaj automatikisht është ligj i të gjitha vendeve evropiane në Bashkimin Evropian.