Data e sotme
December 13, 2018

Gruevski nuk u paraqit në burg, por nga Budapesti

  • Nga lider disavjeçar dhe kryeministër shumëdekadësh, Nikolla Gruevski tani ka statusin e refugjatit.

  • Gruevski në Budapest për azil me siguri do t’i drejtohet mikut të tij, kryeministrit hungarez Viiktor Orban.

  • Nëse nuk bëhet fjalë për lojëra të kurdisura politike, a do të japë dorëheqje tani Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski?

  • Profesori Vlladimir Pivovarov thotë se ende nuk është konfirmuar nga Ambasada e Hungarisë se ish-kryeministri ka parashtruar kërkesë për azil.

  • Gruevski nga dita e së hënës u gjet i pari në faqen e fletarresteve të lëshuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 

Shkruan: Svetllana Unkovska

 

Ditëve të fundit kam marrë numër të madh të kërcënimeve për jetën time. Unë jam në Budapest dhe kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do t’i jem besnik kauzës së Maqedonisë. Asnjëherë nuk do të heq dorë”.

Me këtë status të postuar në profilin e tij në Facebook, Nikolla Gruevski ia shkurtoi hallet policisë, e cila dy ditë e kërkonte atë kudo dhe i qartësoi dilemat e këtushme në opinion, nëse është ende në vend ose ka arratisur.

Gruevski në Budapest për azil me siguri do t’i drejtohet mikut të tij, kryeministrit hungarez Viktor Orban. Nga kryeqyteti i Hungarisë ai deklaroi se “gjithmonë do t’i mbetet besnik kauzës së Maqedonisë dhe asnjëherë nuk do të heqë dorë”. Gruevski edhe më parë pretendonte se “nëse ka nevojë do të sakrifikohet për Maqedoninë”, por megjithatë ai hoqi dorë dhe arratisi nga vendi.

Gruevski nga dita e së hënës u gjet i pari në faqen e fletarresteve të lëshuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi Gjykata Penale njoftoi policinë se nuk mund ta gjejë ish-kryeministrin për t’ia dorëzuar vendimin për vuajtjen e dënimit prej dy vjetësh burgim për  rastin “Tank”.

 

 

NGRITJA DHE RËNIA E GRUEVSKIT

Nga lider disavjeçar dhe kryeministër shumëdekadësh, Nikolla Gruevski tani ka statusin e refugjatit. Kështu mund të përshkruhet shkurtimisht ngritja dhe rënia e Gruevskit. Në rastin “Tank”, për blerjen e Mercedesit luksoz në vlerë prej rreth gjysmë milioni euro, gjykata e dënoi atë me dy vjet burgim, por kundër tij zhvillohen edhe disa raste të tjera të cilat i hapi Prokuroria Speciale Publike. Gruevski akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrime zgjedhore,grupim kriminal dhe nxitje të dhunës në rastet “Titanik”, “TNT”, “Trajektorja” dhe “Dhuna në Qendër”.

Një fat të ngjashëm kishte edhe kryeministri kroat Ivo Sanader, i cili, pasi u dënua me dy vjet e gjysmë burg për përfitime ushtarake, u përpoq të arratisej në Austri, por pas një kohe iu dorëzua autoriteteve kroate.

 

KUSH DO TË MARRË PËRGJEGJËSI PËR ARRATISJEN E TIJ?

 

Tani është vetëm e paqartë se si Gruevski thjeshtë ka kaluar kufirin. Përmes kalimeve ilegale, me dokumente të rreme të udhëtimit si Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski në Greqi apo ndoshta është lëshuar me vetëdije të arratiset me ndonjë lloj marrëveshjeje të mëparshme të fshehtë?

Nëse nuk bëhet fjalë për lojëra të kurdisura politike, a do të japë dorëheqje tani Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, për arsye se Gruevski ka arritur të arratisej dhe edhe pse kishte informacione se do të konfirmohet dënimi i tij me burg, ai nuk ka bërë asgjë për ta pamundësuar Gruevskin në realizimin e qëllimit të tij. Nga MPB-ja mbetën të pakapshëm për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve.

Nga partia amë e Gruevski VMRO-DPMNE thonë se nuk e dinë se ku gjendet ai. “Për statusin në profilin e tij në Facebook më kanë thënë kolegët derisa po përgatitesha për konferencën për shtyp. Nuk kam informacione se ku është dhe çfarë po bën”, deklaroi zëdhënësi i partisë Dimçe Arsovski.

As kryeministri Zoran Zaev nuk e di nëse ai është arratisur dhe thotë se duhet të lihen shërbimet për të zgjidhur rastin. “Së pari duhet të konstatohet nëse Nikolla Gruevski është jashtë vendit. Pres që institucionet të përfundojnë punën e tyre pa shkelur të drejtat e tija të njeriut dhe pa shkelur procedurat ligjore”.

Lidhur me ngjarjet e së premtes, kur u mor vendimi se nuk do të ketë shtyrje të dënimit të Gruevskit për burgim dhe u shpall urdhri për arrestimin e tij, Zaev tha se nuk mund të gjejë përgjegjësi te institucionet. “Gjykata ka punuar në të njëjtën mënyrë edhe në këtë rast sikurse edhe rastet e tjera kur u morr vendimi të premten, gjithmonë lihet periudha deri të hënën që i dënuari të paraqitet për të vuajtur dënimin. Policia, pa urdhër, nuk guxonte as të ndiqte, as t’i afrohej Gruevskit, e as të ndërmerrte kurrfarë aktivitetesh në ditët e kaluara. Për këtë duhet të ekzistojnë urdhra gjyqësore. Tani ka një urdhër për fletarrest të lëshuar. Institucionet besoj se do ta kryejnë punën e tyre pa lënduar të drejtat e tija dhe ligjet”.

A DO T’I JAPË HUNGARIA AZIL?

Sipas profesorit Vlladimir Pivovarov, tani për tani ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ai status është me të vërtetë i Gruevskit dhe nuk është konfirmuar nga Ambasada Hungareze nëse ish-kryeministri ka parashtruar kërkesë për azil.

“Duke pasur parasysh çdo gjë që ka ndodhur paraprakisht, duke i dhënë mirënjohje më të larta Kryeministrit të Hungarisë në kohën e aferës “Spiuni”, Presidenti ynë Ivanov ia dha medaljen e meritës dhe me këtë u pa se ka një lidhje midis atij dhe këtij pushteti. Por, nëse i jep azil, unë nuk e di se si Evropa do të vlerësojmë këtë hap, sepse Hungaria është anëtare e BE-së”, thotë  Pivovarov për Inbox7.

Nëse i jepet azil, Pivovarov konsideron se në atë rast nuk do të ketë të drejta dhe drejtësi, të cilat janë parimet themelore të vendeve të BE-së. Ai shton se Hungaria me siguri do t’i marrë parasysh direktivat e BE-së në marrjen e vendimit përfundimtar për rastin e Gruevskit.