Data e sotme
December 13, 2018

“Vetërregullimi” i munguar i banalitetit

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Pejsazhi mediatik në Maqedoni, sidomos i portaleve “informative”, mbetet i zymtë. Një fluks i paparë i portaleve që distribuojnë përmbajtje gazetareske të njëtrajtshme dhe skajshmërisht joprofesionale ka krijuar një kaos të vërtetë receptimi. Betejat për “like” kanë stimuluar ndërkohë një gazetari të papërgjegjshme dhe në të shumtën e rasteve analfabete. Të ashtuquajturat media tradicionale duket se po e humbin betejën karshi këtij fluksi mediash të “rastësishme”, që në të shumtën e rasteve janë të tipit “One Man Show”. Pikërisht disa hulumtime të gjendjes së mediave online në Maqedoni e japin këtë pamje të zymtë.

Ky duket të jetë vetëm njëri dimension i degjenerimit medial që po përthith në vete gjithë sensibilitetin politik, kulturor dhe shoqëror në fragmente titujsh bombastik. Një dimension tjetër i rrënimit mbetet gatishmëria e përhershme për të qenë instrumente të propagandës ideologjike, siç jemi mësuar ta shohim në të kaluarën. Sidoqoftë, informimi i njëanshëm duket më pak problematik karshi banalitetit të gjithëpranishëm që rrezikon të shndërroj gjithë atë që përfaqëson shoqëri në një masë amorfe spektakli të përkohshëm.

Sigurisht, në gjithë këtë pejsazh të zymtë ka përjashtime. Ekzistojnë edhe  portale, që bëjnë përpjekje të ruajnë profesionalizmin në këtë “xhungël” teknologjike pjesë e së cilës është gjithë spektri që përfaqëson mediat e reja, siç është rasti me rrjetet sociale. Pa hyrë në definime teorike, me media online, në këtë rast nënkuptojmë portalet si subjekte të veçanta mediale, ndërkohë që shfaqja online e mediave tradiocionale mbetet e kufizuar në krahasim me portalet që gjithnjë janë në interaksion pikërisht me praninë e jashtëzakonshme të rrjeteve sociale.

Kjo prani dhe ky “interaksion” i portaleve me rrjetet sociale si shfaqje e mediave të reja gjithnjë e më tepër po krijon një mbirealitet që nuk njeh kufij etik, që nuk njeh as parimet më elementare të gazetarisë profesionale. Mediat e internetit, në fakt, sjellin dy dukuri paradoksale. Në njërën anë kemi tendencën për një demokratizim sa më të madh, ndërsa në anën tjetër kemi vërshimin e një mendimi mediokër që njeh vetëm “idetë e gatshme”. Romancieri francez, Gustav Flober, gjatë viteve 1911-13 kishte botuar veprën e tij satirike “Fjalori i ideve të gatshme” nëpërmjet së cilës thumbonte shoqërinë franceze të asaj kohe për uniformitetin snob të dijes që dëshironte të shfaqte.

Duket se Floberi kishte të drejtë. “Idetë e gatshme” janë kudo. Shoqëria po skematizohet, ndërsa mediat “përgjojnë” çdo mendim fragmentar dhe margjinal që mund të shfrytëzohet si “burim” ose mund të argëtojë. Informacioni tashmë nuk ka nevojë për diversifikim, sepse “shoqëria e ideve të gatshme” nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Ajo ka nevojë për “lajme”, për “lajme” që mund të krijohen aty për aty, pa burime të verifikuara, mjafton një status facebook-u dhe gjithçka është në rregull për t’ia ofruar publikut të etur për “informacion. Lajmet e rrejshme janë kulmi i këtij kaosi që pritet të “vetërregullohet”.

Nuk bëjnë përjashtim në këtë rast edhe mediat që tashmë janë definuar si tradicionale. Edhe këta media, brenda kohës kanë kaluar nëpër “ferrin” e propagandës ideologjike. Një lloj propagande e ushqyer me para të majme të pushtetit paraprak. Me pak përjashtime edhe këta media po kalojnë në një proces transformimi ideologjik, tash për tash akoma të pamjaftueshëm për të qenë në suaza të një gazetarie profesionale. Së fundmi Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e ka kritikuar qeverinë se po e vonon ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, nëpërmjet të cilit mendohet se do të fillojnë reformat e mirëfillta në sferën mediale. Qeveria, ndërkohë ka bërë të ditur se ligji do të sillet në parlament deri në fund të dhjetorit pasi të marr “aminin” nga Komisioni Europian.

Duket se një përpjekje tashmë ka filluar, ndërkohë që promovimi dhe kultivimi i një gazetarie thellësisht profesionale do të kërkojë shumë më tepër kohë. Ky duket se do të jetë një proces i gjatë transformues që nënkupton edhe shumë lëvizje tjera politike, ekonomike dhe shoqërore.

Sipas shumë hulumtimeve edhe në Maqedoni shfrytëzimi i mediave të reja mbetet enorm. Ka një tendendencë që portalet të përafrohen edhe me televizionet që konsiderohen akoma burime më të besueshme të informacionit. Në Maqedoni gjatë kohë flitet për një proces vetërregullimi të mediave online, që nënkupton një funksionim normal mbi bazë të një informimi etik. Por, duket se kjo kohë akoma mbetet e largët. Deri atëherë gjithë prania shoqërore do t’i nënshtrohet kaosit “brutal” të portaleve pa impresume.

Tashmë nuk e dihet  se ku fillon dhe ku mbaron realiteti. Jetohet në një virtualitet inforamcionesh të paverifikuara dhe të njëtrajtshme. Gjithsesi shfaqet edhe rreziku i “banalitetit të së keqës” ashtu siç e përcakton filozofja Hannah Arendt tek po ndiqte procesin e gjykimit të Adolf Eichmann-it, përgjegjës për shfarosjen e mijëra hebrenjve. Gjithnjë ekziston rreziku që gjërat të bëhen tmerrësisht normale. Kjo do të ishte disfata fatale e misionit të gazetarisë dhe triumf i totalitarizmit të banales pikërisht ashtu siç e koncepton Arendt.

Së fundmi, Këshilli për Etik i Mediave në Maqedoni ka nisur një debat për një përfshirje sa më të gjerë të qytetarëve në procesin e vetërregullimit të mediave online. Një debat i domosdoshëm dhe një edukim mediatik që duhet të zgjerohet edhe me përmbajtje tjera. Njohja e mediave profesionale, e informimit të drejtë dhe etik mbetet kryeshtyllë e vlerave demokratike dhe e debatit politik, kulturor dhe përgjithësisht shoqëror. Çdo pushtet ka nevojë për kundërpeshën e mediave profesionale.

 

Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit