Data e sotme
November 12, 2019

Policia

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Të nderuar bashkëqytetarë të mi, funksionimi i çdo qeverie është i mundur vetëm me formimin e ministrive në kuadër të Qeverisë, të cilat duhet të mundësojnë funksionalitetin e shtetit dhe t’i shërbejnë popullit.

Sot dua të shkruaj veçanërisht për Ministrinë e Punëve të Brendshme, por kjo nuk do të thotë se ministritë e tjera janë më pak të rëndësishme, por të fillojmë me radhë.

Policia në jetën e përditshme është elementi më i fortë i cili duhet të garantojë sigurinë dhe pronën e qytetarëve dhe zbatimin e ligjeve ashtu siç janë të shkruara, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Ngjarjet e fundit të lidhura me arratisjen e ish-funksionarëve duhet të sanksionohen. Persona të caktuar duhet të japin dorëheqjet e tyre. Këtë nuk e them vetëm unë, këtë e thotë vetëdija e çdo qytetari të ndershëm, i cili dëshiron të jetojë në një shtet ligjor ku sundon ligji.

Unë sot do të t’i referohem temës, që ndoshta në shikim të parë është beninje, për rolin dhe vendin e policisë në jetën e përditshme, por për fat të keq realiteti është shumë i vrazhdë.

Një pjesë e opinionit e di, e një pjesë ndoshta nuk e di se unë luaj futboll dy herë në javë. Në javën e fundit ndodhën dy thyerje të xhamave të automobilave në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend.

Jam i bindur se policia di për këto ngjarje, por unë si qytetar nuk mund të ndiej se është ndërmarrë një masë për këtë problem dhe nuk ndjehem i sigurt.

Ndërsa, gjatë çdo largimi tim nga fusha ndihmëse e KF Rabotniçkit,  çdo herë na pret policia e trafikut me nja dy automjete, me 5-7 policë.

Po pyes hapur, pse 7 policë të më kontrollojnë mua gjatë çdo largimi tim nga stadiumi i qytetit, nga aspekti nëse kam pirë diçka dhe nëse kam dokumentacionin e rregullt, ose policia e trafikut fshihet në pikat ku duhet të gjobojë njerëz për vozitje shumë të shpejtë, ndërsa njëkohësisht pjesa tjetër e policisë i lë hapësirë të hapur paligjshmërisë.

Deri kur kështu? Kam jetuar në ish-shtetin në të cilin kemi pasur policë të mëhallës, të cilët i njihnin saktë të gjithë banorët e asaj mëhalle dhe ishin në funksion t’i ndienin si pjesë e familjes së mëhallës. Cili është porosia? Porosia është BESIMI. Besimi është diçka që as nuk blihet, e as shitet, por fitohet, por SI? Ja një shembull, e ju vetë merrni konkluzion.

Biri më i vogël përfundoi klasën e katërt në një shkollë austriake, para kthimit tonë në Republikën e Maqedonisë. Çdo muaj fëmijët e klasës së tij kishin takime me policë me uniforma, qoftë në shkollë, qoftë në hapësirat e policisë, me qëllim që të fitohet besimi se ai është njeriu me uniformë i cili ia garanton sigurinë. E, kështu ngadalë, por me siguri fitohet BESIMI ndaj njeriut me uniformë. Ndërsa tek ne, uniforma do të thotë një lloj frike se mund të jesh i ndëshkuar ose i ndaluar. Besimi i qytetarit në policin me uniformë është humbur.

Po pyes më hapur, si mund të më bindin personat kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme se jetoj në një shtet të sigurt dhe ligjor.

Unë jam i bindur se këtë ndjenjë nuk e kam vetëm unë, por një numër të madh të bashkëqytetarëve të mi.

E di se një numër i madh i eshalonëve të lartë në polici do të gjejnë një pretekst të mos pajtohen me mua, e unë do t’i porositja; që të dëgjojnë popullin e vet se çfarë mendon ai për ta, le të zbriten në mes të popullit dhe do të dëgjojnë.

Kështu, të mbrojtur me imunitet dhe të drejta për vendimmarrjen e tyre, bëjnë të kemi një vizion se jetojmë në një shoqëri të të privilegjuarve dhe të margjinalizuarve.

I bëj apel këtij pushteti qendror dhe autoriteteve të ardhshme qendrore se ndjenjën e sigurisë së qytetarit duhet ta vendosin në vendin e parë të agjendës së tyre.

Nëse nuk dimë të krijojmë një sistem të tillë, atëherë propozoj që të marrim një shembull nga vendet e zhvilluara dhe ta zbatojmë atë, në përputhje me kulturën, traditën dhe resurset tona.

Më e rëndësishmja është që kjo Ministri aq e fortë dhe e nevojshme të mos keqpërdoret për përplasje ditore politike.

Policia duhet patjetër t’i shërbejë popullit, ndërsa populli është ai i cili do ta vlerësojë punën e suksesshme ose të pasuksesshme të çdo individi të veçantë, i cili ka ndërmarrë këtë obligim që të veprojë dhe të punojë në interes të qytetarëve.

Shpresoj se këtë kolumnë të shkruar ministria e resorit nuk do ta kuptojë si kritikë, por si një udhërrëfyes se si duhet të funksionojë ajo.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit