Data e sotme
November 12, 2019

Pilulat e hidhura

Shkruan: Aleksandar Kërzhalovski

 

Jo, ky tekst nuk do të merret me arratisjen e ish-kryeministrit. Euforia dhe shprehja publike e mllefit nga ky akt, sikur për çdo mrekulli tjetër, ashtu edhe për këtë – nëse jo për tri ditë, fillon të ulet pas dhjetë ditësh dhe ngadalë po u kthehemi temave të tjera të rëndësishme me të cilat u preokupuam para asaj arratisjeje, dhe natyrisht ato tema nuk ikën dhe nuk u zgjodhën vetë, por përkundrazi – ato mbeten në rendin e ditës (agjendë).

Para të gjithash, këtu po mendoj për procedurën për ndryshimin e Kushtetutës. Pas votimit të ndryshimeve të propozuara në të dy komisionet kompetente të Kuvendit, jemi në pritje të debatit publik (i cili ndoshta ka përfunduar pa debat derisa po merreshim me arratisjen), dhe pastaj edhe të seancës plenare të Kuvendit për miratimin e projekt-amendamenteve. Duke pasur parasysh shumicën e nevojshme prej 61 votash në këtë fazë, nuk ka dyshim se partitë në pushtet do të kalojnë këtë fazë, e pastaj vijon edhe pjesa e fundit dhe kryesore e debatit para votimit të dytë (dhe përfundimtar) të projekt-amendamenteve deri në fund të dhjetorit apo, me siguri, në janar.

Për këtë, do të jetë e nevojshme përsëri (si më 19 tetor) një shumicë prej dy të tretash, gjegjësisht 80 vota “për” secilën prej amendamenteve të propozuara. Duka pasur parasysh votimin e parë të këtillë dhe 80 votat e siguruara, duket se po pritet të ndodhë kështu edhe herën e dytë, gjegjësisht tetë deputetët e opozitës edhe këtë herë do të votojnë në mënyrë identike. Pritet se edhe disa deputetë të tjerë do t’i bashkëngjiten shumicës, kështu që nuk duhet të jetë kaq problemi që të sigurohet shumica e nevojshme, siç ishte hera e parë.

 

Por, mënyra në të cilën u arrit deri te numri prej 80 deputetë vonë në mbrëmjen e 19 tetorit, pas shtyrjes së fillimit të seancës tri herë (është dashur të mbahej në orën 11, 15 ose 21), si dhe kushtet të cilat 8 deputetët e opozitës i zbuluan pas votimit, hapën dilema në opinion nëse bëhet fjalë për një votim me bindje personale ose për ndonjë marrëveshje të tyre me pushtetin. Edhe vetë thirrjen e tyre për “dorën e shtrirë të Kryeministrit për pajtim”, në paraqitjen e tyre në Kuvend pak ditë më parë, ka shkaktuar interpretime dhe debate të ndryshme se kush dhe çfarë nënkupton me këtë – nëse pajtim apo falje. Fjala amnisti atëherë shmangej dhe shpejt demantohej se bëhej fjalë për çfarëdolloj amnistie me thirrjen për pajtim, por këto ditë po shohim se jo vetëm që përdoret, por edhe debatohet në mënyrë aktive në lidhje me këtë dhe bëhet relativisht e pakontestueshme se do të ketë ndonjë lloj amnistie, dhe po bëhen shkallëzime apo kategori të ndryshme (nëse vetëm për rastin “27 prilli”, apo më gjerë, nëse vetëm për ata që kanë hyrë në Kuvend, por nuk kanë bërë asnjë dhunë ose për të gjithë pjesëmarrësit në ngjarjet e asaj dite, etj.). Arratisja e Gruevskit vetëm “hodhi benzinë në zjarr” me teoritë e shpejta (të konspiracionit) se edhe ajo është pjesë e marrëveshjes për 8 votat në Parlament.

 

Partia opozitare akuzon për një tentativë për drejtësi selektive (me një marrëveshje aluzion – amnisti në këmbim të votave, vetëm për ata deputetë që kanë votuar “për” Marrëveshjen e Prespës) dhe kërkon amnisti të plotë. Nga ana tjetër, mbështetësit e partisë qeverisëse LSDM, sidomos pjesëmarrësit në “revolucionin laraman”, në të cilin një vend të rëndësishëm kishte sloganin “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, refuzojnë të pranojnë cilindo mendimin për çfarëdolloj amnistie. Ata mendojnë se procedura për ndryshimet kushtetuese nuk duhet të jetë me çdo kusht dhe me qëllim të “shmangies ose ikjes nga drejtësia”, gjegjësisht mundësimi që të lirohen nga ndjekja penale të gjithë ata që morën pjesë në ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 dhe konstatimi i fajit të tyre në të (dhe gjithsesi edhe shqiptimi i dënimeve përkatëse më pas). Për më tepër, disa prej tyre mendojnë se nuk mund të shkohet në BE dhe NATO me shkeljen e parimeve të sundimit të ligjit dhe të drejtësisë.

Sidoqoftë, ky argumentimi më kujtoi për debatet e verës për Marrëveshjes së Prespës dhe veçanërisht për fushatën e referendumit. Vetëm, atëherë këto argumente të njëjta i përdornin ata që ishin kundër Marrëveshjes së Prespës.

 

Gjegjësisht, përveç arsyeve patriotike/nacionaliste (në kuptim të sloganit “emrin nuk e japim”) ose lojalitetit partiak (me kalimin e kohës, midis nënshkrimit dhe referendumit, kishte një homogjenizim të dukshëm sipas përkatësisë partiake, përkatësisht një bashkëngjitje drejt qëndrimit të partisë në të dy kampet, thënë kushtimisht “për” dhe “kundër” marrëveshjes), kishte edhe argumente të cilat kundërshtoheshin se përmbajtja e Marrëveshjes së Prespës nuk është në përputhje (e ndoshta është në kundërshtim, përkatësisht shkel) disa nga vlerat themelore evropiane. Për shembull, sundimi i ligjit – Marrëveshja e Prespës nuk merr në konsideratë (edhe pse u referohet atyre), e në disa pjesë është edhe në kundërshtim me marrëveshjen e mëparshme me Greqinë (prej vitit1995), aktvendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, si dhe vetë Kartën e Kombeve të Bashkuara. Pastaj, drejtësia – nuk është i drejtë, nga mosrespektimi tashmë i përmendur i aktgjykimeve të marra, deri te asimetria (dispozitat për të cilat obligohet Maqedonia, nuk vlejnë për Greqinë). Për mosrespektimin e së drejtës për vetëvendosje tashmë secili e ka të qartë, edhe pse, interesante – Qeveria greke “mbrohet” pikërisht me këtë parim, sipas të cilit nuk mund të na ndalonte që ta përdorim emrin e gjuhës (dhe prandaj “ka bërë lëshime” për këtë pikë), por ja – ajo mund të na ndalonte të drejtën për emrin e shtetit sipas të njëjtit parim. Më në fund, i gjithë ky rast, por  edhe vetë marrëveshja mund të klasifikohet si një shembull klasik i diskriminimit, për të cilën gjë besoj se do të pajtohen edhe autoriteteve më të lartë të asaj fushe te ne – sipas definicionit evropian të diskriminimit, Maqedonisë i është mohuar e drejta e asociacionit/bashkimit (në këtë rast – pranimi për anëtarësim në BE dhe NATO), jo për shkak të arritjeve (Komisioni Evropian ka rekomanduar nëntë herë fillimin e negociatave – domethënë kemi plotësuar kriteret për atë), por për shkak të ndonjë karakteristike personale (në këtë rast grupore/kombëtare) (emri i shtetit/kombit/komunitetit shumicë etnik). Edhe unë pajtohem se këto janë argumente shumë të vlefshme (dhe evropiane) kundër marrëveshjes.

 

Në atë periudhë shpesh dëgjohej fraza se Marrëveshja e Prespës është “një pilulë të hidhur” të cilën ne duhet të gëlltitim që t’i arrijmë qëllimet strategjike për anëtarësim në BE dhe NATO. Gjegjësisht, ata që përdornin (duke përfshirë edhe herë pas here vetë pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në negociatat) konsideronin se marrëveshja është nuk është më e favorshme, se është larg nga ideale, por se nuk mund të arrihej një marrëveshje më të mirë në këtë moment të historisë dhe se duhet të pranohet që të shkohet më tej. Dhe këtu mendoj se ishte shkelja kryesore te secili prej nesh individualisht gjatë votimit në referendum – nëse ta gëlltisim pilulën e hidhur që të “shërohemi” si shoqëri dhe t’u bashkohemi aleancave perëndimore evropiane ose të kërkojmë një tjetër zgjidhje ose “ilaç”. Unë personalisht dola për të votuar (sepse mendoj se edhe kjo është një nga vlerat evropiane – të marr pjesë personalisht në zgjedhjet dhe në këtë mënyrë edhe në marrjen e vendimeve), por mendoja se është shumë e hidhur pilula për të votuar “për” ose me fjalë të tjera nuk ishte e pranueshme për mua që “të shkojmë në BE, në një mënyrë jo evropiane”.

 

Disa muaj më vonë, interesante, duket se në një situatë të ngjashme gjendet pjesa më e madhe e njerëzve të cilët më 30 shtator vendosën të dalin dhe të votojnë “për Maqedoninë evropiane”. Tani ata janë përballur me të njëjtën dilemë, nëse çmimi për votimin e  Marrëveshjes në Parlament është amnistia (për cilëndo gjë – nga pjesëmarrja në turmën më 27 prill, nëpërmjet “krimeve të regjimit”, deri te hapja e famshme e dyerve të Kuvendit – përkatësisht nëse deputetët që hapën dyert e kuvendit më 27 prill, do të falen/amnistohen, për të hapur portat e Evropës me votimin e tyre). Dhe a do të jetë kjo e pranueshme për ta, ose do të jetë shumë e hidhur pilula për gëlltitje. Paraqitjet publike në një masë të madhe (nëse jo plotësisht) janë në anën e mospranimit të një “marrëveshjeje” të tillë. Dhe është e qartë, sepse me një veprim të tillë do të shkelte parimin e sundimit të ligjit… apo njësoj si më lartë – do të shkohet në BE me shkeljen e vlerave evropiane. Unë mund t’i kuptoj edhe ata, edhe për mua është e papranueshme një zgjidhje të tillë.

 

Por, kur tashmë u vazhdua me ndryshimet kushtetuese, pavarësisht rezultatit të referendumit, duket se Qeveria është e vendosur të përmbushë pjesën e saj të obligimeve dhe të bëjë gjithçka që është e nevojshme, që edhe ato ndryshime të miratohen në Kuvend, edhe nëse kjo do të thotë një lloj amnistie për dikë (sidomos për një pjesë të atyre tetë deputetëve nga opozita që tashmë votuan “për”). E ndoshta kjo është një gjë e mirë – kur tashmë është gëlltitur pilula e hidhur pas referendumit, duhet të gëlltitet edhe kjo – për të njëjtin qëllim, që më në fund të bëhemi pjesë e BE-së dhe NATO-s (dashakeqët do të thoshin “nëse nuk jeni për amnisti, do të thotë nuk jeni për BE-në dhe NATO-në). Në fund të fundit, Komisioni i formuar për pajtim tashmë është duke punuar në këtë gjë dhe është paralajmëruar një lloj propozimi në këtë drejtim kah mesi i dhjetorit. Do të vijë shpejt dhjetori dhe do të shohim.

 

Ndoshta e gjithë kjo do të jetë për të mirë. Unë nuk jam shumë i bindur në korrektësinë e procedurave (edhe gjatë lidhjes së marrëveshjes edhe gjatë referendumit, sikurse tani për një amnisti eventuale), por ndoshta me të vërtetë do të çojë drejt një lloj të pajtimit – sikurse duhet Marrëveshja të na “pajtojë” neve me Greqinë, ashtu me “faljen” eventuale  (për 27 prillin ose më shumë se ajo) do të pajtohen kampet e grindura partiake (dhe jo vetëm partiake) në vend. Ose siç do të thoshte kancelarja Merkel “është mirë, kur të dyja palët janë njësoj të pakënaqur”, gjegjësisht kur edhe njëra palë edhe pala tjetër do të gëlltisë pilulën e saj të hidhur!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit