Data e sotme
November 12, 2019

Zgjedhjet amerikane

Shkruan: Aleksandar Kërzhalovski

 

Pasi u votua fillimi i procedurës për ndryshimet kushtetuese më 19 tetor, sikur u zvogëlua edhe debati publik, por edhe debatet në Kuvend. Duket se ky votim ishte një katarzë në procesin e përmbushjes së obligimeve të Marrëveshjes së Prespës, gjegjësisht kulmi i polarizimit të kësaj çështjeje: për dhe kundër vetë marrëveshjes; ose disa pjesëve të saja; kundër ose bojkot; tradhtarë ose patriotë; a nuk janë për BE/NATO ata që janë kundër marrëveshjes; etj. Në ditët që pasuan, e sidomos pas turbullirave në VMRO-DPMNE (përjashtimet e deputetëve të cilët atë ditë votuan “për”, e më pas edhe të disa anëtarëve të tjerë) nuk ndodhën protesta masive, nuk kishte as shumë debate për amendamentet e propozuara kushtetuese, dhe ja ndërkohë – ato u miratuan tashmë në komisionet kompetente të Kuvendit. Duket se edhe episodi i fundit i këtij procesi – votimi përfundimtar për ndryshimet kushtetuese do të kalojë me një dramë shumë më të vogël se atë që pamë në votimin e mbrëmshëm të së premtes. Gjithsesi, ndërkohë, nuk mungonin as lajmet dhe ngjarjet e tjera interesante në vendin tonë, por kjo la hapësirë të merremi dhe të ndjekim pak se çfarë po ndodh edhe jashtë Maqedonisë.

 

Një nga gjërat e tilla më interesante javën e kaluar ishin zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilat mbahen në çdo dy vjet, sipas rregullës në “të martën e parë pas së hënës së parë në nëntor”. Zgjedhjet ishin për dy Dhomat e Kongresit, si dhe për guvernatorët në një numër të caktuar të shteteve federale. Këtë herë nuk kishte zgjedhje presidenciale (ato mbahen në çdo 4 vjet, kështu që zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2020). Të njëjtën mbrëmje, u publikuan dy rezultatet më të rëndësishme të zgjedhjeve, se Demokratët fituan shumicën në Dhomë, ndërsa Republikanët mbajtën shumicën në Senat, dhe e ngjashme si ne vendin tonë, dy partitë (përkatësisht të gjitha) shpallën fitoren. Këto rezultate deri në fund të mbrëmjes ishin: 220:199 (nga gjithsej 435) në Dhomën e Demokratëve (me 16 vende në të cilat rezultatet ende nuk ishin të publikuara) dhe 51:45 në Senatin e Republikanëve (edhe 4 “gara” zgjedhore ende nuk kanë përfunduar).

Por, ajo që ishte e çuditshme për mua është se një javë pas zgjedhjeve, situata nuk ka ndryshuar shumë, përkatësisht rezultatet janë 51:46 (vetëm për një vend në Senat ka vendim, kurse mbeten edhe tri) dhe 225:200 (gjegjësisht, u shpallën edhe gjashtë “fitore” të reja, kurse në garë mbeten edhe dhjetë).

 

Kjo më nxiti të hetoj pak përse kjo është kështu, prandaj mësova disa gjëra në proces. Për shembull, se çdo shtet federal ka komisionin e vet zgjedhor dhe zgjedhjet nuk organizohen në të njëjtën mënyrë në secilin prej tyre, gjegjësisht ka rregulla të ndryshme zgjedhore nëpër shtete. Kjo ka të bëjë edhe me mënyrën e votimit dhe numërimit të votave, kështu që për shembull në Arizonë – mbi 70% e fletëvotimeve dërgohen me postë dhe duhet të nënshkruhen (njëjtë si në listën zgjedhore), e nëse nuk ka nënshkrime apo lista nuk është identike – fletëvotimi i kthehet votuesit për korrigjim dhe pastaj përsëri dërgohet në komision. Prandaj, vetë konstatimi i rezultatit zgjat më shumë sesa në shumicën e vendeve të tjera.

Arizona (dhe Florida) janë veçanërisht interesante për shkak të dallimit të ngushtë të votave të numëruara deri tani në garat e Senatit, për të cilat Presidenti Trump tashmë publikoi një koment në Twitter për “mashtrim zgjedhor”. Gjegjësisht, pas pak më shumë se 2.1 milionë vota të numëruara, pavarësisht epërsisë së kandidates republikane Martha McSally gjatë natës së zgjedhjeve, tani kandidatja demokrate Kyrsten Sinema është në epërsi për pak më shumë se 30.000 vota ose 1.5% të votave. Të dyja shtabet zgjedhore shprehën pritjen dhe shpresën se votat e mbetura, të cilat duhet të numërohen, do të jenë në favor të tyre dhe në fund do të çojnë në fitore.

 

Disa nga mediat që kanë simpati ndaj Partisë Republikane dhe presidentit Trump, vazhduan me eksploatimin e tezës së presidentit për mashtrimin zgjedhor, edhe pse nuk japin dëshmi për një gjë të tillë. A ju tingëllon e njohur?

Por, për dallim nga vendi ynë, në SHBA përfaqësues të lartë të Partisë Republikane menjëherë kanë demantuar presidentin “e tyre”. Së pari, guvernatori i rizgjedhur i Arizonës Doug Ducey (nga të njëjtit ata votues të cilët votuan edhe në garën për senator të Arizonës) postoi një koment në Twitter duke theksuar se çdo votë është e rëndësishme dhe se duhet të numërohen të gjitha votat para se të shpallet fitorja për njërin ose tjetrin kandidatin. Pastaj, edhe senatori i deritanishëm Jeff Flake deklaroi se nuk ka dëshmi për mashtrime zgjedhore. Në fund, edhe vetë kandidatja McSally shprehu besimin e saj në procesin zgjedhor, duke deklaruar se është siguruar një trajtim i barabartë i të gjitha votave.

 

Megjithatë, vëmendjen më të madhe ma tërhoqi një artikull në Washington Post nga Christian Caryl, me titull “Tani e di se cila është ndjenja të jetohet në një banana republikë”. Ndryshe, ai ka qenë korrespondent për një kohë të gjatë (20 vjet) në shumë vende në mbarë botën (dhe me një traditë të gjatë demokratike, edhe në vendet e reja postkomuniste, si dhe në vendet e treta jashtë Evropës). Ai ka raportuar vazhdimisht nga konferencat për shtyp të misioneve vëzhguese të OSBE-së nga të gjitha ato zgjedhje, ndërsa në këtë artikull ai i referohet raportit të OSBE-së pikërisht për zgjedhjet e fundit në Amerikë (në fakt, gjithë raportin mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:

https://www.osce.org/odihr/elections/usa/402401?download=true).

 

Disa nga gjetjet e tija më të rëndësishme vlen të ndahen dhe të krahasohen me situatën tonë dhe raportet e ngjashme të OSBE-së për zgjedhjet tona.

Konstatimi i tij i parë është se për fat të keq pjesa më e madhe e amerikanëve nuk e dinë se OSBE-ja vëzhgon edhe zgjedhjet në Amerikë, por dhe vetë raporti i OSBE-së shpesh nuk merr vëmendjen e madhe të mediave (për dallim nga situata te ne). Dhe këtu ai thekson “shokun” e parë se në fakt në 12 shtete federale – nuk është e lejuar (përkatësisht është e ndaluar) të ketë misione të huaja vëzhguese!?

Pastaj, derisa konstatimet hyrëse të raportit të OSBE-së janë tradicionalisht pozitive dhe të shkruara në mënyrë diplomatike (për shembull, se zgjedhjet kanë qenë konkurruese… edhe kjo na tingëllon e njohur apo jo, nga zgjedhjet tona të dhjetorit të vitit 2016), përafërsisht këtu përfundojnë “lajmet e mira” dhe në pjesën më të madhe të gjetjeve kryesore kritikohen mangësitë e procesit. Për fillim, ka disa vërejtje të mëdha lidhur me listën zgjedhore (regjistrimi i votuesve) dhe realizimin e së drejtës për të votuar. Në raport thuhet se të paktën mbi 11 milionë votues nuk kanë pasur mundësi të votojnë (p.sh. Në Distriktin Kolumbia në Uashington apo mbi 6 milionë të burgosur), por ka edhe një vlerësim se mbi 50 milionë qytetarë me të drejtë për të votuar nuk janë regjistruar fare për këto zgjedhje. Ajo është rreth një të katërt të elektoratit, kështu që numri në Maqedoni prej rreth 40.000 “votuesish fantomë”, nga të cilët pastaj mbi 10.000 vetë u paraqitën për të votuar (dhe doli se nuk janë votues fantomë) e zvogëloi problemin me listën në rreth 1.5% të elektoratit. OSBE-ja bën thirrje për “adresimin e këtyre sfidave afatgjata për sigurimin e një infrastrukture të përshtatshme zgjedhore”. Edhe kjo na tingëllon e njohur, apo jo?

Mënyra e financimit është theksuar si një problem i veçantë dhe theksohet se “mungon një transparencë të plotë”, duke konstatuar se këto zgjedhje kanë qenë më të shtrenjtat deri më tani me shpenzime të treguara prej 5.2 miliardë dollarësh (kjo është më shumë se gjithë buxheti vjetor i Republikës së Maqedonisë) dhe se pjesën më të madhe të shpenzimeve e kanë bërë dy partitë më të mëdha (Partia Demokratike dhe ajo Republikane), duke lidhur atë me frazën e njohur për ne për “terrenin e parrafshët”.

Së fundi, nuk ka komplimente edhe për retorikën e fushatës. Edhe pse flitet për diversitetin e madh të mediave dhe mbulimin e mirë të fushatës që ka mundësuar një vendim të informuar të votuesve, ka vërejtje për retorikën jo tolerante dhe diskriminuese në shumë raste dhe jepet një kujtesë për “rolin esenciale të mediave për raportim të saktë dhe të balancuar”.  Asgjë të re, apo jo?

Raporti është i pasur edhe me konstatime dhe kritika të tjera, por mendoj se keni fituar vizionin dhe krahasimin me realitetin tonë të procesit zgjedhor.

 

Në vend të konkluzionit – dilemë: ose Amerika nuk është më (aq e mirë dhe demokratike) siç ka qenë dikur… ose ne nuk duhet të presim aq shumë nga procesi ynë zgjedhor dhe t’i vlerësojmë në një mënyrë shumë të rreptë mangësitë që ndodhin çdo cikël zgjedhor në një masë më të vogël ose më të madhe (e të cilat, në krahasim me mangësitë që ndodhin në zgjedhjet amerikane, duken si relativisht të vogla dhe të parëndësishme për rezultatin e votimit).

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit