Data e sotme
December 13, 2018

Leximi i një “dekonstruktimi” elektoral

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Sondazhet paraqesin ndjeshmërinë e elektoratit në një moment të caktuar socio-politik, por edhe tendencat e mundshme se ka mund të lëvizë ky elektorat. Rezultatet më të fundit të anketës të realizuar nga “Telma” dhe Qendra Maqedonase për Bashëkpunim Ndërkombëtar, shpërfaqin një ndjeshmëri politike dhe shoqërore, që nuk është larg perceptimit dhe analizave të bëra brenda kohës.

Në fakt, në disa aspekte, ky sondazh, vetëm i vërteton analizat argumentuese socio-politike të bëra nga vëzhgues të vëmendshëm dhe njohës të sociologjisë elektorale. Gjithsesi disa rezultate nga ky sondazh mbeten për t’u analizuar, sepse paraqesin njëlloj “befasie” për lëvizjet elektorale brenda kësaj kohe.

Gjithnjë sipas këtij sondazhi, shumica e qytetarëve të anketuar, afërsisht 59 përqind, janë deklaruar se nuk janë për zgjedhje të parakohshme. Mbajtja e vazhdueshme e zgjedhjeve të parakohshme, duket se po përcillet me një lloj lodhje te qytetarët. Duket se drastikisht ka rënë ndjeshmëria për zgjedhje të parakohshme. Problemet e shumta më të cilat ballafaqohen qytetarët kanë nxjerrë në plan të dytë zgjedhjet si një mundësi për ndryshim, ashtu siç pretendohet gjithnjë nga partitë politike.

Pikërisht ky deklarim ndërlidhet edhe me një fakt tjetër që del nga ky sondazh. Afërsisht 40 përind e qytetarëve të anketuar nuk kanë shfaqur besim ndaj asnjërit politikan. Këto dy fakte e përcaktojnë një apati elektorale me përmasa dëshpëruese ndaj poltikës. Sigurisht, kjo apati elektorale nuk është e tanishme, ajo mbetet e pranishme gati në çdo cikël zgjedhor dhe në njëfarë mënyre shënon edhe numrin e të papëracaktuarve të trupës votuese.

Pavarësisht nga rezultatet tjera që dalin nga kjo anketë, të cilat edhe mund të “transkriptohen” me triumfalizëm apo me dyshime, një gjë mbetet e sigurtë, që retë e apatisë sillen gjithandej te qytetarët e Maqedonisë. Por, përgjithësisht, ndjeshmëria politike në një moment të caktuar, por edhe gjatë zgjedhjeve matet me atë trup elektoral që shpreh vullnet për pjesëmarrje demokratike.

Tashmë dihet që strukturimet elektorale nuk janë të përhershme. Ato pësojnë shndërrime varësisht nga ofertat poltike dhe varësisht nga besueshmëria dhe aftësia për të bindur elektoratin në një vizion politik. Nganjëherë lëvizjet elektorale mund të jenë më të theksuara, ndërsa në raste tjera ato shfaqen të ngadalshme, por me tendenca permanente.

Edhe pse LSDM-ja nga ky sondazh del parti fituese në nivel shteti te elektorati maqedonas, ajo është përafërisht 5 përqind prapa VMRO-DPMNE-së, e cila duket se pavarësisht nga rejtingu i ulët i liderit të tyre, ka një elektorat të strukturuar. Qartë shihet se rezultatet e rejtingut të liderit nuk përkojnë me rezultatet e partisë. Kjo të bën të kuptosh se qytetarët dinë ta dallojnë perfomancën e liderit nga ideologjia partiake, e cila në të shumtën e rasteve ndërlidhet me një ndjeshmëri të strukturuar “tradicionale”.

Edhe te elektorati shqiptar vërehet ky dallim mes rejtingut të liderit dhe rejtingut të partisë. Ali Ahmeti i BDI-së prinë si lider te shqiptarët para liderit të ASH-së, Zijadin Sela. Të dy partitë nuk kanë shënuar ndonjë ngritje në elektorat dhe përafërsisht mbeten në shifrat e mehershme. Lëvizja BESA ka 2.5 përqind rejting.

Një befasi që e “dekonstrukton” logjikën e deritashme elektorale ndërlidhet me impenjimin politik të LSDM-së te elektorati shqiptar. Lideri i kësaj partie, Zoran Zaev, tashmë është i dyti për nga rejtingu te shqiptarët, ndërkohë që partia e tij minimalisht është më e preferuara te elektorati shqiptar. Për herë të parë një parti politike maqedonase ka rejting më të madh të elektorati në raport me partitë shqiptare.

Duket se ky fenomen mund të ketë dy shpjegime. Duket qartë që BDI që nga zgjedhjet e kaluara është në një proces delegjetimimi dhe refuzimi nga një pjesë e elektoratit shqiptar. Një gërryerje politike e ngadalshme, në shikim të parë e pavërejtshme, që i adresohet një strukture politike, e cila ngadalë duket se po “dekompozohet” pavarësisht nga rejtingu i lartë i liderit të tyre. Mbase edhe pozicioni jo i fortë në qeveri ka mundësuar që një pjesë e elektoratit shqiptar të orientohet kah LSDM.

Shpjegimi i dytë, ndërlidhet me mungesën e një alternative të qartë, kreative dhe gjithëpërfshirëse, e cila do të përfitonte nga kjo “gërryerje” politike e BDI-së. Një opozitë herë-herë fragmentare që nuk arrin deri në fund ta shpalojë vizionin e saj në opozicion me partitë në pushtet.

Sidoqoftë, gjithnjë sipas këtij sondazhi, kemi një lloj “dekonstruktimi” elektoral që paravendosë një “persiatje” tjetër politike dhe një reflektim politik për të ndryshuar mbase pozicionet aktuale. Një gjë mbetet e sigurtë, pritjet e shumta, dekompozimet e shumta sociale, “dekonstruktimi” i narracioneve të mëdha që nuk përciellen me sensin e realitetit, kanë krijuar tashmë një orientim të paparashikeushëm të elektoratit, sidomos atij shqiptar. Gjithashtu, në këtë fazë të evolutës politike, duket se mbetet vendimtare oferta politike, e cila patjetër duhet të njohë një projekt politik animues dhe të besueshëm për qytetarët në cilëndo hemisferë elektorale.

Rejtingu i liderit jo gjithmonë mund të “transkiptohet” në rejtingun e partisë. Rejtingu i një lideri mund të përcaktohet nga parametra tjerë, nganjëherë si projeksione “mitike”. Rajtingu i partive përcaktohet nga strukturime të brendshme dhe shtrirja e një vizioni politik në elektorat. Sigurisht edhe nga ideologjia politike e formësuar si ofertë për totalitetin kompleks të quajtur elektorat!

 

Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit