Data e sotme
December 13, 2018

Shteti pa komision kundër korrupsionit – parajsë për politikanët

  • Dragan Malinovski, ish-anëtar i KSHPK-së, thotë se nuk mund të presim komente pozitive në raportin e Komisionit Evropian.
  • “Ish Komisioni kundër korrupsionit nuk funksiononte, tani nuk kemi fare komision”, thotë ish-anëtari i komisionit, Arif Musa.
  • “Është dashur të veprohej menjëherë dhe në bazë të Ligjit të vjetër të emërohen anëtarë”, thekson Sllagjana Taseva.
  • Përveç Komisionit kundër korrupsionit, është dëmtuar edhe KOMPSI-ja – nga muaji maj nuk ka kush të vendosë për lëndët sepse momentalisht Komisioni, përveç kryetarit, ka vetëm një anëtar.

 

Shkruan: Bjanka Stankoviq

 

Tashmë nëntë muaj në funksionon një nga institucionet më të rëndësishme për luftën kundër korrupsionit në Maqedoni – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Pesë anëtarë në mars të këtij viti dhanë dorëheqjet e tyre pas informacionit për shpenzimet e tyre të udhëtimit, të cilin e publikoi portali “Sakam da kazham” (Dua të them). Tani në komision janë vetëm dy anëtarë, Suzana Taskova Axhikotareva dhe Najdo Spasevski. Për ta, ky informacion nuk ndikoi që ata të lëshojnë Komisionin kundër korrupsionit.

 

RADHËN E KA KUVENDI

 

Kryeministri Zoran Zaevintervistën e fundit në Alsat-M tha se Qeveria ka miratuar Ligjin e ri për Komisionin kundër korrupsionit, ai është dorëzuar në Kuvend dhe është duke u zhvilluar procedura për miratimin e tij.

“Qeveria tregon dëshirën për ta përfunduar atë dhe ajo do të përfundohet në periudhën më të shpejtë të mundshme. Sapo Parlamenti e miraton ligjin, anëtarët do të zgjidhen menjëherë dhe do të formohet komisioni me një legjislacion të ri që është në një koordinim të plotë me Komisionin e Venecias, me Delegacionin evropian dhe janë përfshirë të gjitha dobësitë të cilat i kemi konstatuar më parë”, theksoi kryeministri.

 

Në pyetjen se deri ku është procedura për miratimin e ligjit të ri për Komisionin kundër korrupsionit, nga Kuvendi thonë: “Ai është në lexim të parë në Kuvend, leximi i parë kaloi në sistemin politik, ndërsa të hënën do të gjendet para komisionit ligjdhënës juridik”.  

 

“PUSHTETIT I KONVENON TË MOS KETË KOMISION KUDËR KORRUPSIONIT”

 

Ekspertët thonë se shteti nuk guxon të lejojë një periudhë të gjatë pa një trup funksional i cili do të luftojë korrupsionin. Edhe pse duket se ekziston një mënyrë se si të zgjidhjet situata, duket se tashmë për disa muaj lihet pas dore domosdoshmëria e këtij trupi në shtet.

Sllagjana Taseva nga “Transparency International” thotë se ka pasur një opsion për të emëruar anëtarë në mënyrë që të mos mbyllet institucioni. Sipas saj, Komisioni nuk mund të punojë formalisht nëse nuk ka mjaft anëtarë, dhe në të njëjtën kohë, të gjitha vendimet merren nga shumica e anëtarëve. Taseva thekson se në asnjë rast nuk është dashur të lejohej që KSHPK-ja të mbetet i zbrazët, gjegjësisht pa anëtarë.

“Është dashur të veprohej menjëherë dhe në bazë të Ligjit të vjetër të emërohen anëtarë, pastaj të punohet për një ligj të ri dhe të presim zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit sipas Ligjit të ri”, tha Sllagjana Taseva.

Arif Musa, një ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, thotë se mosekzistimi dhe mosfunksionimi i këtij institucioni është një dëm i madh për vendin dhe një lëshim i madh i kësaj qeverie. Me të njëjtin qëndrim si Taseva, Musa mendon se pushteti nuk sheh nevojën për ekzistimin e këtij trupi.

Ish-Komisioni kundër korrupsionit nuk funksiononte, tani nuk kemi fare komision. Në fakt, pushtetit i konvenon të mos ekzistojë ky institucion. Vazhdon skema e njëjtë sikur me pushtetin e vjetër, ashtu edhe me pushtetin e ri, sa më pak kontroll – aq më mirë. Dallimi midis tyre është se është bërë njëfarë përparimi në lidhje me Marrëveshjen me Greqinë”, shpjegon Musa.

Ai shton se pushteti nuk mund të mbështetet vazhdimisht mbi Marrëveshjen me Greqinë, si një arsyetim për zbatimin e ngadalshëm të reformave të tjera në vend.

“Kjo qeveri ndoshta mendon se do ta tërheqë vëmendjen e opinionit me ndryshimet kushtetuese që lidhen me Marrëveshjen me Greqinë, por kjo është vetëm një segment. Përveç kësaj, duhet të funksionojnë edhe organet e tjera në shtet, sepse ato nuk varen nga vetë marrëveshja, për shembull administrata shtetërore. Gjegjësisht, duhet të kemi organe kontrolli, sidomos Komisioni Kundër Korrupsionit, Enti Shtetëror i Revizionit, Prokuroritë, të cilat do të funksionojnë ashtu siç duhet”, shton ish-anëtari i Komisionit kundër korrupsionit.

 

 

EDHE FAQJA E INTERNETIT TË KSHPK-SË NUK FUNKSIONON NJË KOHË TË GJATË

Publikimi i fundit në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është njoftimi me rastin e vendimit të miratuar për shpalljen e referendumit. Prej atje njoftojnë  se “Komisioni nuk ka bazë ligjore për të vepruar dhe për të vendosur për kërkesat dhe fletëparaqitjet e dërguara nga subjekte të ndryshme lidhur me procesin e mbajtjes së referendumit”.

Paraprakisht ka pasur disa publikime në lidhje me misionin e sistemit për parandalimin e konflikteve të interesave, njoftim për një ngjarje, trajnim, panel diskutim të përfunduar. Njoftimi për opinionin nga 29 mars i këtij viti është dhjetë ditë pasi Kuvendi miratoi vendimin për shkarkimin e anëtarëve të KSHPK-së. Ata thonë në njoftimin se Komisioni nuk do të ketë mundësinë të veprojë dhe të vendosë për kërkesat dhe fletëparaqitjet e dërguara nga palët, por Sekretariati si një shërbim profesional do të veprojë dhe do të kryejë punët administrative dhe teknike të KSHPK-së.

 

PRITEN KRITIKA NGA BRUKSELI

Në mars të vitit të ardhshëm pritet raporti i Komisionit Evropian (KE) për progresin e bërë të Republikës së Maqedonisë në lidhje me reformat që ajo duhet t’i zbatojë nëse dëshiron t’i fillojë negociatat për pranim në Bashkimin Evropian (BE).

Dragan Malinovski, ish-anëtar i KSHPK-së në periudhën nga viti 2002 deri në vitin 2007, thotë se nuk mund të presim komente pozitive në raportin e Komisionit Evropian.

“Në çdo rast nuk do të marrim lëvdata, e as nuk mund të presim. Megjithatë, po flasim për Republikën e Maqedonisë, e cila padyshim është renditur keq lidhur me çështjen e korrupsionit, dhe të mos keni ende një komision funksional, kjo me të vërtetë nuk është për të lavdëruar”, tha Malinovski.

Sllagjana Taseva thotë se edhe pse është ende herët të flitet për raportin e KE-së, megjithatë mendon se shumë pika do të jenë zhgënjyese.

“Shpresoj për një raport real dhe objektiv nga Komisioni Evropian. Në fakt, ka shumë çështje që nuk janë realizuar dhe presin, duke filluar nga gjyqësori dhe prokuroria, si dhe mosveprimi në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi. Pushteti ka shumë punë deri në muajin mars, nëse duam të marrim të paktën një raport pak pozitiv, i cili do na të sigurojë fillimin e negociatave”, – shton ajo.

Nëse Kuvendi nuk e kalon Ligjin e ri për Komisionin Kundër Korrupsionit për një kohë të shkurtër, kjo do të thotë një ëndërr dimërore për Komisionin me dy anëtarët e saj dhe Sekretariatin. Kjo situatë do ta vendosë shtetin në rrezik të thellimit të korrupsionit. Ndërkohë, lufta mbetet në duart e gazetarëve dhe organeve të pavarura.

 

 

EDHE KOMSPI ËSHTË DËMTUAR

Lëndët të cilat duhet t’i zgjidhë Komisioni për mbrojtjen e së drejtës për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik janë të bllokuara në katër muret e Komisionit. Edhe ato po ballafaqohen me të njëjtin problem si Komisioni Kundër Korrupsionit. Gjegjësisht, që nga muaji maj nuk ka kush të vendosë për lëndët sepse momentalisht Komisioni, përveç kryetarit, ka vetëm një anëtar. Për funksionimin e duhur nevojiten një kryetar, një zëvendës-kryetar dhe tre anëtarë. Burimet e Inbox7 thonë se nuk ka vullnet as te pushteti as te opozita, ndërsa procedura për emërimin e anëtarëve të rinj është bllokuar në labirintet e Kuvendit.

Kemi kërkuar kryetarin Blerim Iseni, por na u përgjigjën se kryetari nuk është në punë për shkak të festës “Dita e alfabetit shqiptar”.