Data e sotme
November 19, 2019

“Perandoria” e korrupsionit dhe e “spektaklit”

Shkruan: Bardhyl Zaimi

 

Ish kryeministri Gruevski mbetet i pakapshëm për organet e drejtësisë. Ai duhej personalisht të pranonte vendimin për nisjen e vuajtjes së dënimit prej dy vjetësh burgim për shpërdorim të detyrës në rastin e blerjes së makinës luksoze qeveritare, në vlerë prej 600 mijë eurosh. Por, duket se ish kryeministri Gruevski e ka shmangur vuajtjen e dënimit, ndërkohë që Gjykata Themelore-Shkupi 1 ka lëshuar fletarrest ndaj tij. Policia, ndërkohë, është vënë në kërkim të Gruevskit, duke “trokitur” në derën e shtëpisë së tij, por duke e zgjeruar kërkimin edhe para selisë së partisë VMRO-DPMNE. Kryeministri aktual, Zoran Zaev ka theksuar se nuk beson që “zotëri Gruevski do ta lejojë një gjë të tillë, të paktën sipas asaj që ka thënë deri më tani”. Mbetet enigmë se ku gjendet ish-kryeministri Gruevski.

Pavarësisht nga epilogu që do të marrë kjo ngjarje, një gjë mbetet e sigurt, që në Maqedoni po duken shenjat e para të funksionimit të drejtësisë, të luftës kundër korrupsionit dhe të funksionimit të institucioneve. Një fletarrest për një ish-kryeministër është tregues se gjërat po lëvizin përpara, pavarësisht nga shumë dobësi që shfaqen në gjithë këtë rrugë për ta çuar prapa grilave Nikolla Gruevskin.

Sigurisht, ky procedim përfundimtar ligjor për ta vuajtur dënimin e shqiptuar nga gjykata, është përcjellë me një lloj glorifikimi të panevojshëm, bile me një lloj spektakli që mbase po e devijon gjithë esencën e ndëshkimit në ovacione turme. Në drejtësi nuk ka vend as për keqardhje e as për urrejtje, drejtësisë i mjafton drejtësia.

Vetë faza përfundimtare e paraqitjes së Gruevskit në burg, sikur u devijua me “informcione” pritjesh përpara burgut të “Shutkës”. Sigurisht, pa e përjashtuar mundësinë e fshehjes ose arratisjes, gjithë ky proces mbase kërkonte një vëmendje më të madhe, në përputhje me epilogun normal që duhej të merrte.

Pikërisht, kjo gjithëprani vëzhgimi që u zhvendosë edhe në rrjetet sociale, po shpërfaq edhe një dukuri tjetër, e cila ndërlidhet me një logjikë bizare partizanie shtirake, që nuk e ka hallin te Gruevski, por tek një lloj servilizmi i radhës tipik siç kemi pasur mundësi ta shohim në kohën e ish kryeministrit, i cili duhet ta vuaj dënimin e keqbërjes së tij.

Filozofi dhe eseisti Gjergj Konrad, thotë se ideologjitë kanë nevojë për urrejtje, për urrejtje të epshme. Pikërisht, këto iracionalitete ideologjike i trajton Korad në librin e tij “Antipolitika”. Dhe, ne tashmë e shohim se “flamurin” e zhurmës publike e mbajnë njerëz që në kohën e qeverisë së Gruevskit heshtnin dhe asnjëherë nuk thanë asnjë fjalë kundërvënëse për regjimin. Përkundrazi, shumë nga ta, përfituan gjatë kësaj kohë, ndërkohë që sot, me shumë “finesë” po marrin rolin e disidentëve.

Padyshim, ky “konvertim” i ri për t’u përngjitur me “fituesit”, me qeverinë aktuale, kërkon ngritje decibelash për të treguar lojalitet, ndërkohë që synimi dhe logjika mbetet po e njëjta: pushteti.

Nikolla Gruevski, është vetëm maja e ajzbergut, siç thuhet, në “perandorinë” e krimit dhe korrupsionit. Një qeverisje dhjetëvjeçare nuk mund të identifikohet vetëm me një njeri qoftë ai edhe kryeministër. Kjo “perandori” mbetet e errët dhe me shumë “matrushka”, të cilët duhet të ndiqen deri në fund për keqpërdorimet e bëra, që llogariten me miliona euro. Ky proces, nuk kërkon spektakël dhe ovacione “partizanësh” që tash duan të përngjiten nëpërmjet “ mllefit që nuk e kanë në zemër”, siç e thotë Shekspiri në një varg te “Hamleti”.

Por, duket se “teatri” politik mbetet i pashmangshëm. Sidoqoftë, një hap është bërë përpara në vendosjen e drejtësisë. Mbetet edhe shumë punë gjithëpërfshirëse për të “shëruar” metastazat e korrupsionit enorm. Rasti “Perandoria”është njëri ndër to. Reformat në gjyqësor mbeten rekomandime të përhershme të BE-së. Në një emision për një televizion nacional, ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar ka theksuar se pret shumë thellim të reformave në fushën e gjyqësorit. Duket se nuk ka vend për “ekzaltime”, pavarësisht nga epilogu që do të marr rasti i Gruevskit.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit