Data e sotme
December 13, 2018

Regjistrimi ende nuk ka filluar, por e ka nxehur atmosferën

  • Propozimi që në regjistrimin në vitin 2020 të hiqen kolonat e përkatësisë etnike dhe fetare vjen nga Enti Shtetëror i Statistikës.
  • LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, BESA dhe bashkësitë më të vogla etnike janë njëzëri kundër – duhet të ketë kolonë për përkatësinë etnike dhe fetare.
  • Në vend që të jetë një operacion statistikor, regjistrimi në Maqedoni është një kalkulim politik.

 

Shkruan: Svetllana Unkovska

 

Edhe pse në shumë vende të zhvilluara regjistrimi është një operacion normal statistikor, në Maqedoni ai nuk kalon pa përplasje politike. Me një vonesë prej dhjetë vjetësh, regjistrimi i ardhshëm parashihet të zbatohet për rreth dy vjetësh. Si në vitin 2011, edhe këtë herë ky operacion tashmë ka filluar të nxehë atmosferën në Maqedoni. Me modelin e ri të regjistrimit propozohet të mos ketë kolonë në të cilën qytetarët do ta shprehnin përkatësinë e tyre etnike dhe fetare, por vetëm pyetje të lidhura me gjuhën të cilën e flasin.

Pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive politike VMRO-DPMNE dhe BDI, të cilat në vitin 2011 ishin në pushtet, u dështua regjistrimit. Për këtë rast, Prokuroria Speciale Publike (PSP) ka hapur një lëndë kundër liderit të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe atij të BDI-së, Ali Ahmetit për shkak të vendimit që ta ndërpresin regjistrimin, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin për rreth tre milionë eurosh.

 

ESHS: NUK DO TË LEJOJMË POLITIZIMIN E REGJISTRIMIT

 

Propozimi që në regjistrimin në vitin 2020 të hiqen kolonat e përkatësisë etnike dhe fetare vjen nga Enti Shtetëror i Statistikës. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Apostoll Simovski, të dhënat për përkatësinë e një populli nuk kanë asnjë vlerë të përdorshme dhe janë të dobishme për keqpërdorime politike. Prandaj, siç thotë ai, në vend të pyetjeve rreth përkatësisë etnike dhe fetare, do të ketë dy pyetje – cila është gjuha juaj amtare dhe cilën gjuhë e flisni në familje.

Nuk ka pasur regjistrim që nuk ka qenë objektiv i politizimit, ndërsa më së shumti politizohet komponenti etnik. Prandaj jemi të gatshëm që të heqim dorë nga ndonjë aspekt, por nuk do të lejojmë politizimin. Më lejoni t’ju kujtoj, ky është një operacion statistikor. Sipas Kushtetutës sonë, të drejtat e një grupi të caktuar qytetarësh rrjedhin nga gjuha të cilën e flasin, e jo nga përkatësia etnike”, thotë Simovski.

Ish-drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës, Donço Gerasimovski thotë se pyetjen për përkatësinë etnike e kishte në të gjitha regjistrimet paraprake, por në pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara kjo pyetje shmanget.

Është e nevojshme që paraprakisht të bëhen analiza të thella dhe të shihet nevoja për të dhënat mbi përkatësinë etnike. Të shihet nëse kjo çështje ka ndikim ndaj Kushtetutës dhe shumë ligjesh. Institucionet në vend duhet të ulen dhe të japin një vlerësim, me një propozim nga aspekti profesional nëse kjo është e nevojshme. Ne kemi nevojë për regjistrim, sepse sipas rekomandimeve të OKB-së, çdo vend është i detyruar ta zbatojë atë në çdo 10 vjet dhe ne duhet ta respektojmë këtë”, thekson Gerasimovski.

 

 

PARTITË INSISTOJNË PËR KOLONËN E PËRKATËSISË ETNIKE DHE FETARE

 

Sistemi ynë politik është i bazuar në numra, përkatësisht në përfaqësimin  e përqindjes, prandaj nuk është e qartë se si do të funksionojë ai në qoftë se nuk kemi të dhëna për përfaqësimin etnik. Por, për zbatimin e operacionit më të madh statistikor, paraprakisht është e nevojshme të miratohet një Ligj për regjistrim, të cilin duhet ta përgatisë Qeveria dhe ta miratojë Parlamenti. Prandaj vendimi përfundimtar për këto çështje përsëri do të jetë politik.

Nga partia në pushtet, LSDM, thonë se sipas tyre, është e nevojshme të kemi një kolonë për përkatësinë etnike.

“Ky është një propozim i Entit Shtetëror të Statistikës, por, sipas nesh, është e logjikshme që të kemi një kolonë për përkatësinë etnike. Planifikohet që vitin e ardhshëm të testohet sistemi para se të zbatohet regjistrimi në vitin 2020, kështu që do të shohim se si do të shkojë kjo gjë. Megjithatë, Qeveria duhet të përgatisë një projekt-ligj për regjistrim, do të shohim se çfarë zgjidhje do të ofrojë, por sipas LSDM-së, më e logjikshme është se duhet të ekzistojë kolona për përkatësinë etnike”, tha Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Nga partia opozitare, VMRO-DPMNE, thonë se kjo temë keqpërdoret në opinion nga LSDM-ja, por lënë hapësirë që të shohin se çfarë lloj ligji do të propozohet nga pushteti.

“Është e rëndësishme se regjistrimi duhet të jetë një operacion statistikor, e jo një operacion politik dhe për këtë arsye është e nevojshme që ai të zbatohet pikërisht sipas metodologjisë së agjencisë statistikore evropiane Eurostat dhe të OKB-së, njëkohësisht të ketë edhe një mekanizëm për kontrollin e vendbanimit të përhershëm dhe të qëndrimit në shtet, si dhe garanci për autenticitetin e të dhënave personale dhe një vërtetim (dokument) biometrik të identitetit të njerëzve”, thotë Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Edhe partitë politike shqiptare janë me qëndrim se në regjistrimin duhet të ketë një shprehje etnike.

Artan Grubi nga BDI-ja vlerësoi se modeli që propozohet tani është në kundërshtim me mënyrën në të cilën përcaktohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Jemi të vetëdijshëm se procesi i regjistrimit të popullsisë në vendin tonë nuk mund të jetë vetëm një proces i thjeshtë statistikor, por edhe një proces politik për shkak të ndryshimeve kushtetuese dhe Marrëveshjes Kornizë me të cilën përcaktohen të drejtat e komuniteteve në Maqedoni përmes përqindjeve”, thotë Grubi.

Sipas Zijadin Selës nga Aleanca e Shqiptarëve, propozimi do të godasë formën e funksionimit të shtetit dhe balancën midis bashkësive etnike.

“Paralajmërimet se në regjistrimin do të ketë vetëm kolonë për gjuhën ka për qëllim që në një mënyrë artificiale të rritet numri i njerëzve që flasin gjuhën maqedonase dhe në këtë mënyrë të fshihet realiteti demografik në Maqedoni. Ne u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve shqiptare, që janë pjesë e Qeverisë, t’i kundërshtohen këtij propozimi”, theksoi Sela.

Kundër këtij propozimi janë edhe nga dy krahët e lëvizjes Besa.

“Një element shumë i dyshimtë, tani mohojmë elementin etnik, ndërsa nga ana tjetër elementin etnik e kemi në kushtetutë, e kemi në ligjet pozitive të shtetit”, tha Fadil Zendeli.

Sipas Afrim Gashit nga krahu tjetër i Besës, gjuha nuk mund të zëvendësojë përkatësinë etnike.

“Për ne, identiteti gjuhësor nuk mbulon gjithmonë edhe identitetin etnik. Ka shumë njerëz të cilët për arsye të ndryshme flasin për një ose disa gjuhë, por kanë një përkatësi etnike”, thotë Gashi.

 

REAGOJNË EDHE BASHKËSITË MË TË VOGLA ETNIKE

 

Shumë reagime erdhën edhe nga bashkësitë më të vogla, të cilët thonë se përkatësia e tyre etnike dallohet nga gjuha të cilën e flasin dhe prandaj me këtë model nuk do të fitohet një pasqyrë reale të gjendjes demografike në vend.

Demir Dalipi nga Koalicioni i egjiptianëve thotë se shumë gjenerata kanë përfunduar arsimin e tyre në gjuhë maqedonase, por reagime ka edhe nga komuniteti rom, sepse ata thonë se shumë romë flasin gjuhën turke. Nga Komuniteti boshnjak mendojnë se me çështjen e gjuhës amtare dhe gjuhës që flitet nuk mund të përcaktohet saktë numri e një etnikumi të veçantë dhe sipas tyre, regjistrimi pa përkatësinë etnike dhe fetare e vë në pyetje karakterin multietnik të vendit.