Data e sotme
December 12, 2019

Nëse të huajt nuk e ndiqnin situatën në vend ai moti do të shkatërrohej

Faktorët kryesorë politikë assesi të bëhen të mençur dhe të evropianizohen pak. VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja nuk e lëshojnë primitivizmin në komunikimin e ndërsjellë madje edhe kur tema janë interesat më vitale shtetërore

Shkruan: Zoran Ivanov

Tani gjithë opinioni, të gjitha mediat dhe gjithë terreni këtu në rrjetet sociale flasin për mençurinë e Gruevskit dhe për disfatën e institucioneve. Nuk do të ketë përgjegjësi për arratisjen e tij. As nuk do të ketë dorëheqje të mëdha, as spastrime të mëdha. Prandaj, përsëri do të ketë kompromise në dëm të shtetit ligjor. Promotorë do të jenë përsëri dy partitë politike dominuese. Montimet dhe grindjet e tyre të ndërsjella, që zgjasin më shumë dy dekada e gjysmë, deri tani ishin burimet e stagnimit të vazhdueshëm të Maqedonisë në çdo aspekt.

Krizat, krizat politike janë bërë një vazhdimësi jonë kombëtare, një shenjë identifikimi, një shenjë autenticiteti, një imazh i shtetit. Më shumë se dy dekada e gjysmë promotori kryesor i këtyre krizave, nëse përjashtohen incidentet ndëretnike, pa përjashtim janë dy partitë dominuese politike VMRO-DPMNE dhe LSDM.

Romantizmi shtet-formues të zotërinjve ndërpartiak përfundoi në vitin e largët 1993 me konfliktin e tyre të parë më të madh të ndërsjellë. Tema për grindjen e parë më të madhe ishte referenca e IRJM-së. Prej atëherë, domethënë shumë shpejtë pas zgjedhjeve të para parlamentare në vitin 1990, të cilat u mbajtën në ambientin ende romantik të pavarësisë, partitë filluan të matnin muskujt e tyre dhe ta manifestonin në një mënyrë të theksuar padurimin dhe agresivitetin e ndërsjellë.

Dy subjektet partiake, udhëheqësit kryesorë të Maqedonisë, deri në ditën e sotme asgjë të përhershme dhe kapitale nuk kanë planifikuar dhe nuk kanë realizuar vetë. As, rrugë, hekurudhë, shkollë, spital, institucione shëndetësore, gjyqësor të pavarur. Asgjë më të madhe njëzëri nuk kanë bërë për shtetin dhe qytetarët. Përveç që krijojnë grindje me të cilat, si një lloj argëtimi për popullin, kompensojnë varfërinë dhe stagnimin e vendit. Praktikisht asgjë të veçantë dhe jashtëzakonisht të mirë që do të shënonte kronologjia si një investim të tyre më të rëndësishëm të përbashkët në prosperitetin tonë të përgjithshëm.

Praktika e tillë ja po zvarritet deri në ditët e sotme. Për dy dekada e gjysmë nuk kemi dëgjuar as nga njëra as nga tjetra parti të shkëmbejnë së paku një lavdërim për cilëndo punë të mirë që është bërë për shtetin dhe qytetarët e tij. As një gjest mbështetjeje njëra ndaj tjetrës për cilëndo gjë. Madje edhe angazhimet e tyre programore për integrimin euro-atlantike realizohen vetëm nëpërmjet ndihmës së drejtpërdrejtë nga jashtë. Praktikisht asgjë pa të huajt, pa ndërmjetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për pajtim. Pavarësisht nga motivet e tyre, rezulton se ajo është më e interesuar për qëllimet tona strategjike sesa lidershipet tona politike. Por diplomatët e huaj, për fat të keq, nuk janë në listën zgjedhore të Maqedonisë.

Dhe derisa dy faktorët dominues maqedonas politikë, secili në mënyrë të vet dhe egoiste realizojnë interesat e tyre partiake, vendet e tjera të rajonit, me ide gjithashtu të kundërshtuara të pikëpamjeve politike të partive të tyre që ndërrohen në pushtet, po regjistrojnë një progres me shpejtësi. E vetëm një dekadë më parë në rajon ishim pothuajse para të gjithëve. Ishim, por tani, evidentojnë statistikat, sipas të gjitha bazave siç janë ato: ekonomike, teknologjike, investuese, sociale, ligjore, se jemi prapa të gjithëve. Edhe Rumania, edhe Bullgaria, edhe Shqipëria, edhe Mali i Zi janë para nesh. Dhe, nëse është për ndonjë ngushëllim, ndonjë ngushëllim të mjerë, tani për tani vetëm Kosova është prapa nesh.

Por ato, LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në, edhe këto fakte sikur nuk i pengojnë që të vazhdojnë edhe më tej të praktikojnë agresivitetin e ndërsjellë. Pasi që janë në skenën politike që nga fillimi i pluralizmit të Maqedonisë, arsenali i tyre i ndërsjellë për grindje është fjalori i llojit patriotë, tradhtarë, gangsterë, kriminelë. Ndërsa, del se motivet e tyre janë vetëm lufta e thjeshtë për pushtet, për dominim ndaj institucioneve. Konfliktet më të freskëta, të cilat me intensitet të njëjtë zgjasin në vazhdimësi, datojnë nga fundi i vitit 2012. Opozita e atëhershme LSDM, që të mos vazhdonte të bllokonte miratimin e buxhetit, fizikisht si një leckë u përjashtua nga Parlamenti nga ana e partisë qeverisëse VMRO-DPMNE. Dhe atëherë diplomacia evropiane dhe amerikane përsëri intervenuan për të qetësuar elitat tona të grindura partiake. Takime, intervenime, bindje, urgjenca. Ndërmjetësime me qëllim që shteti të sigurojë ndonjë dialog ndërpartiak dhe të paktën institucionet të funksionojnë sadopak në mënyrë të pavarur.

Menjëherë pas kësaj dolën “bombat” dhe u zbuluan bisedat e përgjuara. Ato zbuluan deri në palcë vëllimin e korrupsionit. Zbuluan lakminë e pashembullt të pafund të pushteti të udhëhequr nga udhëheqja e partisë VMRO-DPMNE. Në ato vitet 2015 dhe 2016 në skenën politike të Maqedonisë shpërtheu një përplasje të re edhe më të ashpër ndërpartiake. Një reprizë të grindjeve dhe akuzave të ndërsjella që ishin më të ashpra se kurrë më parë. Ambient i një krize të re shtetërore, edhe më të thellë dhe më të pasigurt. Dhe përsëri, vetë nuk bëmë asgjë. Dhe përsëri të huajt, përsëri, ndërmjetësimet ndërkombëtare dhe përsëri presione nga qendrat e huaja me ndikim. Përpjekjet e tyre rezultuan me marrëveshje të njëpasnjëshme të pajtimit që u nënshkruan në Përzhinë. Ata krijuan kompromise të dukshme dhe ballafaqim të ri me qytetarët.

Dhe pas tyre, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, ndodhën konflikte të reja ndërpartiake të provokuara nga rezultati pothuajse i pazgjidhur zgjedhor. Epilogu është e enjtja e përgjakshme që ndodhi më 27 prill të vitit të kaluar. VMRO-DPMNE-ja nuk mund të pajtohej me statusin opozitar, me faktin se nuk është më pronar i institucionet dhe buxhetit të shtetit. Siç pritej, të huajt edhe këtë herë na pastruan mbeturinat nga sjelljet e dhunshme partiake. Dhe tani, edhe në këtë periudhë aktuale me marrëveshjen me Greqinë, përsëri e njëjta gjë. Përsëri me të huajt. Pa ta, nuk do të ndodhte as Marrëveshja e Prespës, nuk do të kishte as amendamente, nuk do të kishte as shumicë të kualifikuar në kuvend.

Në kalimin e dekadës së tretë nga betejat e tyre ndërpartiake në vazhdimësi, dy forcat e fuqishme politike, LSDM dhe VMRO-DPMNE edhe më tej sillen si fise të Amazonit. Ato, me konfliktet e tyre të ndërsjella permanente, vazhdojnë t’i maltretojnë të huajt e mjerë të cilët befasohen nga ajo se sa janë kapacitetet tona për vetë-degradim dhe sa kemi nevojë për energjinë e tyre që vazhdimisht të na nxjerrin nga primitivizmi ynë.  Dy partitë kryesore politike assesi të bëhen të mençur dhe të evropianizohen pak. Madje edhe kjo kohë e tashme pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës nuk e është një motiv i mjaftueshëm për to për t’u përkushtuar me mençuri integrimeve të realizueshme.

Valën më të freskët të përplasjeve ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së këto ditë e ka shkaktuar egzili i ish-kryeministrit. E njëjta përrallë. Duke akuzuar njëra-tjetrën, shtabet e dy partive ende e bën këtë në një mënyrë sikur ato janë institucionet. Sikur selitë partiake janë për to edhe polici, edhe prokurori, edhe gjykatë. Seti i tyre mendor i edukon se ata janë shteti. Edhe pas tri dekadave të veprimit në skenën politike, sikur ende asgjë të mos u tregojë atyre se ato në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë ose janë në pushtet, kanë përgjegjësi më të madhe për funksionimin e shtetit.

Ja kështu, nga grindje në grindje, krijohen çdo ditë krizat tona autentike. Shfaqjet tona politike si kjo e fundit me hungarezin ose siberianin e ri. As njëra as tjetra struktura politike dominuese nuk arritën të ndërtonin mekanizmat e tyre demokratikë. Në setin e tyre kolektiv mendor partiak, ata ende nuk kanë instaluar standarde etike për të pasur përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe shtetit. Sidomos për të pranuar doktrinën e dialogut të civilizuar elementar ndërpartiak. Të blejnë të paktën diçka nga praktikat e kolegëve të tyre evropianë perëndimorë. Për fillim, të paktën një dialog të kultivuar elementar ndërpartiak për temat e qëllimeve të përgjithshme të zhvillimit të vendit.

Ndonjëherë do të ndodhë edhe kjo. Deri atëherë, le të jenë të gjallë dhe të shëndoshë të huajt të cilët mbrojnë seriozisht vendin tonë.

Pa ta, edhe për një kohë të gjatë, nuk do të mund të arrijmë asgjë.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit