Data e sotme
December 13, 2018
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Të gjithë kryetarët tonë të pafat

Shkruan: Denko Malevski

 

Një gazetar, shqiptar, nëpërmjet telefonit ma lexon deklaratën e udhëheqësit të BDI-së, Ahmeti e cila, në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, bëhet fjalë për mua dhe më pyet çfarë mendoj për deklaratën. Tani, nga ato përkthimet nga maqedonishtja në shqip dhe sërish në maqedonisht, deklarata e ime e publikuar në Plusinfo nuk i ngjante mënyrës se si zakonisht flas, por, në thelb saktësisht është përcjellë ajo që kam thënë: se deklarata e Ahmetit, të cilin personalisht nuk e njoh, e marr si kompliment, shpreh falënderim për fhalët e mira, e mbështes idenë për president koncenzual – kaq.

Ajo që është thënë nuk e ndryshon mendimin tim me përvojat e zgjedhjeve tona presidenciale, për të cilat kam shkruar dhe folur së paku një decenie e gjysmë. Britanezët, danezët, belgët, norvegjezët, japonezët, spanjollët, kanadezët, suedezët ose holandezët, si dhe një sërë popujsh tjerë, kanë monarki kushtetuese si simbol i unitetit të tyre. Gjermanët, italianët, izraelitët, grekët, estonezët, shqiptarët, ermenët, hungarezët, kosovarët, letonezët apo zviceranët atë unitet ndonjëherë e realizojnë nëpërmjet një procedure të gjatë e mundimshme të votimit në parlament. Shtetet tjera europiane me sistem parlamentar si Maqedonia, Austria, Kroacia, Bosna e Hercegovina, Bullgaria, Çekia, Finlanda, Islanda, Molldova, Mali i Zi, Serbia, Slovakia apo Slovenia i zgjedhin presidentët e tyre në zgjedhje të drejtpërdrejta. Presidentët e zgjedhur në këtë mënyrë e simbolizojnë unitetin e shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, por sa janë simbole të tilla brenda shtetit varet nga vetëdija demokratike e atyre që kanë votuar-kundër. Do të thotë, parlamentarizmi është forma dominante e qeverisjes në Europë, me presidentë të zgjedhur në parlament nga ana e përfaqësuesve të partive apo në zgjedhje të përgjithshme nga ana e qytetarëve. Shtetet e zgjedhin modelin për të cilin mendojnë se më shumë u përgjigjet. Me zgjedhje të presidentit në zgjedhje të përgjithshme a është përcaktuar Maqedonia për modelin më adekuat? Mësimet e nxjerra nga përvoja njezet e tetë vjeçare tregojnë gjithçka.

Modeli me zgjedhjen e presidentit nga ana e qytetarëve në Maqedoni vetëm se e përforcon polarizimin në shoqërinë maqedonase, e cila nuk ka një pikë të unifikimit as në figurën e presidentit të të zgjedhur. Partitë që kanë humbur, njëjtë si edhe ndjekësit e tyre, nuk e njohin disfatën. Zgjedhjet presidenciale janë vetëm një raund i luftës së partive për pushtet. Ato, një fakt, janë vetëm vazhdimësi e një beteje të njëjtë në të cilën “të gjitha mjetet” janë të lejuara, pas së cilës, presidenti i zgjedhur bëhet një person i urryer për gjysmën e popullit dhe i papranuar nga ana e partisë opozitare. Kjo është rregulla, pa asnjë përjashtim.

 

 

Vetëm në kohën kur president shteti ishte Kiro Gligorov, në mandatin e parë kur u zgjodh nga ana e Parlamentit, kam hetuar një lloj respeksti nga ana e të gjithëve në raport me institucionin dhe personalitetin e shefit të shtetit.  Por, kur në mandatin e dytë presidenti Gligorov shkoi në zgjedhje të drejtpërdrejta, ai nga ato doli si kryetar i LSDM-së, i papranuar nga VMRO-DPMNE. Argumentet e opozitës se ato zgjedhje u falsifikuan po i lë anash dhe po ndalem vetëm te rezultati: shteti fitoi një president të kontestuar në figurën e një njeriu i cili me shumë dituri, takt dhe inteligjencë me sukses e nxori Maqedoninë jashtë orbitës së luftërave jugosllave. Kam përshtypjen se madje edhe atentati nuk arriti t’ia kthejë një pjesë të autoritetit të humbur.

Më pas erdhi Boris Trajkovski, përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, i cili nuk u pranua nga ana e LSDM-së. Argumentet e opozitës së re se zgjedhjet ishin të falsifikuara i lë anash, e po ndalem vetëm te rezultati: i papranuar nga opozita, kurse në momentin kur e humbi mbështetjen edhe nga partia që e kandidoi ai u bë një mjet për kusuritje dhe përqeshje nga të dyja palët. Pas vdekjes tragjike, Bashkimi Europian dhe SHBA dërguan ngushëllime të thella deri te populli i Maqedonisë dhe porosi deri te partitë e armiqësuara që të zgjedhin një president që do t’i bashkojë. Politikanët e Maqedonisë, duke shprehur pajtueshmëri të tërësishme me përmbajtjen e porosisë, e bënë të kundërtën: për president shteti e zgjodhën kryetarin e partisë në pushtet.

Duke u udhëhequr nga parimi i përhershëm i politikës se duhet të kontrollohet gjithçka që mund të kontrollohet, Branko Cërvenkovski, kryeministri i deriatëhershëm, u bë president shteti duke e mbajtur, kuptohet, edhe pozicionin e kryeministrit për partinë e tij – LSDM. Argumentet e opozitës se zgjedhjet ishin të falsifikuara i lë anash, po ndalem vetëm te rezultati: Maqedonia fitoi një president të kontestuar, i emëruar so “personi B.C.”, i cili duke humbur kontrollin mbi partinë e tij, më vonë u gjet në një pozitë e cila ngapak i ngjante asaj të pararendësit të tij.

Më pas erdhi Gjorgje Ivanov…Argumentet e opozitës se zgjedhjet kanë qenë të falsifikuara i lë anash, po ndalem te rezultati: Maqedonia fitoi një president të kontestuar ashpër, i papranuar nga opozita dhe nga partitë e etnisë së dytë më të madhe. Ai, ndërkohë, duke e interpretuar gabimisht pozicionin e tij kushtetuesdhe duke tentuar ta ngadalësojë procesin e hapur demokratik të ndryshimit të politikave shtetërore gjatë ndryshimit të partive në pushtet, veton suspenzive mbi vendimet e Parlamentit e shpalli si të përhershme. Kështu, ky president i pafat, sot ballafaqohet me përgjegjësi penale.

E, tani, kush e ka radhën?

Në prag janë zgjedhjet presidenciale në shtetin e vogël të Ballkanit, Maqedoni, i cili assesi t’i realizojë qëllimet e sajat strategjike të proklamuara që nga fillimi i pavarësisë së saj – anënarësimin në NATO dhe BE, do të lajmërojnë së shpejti mediat botërore.

Shumë pak e dinë se kjo është për shkak të faktit se, në një shoqëri skajshmërisht të polarizuar, zgjedhjet presidenciale shkaktojnë polarizim dhe përçarje shtesë. Në atë mënyrë sistemi politik i shoqërisë tonë mënjanon edhe një pikë të mundëshme për unitet. Për atë arsye, idea për për president koncensual është e mirë. Por, ajo lehtësisht mund të refuzohet nga “sistemi” i bazuar mbi polarizimin e ashpër që e prodhojnë partitë, të paafta që nëpërmjet dialogut të prodhojnë çfarëdo lloj koncenzusi. Andaj, në zgjedhjet e ardhshme “sistemi” që i polarizon partitë rreth institucionit i cili në shtetet tjera bashkon, garanton se rezultati nga dueli midis “patriotëve” dhe “tradhëtarëve” do të jetë i njëjti si ai më lartë: edhe një zgjdhje e një presidenti të pafat. Realisht, tani më paraprakisht dihet se, nëse nuk do të ketë suskses bojkoti i paralajmëruar, rezultati zgjedhor do të jetë i kontestuar për shkak të listave zgjedhore apo diçka të ngjashme.

Na presin përçarje të reja e të ashpëra, në vend të interesit shtetëror i cili kërkon të bashkohemi rreth realizimit përfundimtar të qëllimeve strategjike të proklamuara që moti: NATO dhe BE. Kjo, sot, është e mundur vetëm nëpërmjet realizimit të Marrëveshjes së Prespës. Për atë arsye, ndoshta është momenti i fundit që të gjitha partitë të mendojnë për modelin tjetër: zgjedhje e presidentit në Parlament, me shumicë të dyfishtë, me Badenter dhe me gjithçka tjetër të nevojshme. Vetëm pas kësaj të flitet për kandidatët e mundshëm. Sepse nuk ka kuptim të përsëritet loja e vjetër që jep rezultate të njëjta të këqija, në kushte të një krize të thellë, kësaj radhe, mund të jenë fatale për shtetin. A është ky model perfekt? As për së afërmi. Të gjitha modelet politike janë projeksion i joni, i mangësive dhe vyrtyteve tona si njerëz. Por, së paku, ajo mënyrë e zgjedhjes së presidentit do të prodhojë diçka më të mirë: jo vetëm që do t’i kursejë qytetarët nga shoke të panevojshme, por nuk do ta cenojë as integritetin moral të kandidatit dhe do të prodhojë një qendër të unitetit, sado formal të jetë. Sepse pa atë integritet moral institucioni president i Maqedonisë, i cili edhe ashtu nuk ka pushtet, nuk do të ketë asgjë.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit