Data e sotme
December 13, 2018

Кomunat harxhojnë, qeveria nënshkruan, qytetarët paguajnë

  • Komuna me borxhe më të mëdha janë Ohri, Tetova dhe Karposhi

  • Qeveria ua shlyen borxhet komunave, Tetova nxitoi me borxhe të reja

  • A do të kenë kapacitet vetëqeverisjet lokale për të dalë nga vrimat financiare ose me këtë u jepet edhe më shumë komoditet në shpenzimet e tyre?  

  • Nga Qendra për analiza ekonomike theksojnë se mbulimi i borxheve të komunave me para të buxhetit është shqetësues

 

Shkruan: Svetllana Unkovska

 

Vetëm dhjetë ditë pasi u miratua rebalanci i buxhetit, me të cilin ndahen rreth 50 milionë eurosh për të mbuluar borxhet e pushtetit lokal, komuna e Tetovës ka vendosur për të marrë kredi për blerjen e autobusëve të transportit publik.

Sipas të dhënave zyrtare, kjo komunë ka borxhe prej rreth 15 milionë eurosh, ose 900 milionë denarësh dhe është e dyta në listën e komunave më borxhe më të mëdha pas Ohrit me rreth 16 milionë eurosh.

Autoritetet e qytetit në Tetovë me para nga Banka Botërore do të blejnë pesë autobusë, me ç’rast, siç reaguan një pjesë e këshilltarëve të komunës, borxhi do të rritet edhe më shumë. Sipas të dhënave të cilat i ka Inbox7, kjo komunë nuk ka marrë kredi deri më tani, kështu që i gjithë borxhi bazohet në faturat e faturuara.

A do të kenë kapacitet vetëqeverisjet lokale për të dalë nga vrimat financiare ose me këtë u jepet edhe më shumë komoditet në shpenzimet e tyre?

 

EKSPERTËT JANË TË QARTË: HAPI ËSHTË DISKRIMINUES NDAJ QYTETARËVE

 

Nga Qendra për analiza ekonomike theksojnë se mbulimi i borxheve të komunave me para të buxhetit është shqetësues dhe me këtë dërgohet një sinjal se është në rregull nëse vetëqeverisja lokale punon në mënyrë të papërgjegjshme. Eksperti ekonomik Marjan Nikollov thotë se pritet që Qeveria të publikojë një raport të detajuar mbi gjendjen financiare të komunave dhe të shqyrtohet nëse është e mundur të shlyhen borxhet e komunave në një mënyrë të ndryshme.

“Cilat janë ato komuna që mund të riprogramohen me një kredi afat-shkurtër nga buxheti i Maqedonisë? Nëse dhe për cilat komuna është e nevojshme të aktivizohen dispozitat e paqëndrueshmërisë financiare në përputhje me kapitullin e Ligjit për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale? Sidoqoftë, kostot e këtyre operacioneve duhet t’i mbulojnë vetë komunat”.

Nikollov shton se me këtë masë, qytetarët dhe kompanitë që rregullisht duhet t’i paguajnë faturat e tyre, po sillen në një pozitë diskriminuese dhe në të njëjtën kohë ata dëmtojnë drejtpërsëdrejti shtetin ligjor.

“Të konstatohet saktë se kush janë ata kryetarë të papërgjegjshme të komunave të cilët nuk kanë paguar detyrimet dhe kanë lejuar grumbullimin e këtyre detyrimeve të papaguara. Cilat janë ato dispozita ligjore të rregullores që janë shkelur dhe të sanksionohen ato, sepse në të kundërtën mënyra e këtillë e grumbullimit të borxheve çon në shkatërrimin e mëtejshëm të shtetit ligjor. Me këtë instrument, kuadrot e papërgjegjshme partiake në rolin e kryetarëve të komunave janë të sigurt se nuk do të ballafaqohen me ligjin”, thotë Nikollov.

 

TEVDOVSKI: BUXHETET E KOMUNAVE JANË PROJEKTUAR NË MËNYRË JO REALE

 

Dhe derisa ekspertët dolën me një numër të madh të kritikave se me këtë nuk zgjidhet problemi e minuseve në buxhetet komunale, Ministri Dragan Tevdovski në konferencën për shtyp tha se me këtë ndihmë të komunave, do të përmirësohet situata financiare dhe do të mundësohet aplikimi i një mekanizmi me qëllim që problemi me borxhet të mos përsëritet më.

Ai deklaroi se arsyeja kryesore për detyrimet e papaguara është projektimi joreal i buxheteve të komunave. “Janë krijuar buxhete shumë të mëdha dhe janë ndërmarrë obligime të cilat pastaj nuk mund të paguheshin. Tani po aplikojmë një mekanizëm me të cilin do të parandalohet kjo gjë. Do të vendosim një rend që të zgjidhet problemi, por edhe që të parandalohet kjo gjë në të ardhmen”, tha ministri.

 

KOMUNAT MË BORXHE MË TË MËDHA JANË OHRI, TETOVA DHE KARPOSHI

 

Komuna më borxhe më të mëdha është Ohri me rreth 20 milionë eurosh, që është pothuajse gjysma e shumës totale që ndahet nga buxheti për sanimin e borxheve.

Por, midis atyre që janë me një bilanc të madh negativ është edhe Komuna e Karposhit. Nuk arritëm ta kontaktonim kryetarin e komunës Stefan Bogoev për të marrë një përgjigje se si do të ballafaqohet me borxhet e akumuluara. Nga kabineti i tij na u përgjigjën se borxhi i përgjithshëm i komunës është rreth 18 milionë eurosh, por pas llogaritjeve dhe konsultimeve të fundit me Qeverinë dhe Ministrinë e Financave, komunës do t’i jepet rreth 4 milionë eurosh.

Prej atje gjithashtu pohojnë se në periudhën e kaluar janë ulur në mënyrë drastike shpenzimet joproduktive dhe shpenzimet e reprezentimit dhe se është shitur edhe pjesa më e madhe e automjeteve zyrtare për sigurim dhe makinerive për grumbullimin e mbeturinave.

Në drejtimin e zvogëlimit të borxheve të buxhetit, i pyetëm ata nëse po mendojnë për të zvogëluar administratën shumë të madhe që është një barrë serioze financiare për komunën.

“Që në fillimin e mandatit është bërë racionalizimi i administratës. Kishte një numër të madh punonjësish me kontratë mbi vepër, të cilët fare nuk kanë ardhur në punë. Kontratat e tyre nuk janë vazhduar, pikërisht si rezultat i faktit se ato kontrata kontribuuan për dëmtimin e buxhetit të Karposhit”, thonë nga kabineti i Bogoevit.

Ndryshe, borxhi i përgjithshëm i komunave është diçka më pak se 100 milionë euro. Përveç Ohrit, Tetovës dhe Karposhit, borxhe të mëdha ka edhe komuna e Kumanovës, ndërsa borxhe më të vogla kanë Vallandova dhe Dojrani.