Data e sotme
December 13, 2018

Qeveria me plan kundër ndotjes: Do të thithim ajër të pastër pas dy vjetësh

  • Vetëm 80 automjete janë përjashtuar nga trafiku për shkak të emetimeve të dëmshme të gazit për një muaj
  • Qeveria parasheh etiketa ekologjike dhe subvencione për automjetet ekologjike dhe hibride
  • Kufiri i vjetërsisë së automjeteve në Maqedoni është 16.6 vjet

 

Shkruan: Bjanka Stankoviq

 

Të nxitur nga raportet e fundit të mediave se Maqedonia është një nga vendet më të ndotura në botë, pushteti nxitoi për të prezantuar Programin për redutimin e ndotjes së ajrit që është paraparë për periudhën 2019-2020. Siç deklaroi zëvendësministri i Mjedisit, Jani Makraduli, qëllimi i tij është të reduktojë ndotjen e ajrit në Shkup deri në 50 për qind, ndërsa në qytetet e tjera midis 30 për qind dhe 50 për qind.

Merima Kondov, nga iniciativa Skopje Smog Alarm, nuk është optimiste se diçka konkrete do të zgjidhet me Programin. Ajo thotë se qytetarët kanë votuar për këtë pushtet me të vetmin qëllim që ai të ndërmarrë masa menjëherë, jo pas dy vitesh të fillojnë me plane.

“Dhe derisa çdo njeri normal e shpall këtë pjesë të tokës si toksike, sikur të ketë shpërthyer një central bërthamor këtu, ja çfarë bënë ministrat tanë javën e kaluar: Ata sollën një plan mbi planin! Ndryshe, në planin të cilin e shqyrtuam hollësisht, ka shtatë të ashtuquajturat masa të dëshpëruara me një diapazon të gjerë të veprimit, i cili në krahasim me ritmin me të cilin punojnë, do të humbasin mijëra jetë e më shumë, derisa dikush atje të kuptojë se edhe viti 2020 është shumë larg” , – tha Kondov.

 

 

Subvencione dhe etiketa ekologjie – një nga masat e Qeverisë

 

Kompetentët do të luftojnë me ndotjen përmes masave të parashikuara në disa fusha, duke përfshirë edhe transportin. Gjegjësisht, plani thotë:

“Ndotjen e ajrit nga ky sektor ndiejnë më së shumti qytetarët, sepse emetimet emetohen në nivelin e lëvizjes së çdoditshme të qytetarëve. Prandaj, aktivitetet e këtij sektori do të drejtohen jo vetëm drejt reduktimit të emetimeve, por edhe drejt zvogëlimit të ekspozimit të qytetarëve derisa lëvizen nga një vend në një vend tjetër”.

Aktivitetet do të fokusohen në: ndryshimet e Ligjit për automjete (aplikimi i etiketave ekologjike, subvencione për blerjen e automjeteve elektrike dhe hibride, subvencione për instalimin e pajisjeve që përdorin gazin e naftës ose gazin natyror), ristrukturimin e transportit publik, aplikimin e regjimit dimëror të trafikut dhe aplikimin e sistemit Park&​​Ride.

Sipas të dhënave të bazës Makstat të Entit Shtetëror të Statistikës, vjetërsia mesatare e automjeteve të udhëtarëve vitin e kaluar në Maqedoni është 18.7 vjet.

Vitin e kaluar u regjistruan gjithsej 466.221 automjete, duke përfshirë motoçikletat, automjetet e udhëtarëve, automjetet ngarkuese, automjetet e punës, automjetet tërheqëse, si dhe autobusët dhe traktorët. Prej tyre, pjesa më e madhe 233.281 përdorin naftë, ndërsa benzinë përdorin gjithsej 218.554 automjete. Benzinë-gaz kanë përdorur vetëm 12.111, ndërsa alkool 1.720. Automjetet e regjistruara që përdorin energjinë elektrike kanë qenë vetëm 80.

U drejtuam edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe pyetëm se sa automjete janë larguar nga qarkullimi për shkak të emetimeve të dëmshme të tymit në periudhën nga janari i vitit 2017 deri në tetor të vitit 2018, dhe prej atje na u përgjigjën:

“Ju informojmë se momentalisht në dispozicion i kemi këto të dhëna: në periudhën prej 20.09. deri në 10.20.2018 janë larguar gjithsej 80 automjete motorike të udhëtarëve në bazë të gazrave të lëshuar”, –  thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Me projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, të cilin e propozon Qeveria e RM-së, ndërsa përfaqësues janë Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bektashi dhe zëvendësi i tij, Kire Naumov, janë paraparë dy nene të reja lidhur me kategorizimin ekologjik të automjeteve. Gjegjësisht, sipas ligjit, të gjitha automjetet që marrin pjesë në komunikacionin rrugor duhet të shënohen me një etiketë ekologjike për shkak të shënimit të kategorisë ekologjike të automjetit.

  • Kategoria e parë ekologjike – etiketën e gjelbër do ta kenë automjetet me standardet Euro 5 dhe Euro 6, si dhe automjetet me standardin Euro 4, të cilat kanë instaluar pajisje për gazin e rrjedhshëm të naftës ose gazin e kompresuar natyror, si dhe automjetet elektrike dhe hibride.

 

(Në rastin e rritjes enorme të ndotjes së ajrit në qytete, ato automjete do të mund lirisht të lëvizen në zonat e mbrojtura ekologjike, sipas vendimeve të komunave dhe Qytetit të Shkupit).

 

  • Kategoria e dytë ekologjike – etiketën e verdhë do ta kenë automjetet me standardet Euro 3 dhe Euro 4, si dhe automjetet me standardin Euro 2, të cilat kanë instaluar pajisje për gazin e rrjedhshëm të naftës ose gazin e kompresuar natyror.

 

(Në rastin e rritjes enorme të ndotjes së ajrit në qytete, për këto automjete do të ketë një kufizim të lëvizjes, sipas vendimeve të Qytetit të Shkupit)

 

  • Kategoria e tretë ekologjike – etiketën e kuqe do ta kenë automjetet me standardet Euro 2 ose Euro 1 ose pa një standard të tillë.

 

(Në rastin e rritjes enorme të ndotjes së ajrit në qytete, për këto automjete do të ndalohet qarkullimi në periudhën e ndotjes së ajrit)

 

 

Ndryshe, siç shpjeguan për “Meta” nga Ministria e Ekonomisë, etiketa do të bëhej vetëm një herë dhe do të kishte vlefshmëri derisa të ndryshohet ligji ose automjeti të instalojë pajisje për gazin e rrjedhshëm të naftës ose metan, me ç’rast automjeti do të mund të kalonte në kategorinë më të lartë.

Lidhur me masat reaguan edhe nga iniciativa “Me biçikletë” përmes një postimi në Facebook:

“Në vend se fokusi të vihet në automobilin dhe motorin e tij (i cili është në rregull të ndryshohet, por nuk guxon të trajtohet si thelbi i problemit me trafikun); fokusi duhet të vihet mbi qytetin, planifikimin dhe menaxhimin e tij. Kemi nevojë për të ndryshuar mënyrën në të cilën e shohim trafikun, kemi nevojë për koncepte të reja multimodale, në të cilat ecja më këmbë, vozitja e biçikletës, transporti publik janë opsionet serioze dhe të preferuara.  

Motori modern është një analgjetik për disa nga problemet, por qyteti modern është ilaçi i të gjitha problemeve që rrjedhin nga trafiku: ndotja, efekti i ndryshimeve klimatike, pasiguria, tollovia, mungesa e aktivitetit fizik, hapësira e okupuar publike”.  

 

Pushteti do të motivojë me subvencione

 

Në Maqedoni, për gjashtë vitet e fundit, janë regjistruar 377 automjete që përdorin energjinë elektrike. Me projekt-ligjin janë paraparë subvencione prej 5.000 euro për çdo automjet të blerë elektrike, ndërsa 3.000 euro për çdo automjet të blerë hibrid. Në vitin e parë pas hyrjes së ligjit në fuqi, do të jepet gjithsej 200 subvencione të tilla. Po ashtu do të ketë subvencione për instalimin e pajisjeve të gazit të rrjedhshëm të naftës ose të gazit të kompresuar natyror, gjegjësisht të metanit, edhe atë deri në 50% të shpenzimeve për blerjen dhe instalimin e pajisjes, por më së shumti deri në 300 euro për një automjet. Në vitin e parë janë planifikuar 1.200 subvencione.

Në projektbuxhetin për vitin 2019, Qeveria parashikon 11 milionë euro për Ministrinë e Mjedisit dhe rreth 1 milion eurosh për punën e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit. Por, do të ndajë një fond fillestar prej 1.5 milion eurosh, të cilat do të jenë mjete shtesë, përveç atyre tashmë ekzistuese në ministri të ndryshme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.

Mendimi që ndoshta për dy vjet nga tani, qytetarët do të mund të ndjejnë ndryshimin e ajrit, i nxit që të vazhdojnë luftën, ndërsa pushteti dhe opozita e transferojnë topin me njëri-tjetrin.

 

Gorjan Jovanovski, kreatori i aplikacionit “MojVozduh” (Ajri im) do ta bëjë edhe arkivin e parë të ndotësve. Në të, çdokush mund të vërë fotografi, përshkrime dhe lokacione të ndotësve të dukshëm. Deri më tani janë evidentuar 61 ndotës.

Disa organizata të qytetarëve që para dy vjetësh, përkatësisht në vitin 2016, e kanë nxjerrë propozimin e kategorizimit ekologjik në kuadër të një sërë rekomandimesh të cilat i kanë dhënë për të ballafaquar me ndotjen.