Data e sotme
December 13, 2018
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Edhe azili, sikurse demokracia, keqpërdoret

Shkruan: Denko Maleski

 

Në debatin në Komisionin për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Josip Juratoviq, deputet nga Social Demokratët, kështu e komenton arratisjen e Gruevskit dhe azilin e marrë në Hungari … “Sistemi Gruevski” shfrytëzon mjetet demokratike. Dhe kjo është ajo që është me të vërtetë shqetësuese në këtë zinxhir të ngjarjeve – Si forcat e dyshimta demokratike keqpërdorin instrumentet demokratike. Mund vetëm të shpresoj se Hungaria në këtë rast ka vepruar njësoj si në rastin e të gjithë kërkuesve të azilit. Rasti i Gruevskit me këtë bëhet një test lakmusi për besueshmërinë e shtetit të së drejtës në Hungari. Po, një nga instrumentet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut të botës moderne është e drejta për azil. Dhe, po, ajo, si çdo gjë tjetër, mund të keqpërdoret. Njerëzit në nevojë kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje nga shtetet e tjera, ndërsa ato, sidomos vendet demokratike, janë të detyruar t’ua japin atë. Por, çfarë ndodh kur “forcat e dyshimta demokratike keqpërdorin instrumentet demokratike”? Kjo është pyetja e parashtruar në Bundestagun e Gjermanisë.

Në fakt, përgjigja është vetëm një vazhdim ndërkombëtar i një teme të brendshme për të cilën kam shkruar disa vite më parë, e përkushtuar për të ashtuquajturat “Parti kundër sistemit”, një term i cili në shkencat politike paraqitet në vitet e gjashtëdhjeta, ndërsa ka të bëjë me sjelljen e partive fashiste, naziste dhe komuniste. Gjegjësisht, studiuesit e partive politike, duke analizuar sjelljen e tyre në sistemet politike të vendeve të tyre në periudhën midis dy luftërave botërore, kanë vërejtur se ato marrin pjesë në procesin demokratik për ta shkatërruar atë. Ato njohuri i vura në funksion të analizës së sjelljes së partisë së atëhershme qeverisëse VMRO -DPMNE, për të cilën thashë se merr pjesë në sistemin demokratik të Maqedonisë për ta shkatërruar atë. Disa vite më vonë, lideri i kësaj partie, Nikolla Gruevski, gjen strehim te aleati i tij, Viktor Orban, i cili gjithashtu përdor lirinë të cilën e jep demokracia liberale në Hungari, për të minuar themelet e saja. Sot, të dy liderët autoritarë minojnë edhe themelet e sistemit të azilit, të dedikuar për njerëzit në nevojë. Gjegjësisht, edhe pse deputeti gjerman thotë se “mund vetëm të shpresojë se Hungaria në rastin vepron në mënyrë të barabartë siç vepron me kërkuesit e tjerë të azilit” dhe se “rasti Gruevski bëhet një test lakmusi për besueshmërinë e shtetit të së drejtës në Hungari”, fjalët e tij vetëm duan ta turpërojnë vendin dhe udhëheqjen e tij politike për sjelljen e tyre johumane ndaj refugjatëve të vërtetë, azilkërkuesve karshi atij për ish-kryeministrin e Maqedonisë.

Aleatët mbrojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin, do të deklarojë kryeministri hungarez Orban. Çfarë tjetër, përveç autokracisë, bashkon këta dy persona? Teli me gjemba në kufirin tonë dhe në kufirin e tyre dhe trajtimi johuman i njerëzve në nevojë. Edhe ne si hungarezët u bëmë “të njohur” në botë me incizimet të cilat ishin identike në të dy kufijtë: shok bombat dhe shkopinjtë e gomës me të cilët, në fakt, kemi mbrojtur Hungarinë. Përpjekja e mëvonshme për të korrigjuar imazhin e vetë nuk ndryshoi politikën e përgjithshme, me të cilën udhëheqjen e Maqedonisë, për shumë vite, krenohej: se ne mbrojmë Evropën dhe për këtë qëllim do ta bëjmë kufirin tonë të pakalueshëm për njerëzit e mjerë nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Ja çfarë sjelljeje kanë pasur Hungaria dhe Maqedonia ndaj azilkërkuesve, diçka që e njohin mirë deputetët e parlamentit gjerman. Trajtimi special të cilin udhëheqësit e “partive kundër sistemit” ia japin njëri-tjetrit duhet ta shqetësojë Evropën demokratike. Cinizmi të përdoret si një të drejtë të garantuar të njeriut, për të mbrojtur njëri me tjetrin udhëheqësit autokratë, të cilët vendosin tela me gjemba kundër atyre të cilët me të vërtetë kanë nevojë për azil, është evident. Ndërsa ata që ikin nga luftërat, me zemër të ftohtë, refuzohen, “aleatët” që ikin nga drejtësia, përqafohen ngrohtësisht.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit.