Data e sotme
December 13, 2018

Njeriu mbi të gjitha – murtaja e bardhë

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Të nderuar lexues,

Sot do t’ia përkushtoj vëmendjen temës NJERIU, si individ dhe vendi dhe roli i tij në shoqërinë bashkëkohore.

“Njeriu mbi të gjitha” është një organizatë joqeveritare, në të cilën jam përfshirë për një kohë të gjatë. Jam i sigurt se do të pyesni veten pse Njeriu mbi të gjitha. Gjithmonë, e sidomos në shoqërinë moderne të zhvillimit, njeriu është investimi më i madh i çdo shoqërie dhe prindërve, dhe me formimin e tij ai është kapitali më i fortë dhe i pazëvendësueshëm i çdo komuniteti.

Në të kaluarën e afërt, me qëllim që të parandalohet largimi para të gjithash i rinisë, e cila tashmë është e pasur me njohuri, aftësi dhe POPULLATA RIPRODHUESE nga Republika e Maqedonisë, kam bërë video spote me të vetmin qëllim që t’i ndërtojmë vatrat, shtëpitë tona, të ardhmen tonë këtu në vendin tonë, në Maqedoni. Video spotet u mirëpritën, për habinë time, me kritika të forta, ku mbizotëroi fakti se unë jam i pasur nga aspekti financiar, dhe gjithashtu se kam qenë mërgimtar dhe tani përhap një demagogji. Por, lexues të mi të dashur, unë u ktheva në Maqedoni me gjithë kapitalin e fituar, të cilin e kam investuar në atdheun tim

Pasuria materiale ndryshon dhe kalon. Pasuria e vetme që është më e rëndësishme për mua dhe e kam në bollëk është dashuria, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Dashuria dhe rëndësia e saj në të gjitha sferat e jetës sonë. Dashuria ndaj prindërve, vëllezërve, motrave, të afërmve, gruas, miqve, njerëzve, natyrës, florës, faunës dhe dashuria ndaj atdheut tim Maqedonia.

Për mua, njeriu si individ duhet të vendoset në një piedestal dhe të trajtohet si hyjni, dhe ja përse. Njeriu është shtylla e çdo shoqërie. Çfarë është e nevojshme që ai të jetë i dobishëm për vete dhe për shoqërinë?

Së pari, njeriu në përputhje me predispozitën e tij, duhet të fitojë njohuri dhe aftësi. Edukimi i tij fillon me ditën e parë të lindjes së tij dhe do të zgjasë deri në formimin e tij në sferën në të cilën ai ka vendosur të përkushtohet. Atë periudhë të gjatë edukative, unë e quaj INVESTIM, i cili në momentin e formimit të tij shndërrohet në një KAPITAL TË PËRHERSHËM TË KOMUNITETIT. Ndihem pakëndshëm kur shoh se, për çdo ditë, njerëz të rinj të edukuar po largohen nga Maqedonia dhe kërkojnë fatin e tyre në mbarë botën. Deri kur do t’i mbyllim sytë para kësaj, për mua “murtaje të bardhë” dhe humbim ekstraktin shtetëror – NJERIUN. A ende nuk mund të kuptojnë liderët tanë politikë se për nj kohë të shkurtër Maqedonia do të mbetet me dy shtylla të fuqishme.

1.Administrata shtetërore

2.Pensionistët

Ekonomia edhe ashtu modeste ballafaqohet me probleme se si të mbijetojë, ndërsa NJERIU….. po largohet dhe nuk kthehet.

Zgjohuni politikanë më të lartë, në vend po krijohet një buxhet të ri të Republikës së Maqedonisë për vitin 2019. Nuk pashë asnjë masë, aq më pak një ide se si ta mbani njeriun e ri në Maqedoni. Do të lejoja që Qeveria të huazojë nga jashtë edhe më shumë mjete financiare, të cilat do të përdoren për të ofruar mundësi dhe kushte për të rinjtë që të qëndrojnë këtu në Maqedoni dhe të ndërtojnë të ardhmen dhe perspektivën e tyre.

Të nderuar lexues, kërkoj nga pushteti qendror, ky, i ardhmi, të bëjë një strategji kombëtare për zhvillimin tonë. Për fat të keq, deri më sot nuk kam parë dhe nuk kam ndier një gjë të tillë dhe kam ndjenjën sikur të jetojmë nga dita për ditë, ose blij një ditë, shit një ditë.

Ne duam jetë, një ekonomi të fortë dhe një standard jetese. Duhet ta ruajmë njeriun, i cili është motori i vërtetë i ekonomisë dhe shoqërisë në tërësi.

Shtyllat kryesore të kësaj organizate joqeveritare, të cilat unë veçanërisht i theksoj janë arsimi, shëndetësia dhe e ardhmja.

Në kolumnat e ardhshme, do të përkushtohem veçanërisht të shpjegoj se çfarë rëndësie kanë këto tre shtylla për shoqërinë tonë, gjithsesi duke dhënë një shpjegim argumentues.

Gjëja më e dhimbshme e gjithë kësaj është se tri shtyllat, arsimi, shëndetësia dhe e ardhmja trajtohen ende si një detyrim nga të gjitha Qeveritë e kaluara, e jo si një qëllim ndaj të cilit duhet të synojmë.

Pa një strategji të vërtetë në këto tri shtylla do të jemi dëshmitarë të largimit të përditshëm të popullsisë së re nga Maqedonia, duke humbur kështu kapitalin më të fortë për vendin tonë të vogël.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit