Data e sotme
December 13, 2018

Shumë masa, pak rezultate: edhe një tjetër sezon për mbytje

  • Banorët e Shkupit tashmë një kohë të gjatë dëgjojnë premtime të njëjta, por çdo dimër ballafaqohen me të njëjtin dëshpërim.
  • Nga Qyteti i Shkupit thonë se shtator dhe tetor të këtij viti janë shqiptuar 269 gjoba mandatore për ndotësit, që është dyfish më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
  • Qytetarët ankohen se nuk ka transport ekologjik publik, ndërsa shoqatat përkujtojnë autoritetet për premtimet e parealizuara.

 

Shkruan: Teodora Cvetkovska

 

Përqendrimet e lejuara maksimale të grimcave PM10 në ajrin ambiental në Shkup tejkalohen vazhdimisht në dy muajt e fundit. Statistikat në faqen e Ministrisë së Mjedisit tregojnë se ky muaj nuk ka pothuajse asnjë ditë kur këto vlera kufitare nuk janë tejkaluar. Në disa komuna të kryeqytetit, grimcat kancerogjene u rritën deri në 200 mg për metër kub, që është katër herë më shumë se kufiri i lejuar.

Me vite të tëra Shkupi ballafaqohet me këtë problem dhe i njëjti problem aktualizohet me fillimin e nëntorit, kur ndotja fillon të bëhet një problem serioz për jetën e përditshme.

Banorët e Shkupit tashmë një kohë të gjatë dëgjojnë premtime të njëjta, por çdo dimër ballafaqohen me të njëjtin dëshpërim. Nëpërmjet rrjeteve sociale, ata publikojnë çdo ditë fotografi në të cilat shihet qartë dukuria e reve të dendur. Në postimet e tyre ata shkruajnë se janë të shqetësuar që edhe këtë vit vendi ynë gjendet në vendin e pestë të lartë të vendeve më të ndotura në botë.

 

RRITET NUMRI I GJOBAVE, POR JO EDHE VETËDIJA

 

Nga Qyteti i Shkupit thotë se ndjekin të gjitha instalimet industriale që kanë marrë nga qyteti B lejen e integruar ose një elaborat të harmonizuar për mbrojtjen e mjedisit.

“Gjatë kësaj periudhe janë vizituar të gjitha kapacitetet që punojnë me B lejen e integruar, ndërsa shërbimet e inspektimit punojnë në dy ndërrime. Aktivitetet dhe kontrollet e përforcuara të Inspektoratit të Qytetit të Shkupit rezultuan me një rritje drastike të numrit të gjobave mandatore, si dhe me veprimin preventiv ​​me sugjerime të qytetarëve se si deponohen mbeturinat komunale dhe ku duhet të çohen dhe të deponohen mbeturinat e llojit të mbeturinave ndërtimore dhe mbeturinave të rënda”, shkruan në përgjigjen me shkrim të cilën e ka marrë redaksia jonë.

Sipas të dhënave zyrtare, Qyteti i Shkupit në shtator dhe tetor të këtij viti ka shqiptuar 269 gjoba mandatore. Një pjesë prej tyre janë dërguar te përmbarues për pagesë,  ndërsa pjesa më e madhe është në formën e kryerjes së punës së dobisë së përgjithshme. Po ashtu janë shqiptuar edhe 200 paralajmërime preventive për personat fizikë dhe juridikë. Autoritetet e qytetit thonë se kjo është një rritje e gjobave të shqiptuara për 100 për qind në krahasim me këta muaj të vitit të kaluar.

 

ASSESI TË KEMI NJË TRANSPORT MË EKOLOGJIK PUBLIK

 

Kompania “Cheliot Motors”, në prill të këtij viti i dha Qytetit të Shkupit një autobus elektrik për përdorim provues për një periudhë 6 mujore.

Kryetari i Qytetit Petre Shilegov tha se me këtë pilot-projekt do të mund të shohin qytetarët, por edhe Qyteti, se si funksionojnë këta autobusë dhe se Qyteti ende nuk ka vendosur se çfarë lloj automjetesh ekologjike do të blihen.

Siç thanë përfaqësuesit e kompanisë, për një ditë vozitje përgjatë Shkupit, autobusi elektrik do të shpenzojë energji elektrike prej 21 eurosh, që është shumë më pak se shpenzimet për karburantin e naftës të autobusëve dykatëshe, të cilat janë 121 euro për në ditë. Një autobus elektrik, të cilin e prodhon kompania, kushton rreth 500.000 eurosh.

Pilot projekti i këtillë nuk vazhdoi me blerjen e autobusëve të rinj elektrikë, por gjithçka që fituan qytetarët janë autobusë të cilët janë të vjetër dhe prishen shpesh, sepse në shumicën e rasteve autobusët dykatëshe nuk janë më në funksion.

 

Dhe sa i përket përdorimit të biçikletave, nuk ka asnjë përparim. Snezhana Domazetovska nga Shoqata “Me biçikletë” për Inbox7 deklaroi se nuk ka zgjerim të rrjeteve që punojnë për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për përdorimin e biçikletës si një mjet transporti.

 

Nga Qyteti i Shkupit thonë se po punojnë për të përmirësuar ose për të ndërtuar një infrastrukturë të re për biçikleta.

“Promovimi i çiklizmit është një tjetër sferë në të cilën punon Qyteti, përmes përmirësimit të kushteve dhe ndërtimit të një infrastrukture të re për biçikleta. Stimulojmë qytetarët për të blerë biçikleta të reja, kështu që vetëm në vitin 2018 Qyteti i Shkupit dha 3.119 subvencione për këtë qëllim. Qyteti i Shkupit për herë të parë shpalli një thirrje publike për subvencione për blerjen e trotineteve elektrike, ku ne do të subvencionojmë 50 për qind të çmimit të trotinetit, por jo më shumë se 10.000 denarë”, thonë nga Departamenti për Marrëdhënie me Opinionin i Qytetit të Shkupit.

 

SHOQATAT AKTIVE PËR ULJEN E NDOTJES

 

Eli Peseva nga Shoqata “Koalicioni për ajër të pastër”, në bisedë me Inbox7, thotë se me sa duket premtimet nuk janë realizuar. Sipas saj, faji nuk duhet të kërkohet vetëm te kryetari i komunës, por edhe te institucionet e tjera, sidomos te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Inspektorati Shtetëror dhe shërbimet komunale.

Lejuan të kalojë gjithë viti me atë që përsëri i pritëm vjeshtën dhe dimrin të papërgatitur. Një pjesë shumë e vogël e premtimeve dhe aktiviteteve janë nisur, shumica nuk janë as në fillim. Kemi edhe një përkeqësim të gjendjes, sidomos në segmentin në Vodno, e cila në vend që të mbrohet, do të shkatërrohet, në vend që të kemi më pak trafik po bëhen plane për rrugë të reja me të cilat do të lehtësohet trafikun drejt/prej qendrës”, tha Pesheva.

Ajo mendon se zgjidhja e këtij problemi do të jetë jashtëzakonisht e vështirë.

“Me vite të tëra kemi një sjellje inerte që shkaktoi një përkeqësim të situatës dhe sot në vend se të kemi masa të përcaktuara dhe të qarta për të zgjidhur problemin në terren menjëherë, ne tani do të kemi organizim të konferencave, analizave dhe storjeve për metodat dhe qasjet shkencore”,  thotë Pesheva.

Shoqatat dhe aktivistët thonë se që të sigurohet një mbrojtje efikase të shëndetit dhe mjedisit nevojitet një koordinim urgjent të inspektimeve të mjedisit. Veçanërisht është alarmante situata në Shkup, ku, sipas tyre, veprojnë madje tri nivele të inspektorateve (ai i shtetit, i qytetit dhe i komunës), por rezultati është i pakënaqshëm.