Data e sotme
December 13, 2018

Pushteti nuk pranoi amnistinë, opozita akuzon për drejtësi selektive

  • Ligji për amnisti i propozuar nga VMRO-DPMNE-ja nuk kaloi në Kuvend.
  • Nevenka Stamenkovska nga VMRO-DPMNE-ja thotë se të akuzuarit nuk janë terroristë.
  • Kostadin Kostadinov nga LSDM-ja është i qartë: nuk guxon të amnistohen ata që kanë urdhëruar, kanë planifikuar dhe kanë kryer dhunën e 27 prillit.
  • Margarita Caca Nikollovska konsideron se amnistia e plotë do ta rrënonte sundimin e ligjit

 

Shkruan: Svetllana Unkovska

 

Pasi projektligji i VMRO-DPMNE-së për amnistinë e plotë të pjesëmarrësve të 27 prillit nuk kaloi në Kuvend, partia opozitare akuzon se pushteti zbaton një drejtësi selektive.

Igor Durllovski, Bogdan Ilievski, Boris Damovski, Vllado Jovanovski nuk janë terroristë. Këtë e dini edhe ju edhe gjithë opinioni në Maqedoni. Nëse doni pajtimin kombëtar dhe zbatimin jo selektiv të drejtësisë, duhet të mbështetet ky ligj”. Këtë e deklaroi Nevenka Stamenkovska nga VMRO-DPMNE-ja në foltoren e Kuvendit duke shpjeguar projektligjin për amnisti për ngjarjet e 27 prillit.

Zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov hodhi poshtë akuzat dhe tha se VMRO-DPMNE-ja duhet të bëjnë dallim midis atyre që kanë urdhëruar ose ata që kanë kryer dhunën dhe ata që kanë qenë në eufori gjatë dhunës në Kuvend.

“Nuk guxon dhe nuk mund të amnistohen ata që kanë planifikuar, kanë urdhëruar dhe kanë kryer dhunën e 27 prillit”, tha Kostadinov.

Këto ditë, Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se do të ketë amnisti vetëm për ata që nuk kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarjet e “së enjtes së përgjakshme”. Edhe Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska Trenevska theksoi se VMRO-DPMNE-ja po kërkon lirimin e të gjithë të dyshuarve, të akuzuarve dhe të dënuarve. “Për shkak se ajo ishte një amnisti shumë e gjerë, që është e përfshirë me atë projekt-ligj, qëndrimi ishte se amnistia eventuale duhet të zgjidhet brenda trupit për pajtim”, deklaroi ministrja Deskoska.

 

Caca Nikollovska: Nuk bëhet fjalë për një drejtësi selektive, ka qasje të ndryshme në vepra të ndryshme

 

Margarita Caca Nikollovska nga Instituti për të Drejtat e Njeriut thotë se amnistia e plotë, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë, sipas kategorive dhe peshës së veprave penale, është një rrënim i sundimit të ligjit. Sipas saj, akuzat e opozitës se ka një drejtësi selektive janë të papranueshme sepse, siç thotë ajo, “së pari duhet të merren parasysh se për çfarë veprash penale bëhet fjalë, pastaj për vëllimin e veprave penale dhe të shihet qëllimi e atij akti”.

“Unë nuk pajtohem se bëhet fjalë drejtësi selektive vetëm për shkak se ka një qasje të ndryshme sipas peshë së veprës. Nëse dikush akuzohet për terrorizëm, vepra e tillë dallohet nga sulmi në turmë, nga shpërdorimi i detyrës zyrtare dhe kështu me radhë, dhe nëse është ashtu, atëherë ne gjithmonë kemi një selektivitet. Pra, ka një qasje e ndryshme në vepra të ndryshme dhe nuk pranoj se bëhet fjalë për një selektivitet. Projekt-ligji për amnisti i VMRO-DPMNE-së, sipas deklarimit të tyre, thotë se duhet të amnistohen të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ngjarjet e 27 prillit. Këtu kam problem dhe nuk pajtohem”, thotë Caca Nikollovska.

 

 

PAJTIMI NUK DUHET TË PREKË PARIMIN E SUNDIMIT TË LIGJIT

 

Ajo thotë se duhet të kihet kujdes edhe me ofertën e pajtimit, e cila, siç theksoi, assesi nuk duhet të ndërhyn në sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

“Unë nuk e di se në cilën formë do të jetë ai pajtim, në fakt unë e kuptova atë si një sjellje midis deputetëve në të ardhmen, por absolutisht duhet të merret parasysh sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit. Ne kemi një ndarje të pushtetit dhe askush nuk guxon ta vërë në pikëpyetje parimin e sundimit të ligjit, barazinë e përgjegjësisë për të njëjtat vepra penale dhe pavarësinë dhe paanshmërinë e pushtetit të tretë, gjyqësori, i cili për fat të keq në Maqedoni për një kohë të gjatë është kritikuar”, thekson Caca Nikollovska.

Në Maqedoni, në disa raste u caktua amnistia pasi partitë politike paraprakisht bënë raste politike. Ajo ishte amnistia e gjerë për konfliktin e vitit 2001, e cila u prezantua në opinion si një pajtim i bashkësive etnike dhe prej këtu doli edhe amnistia e rasteve të Hagës.