Data e sotme
December 13, 2018

Аrsimi – shenjtëria e çdo shoqërie

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Të nderuar lexues,

Në kolumnën time të fundit, të së enjtes së kaluar, përmenda tre postulatet të cilat prehen në misionin kryesor të Shoqatës tonë qytetare, ndërsa përmes së cilave duam, si qytetarë aktiv të cilët kujdesen për shoqërinë e tyre, ta kthejmë vëmendjen në çdo garniturë të pushtetit në Republikën e Maqedonisë duke vënë në dukje çështjet më të rëndësishme për krijimin e një shoqërie të emancipuar dhe të zhvilluar.

Tre fondamentet kryesore mbi të cilat duhet të ndërtohet një shoqëri e lirë dhe demokratike për ne janë arsimi, shëndetësia dhe e ardhmja stabile ekonomike në të cilën do të ketë drejtësi sociale dhe siguri.

Sot do t’i shkruaj ca fjalë për vendin dhe rolin e arsimit. Procesi arsimor i çdo njeriu fillon në momentin e njëjtë kur ai lind dhe zgjat deri në arsimimin e tij të plotë në sferën të cilës ka vendosur t’ia kushtojë punën e tij gjatë jetës.

Ky është investimi më i rëndësishëm që ne si prindër dhe shoqëri çdo ditë duhet ta nxisim, me qëllim që gjeneratat e ardhshme t’i pajisim me dituri dhe aftësi, të cilat do t’u siguronin ekzistencë normale.

Arsimin e kuptojmë si shenjtëri dhe vetëm midis prindit, shoqërisë (shtetit apo komunës) dhe kuadrit arsimor. Çdo segment i sinergjisë së tillë ka detyra të veçanta të cilat duhet t’i plotësojmë.

Prindi është i obliguar të kujdeset për edukatën familjare, për krijimin e atyre vlerave integrale etike dhe ta ndihmojë shkollimin e fëmijës sipas trendeve bashkëkohore.

Sipas mendimit tim, arsimi është një proces që zhvillohet gjatë gjithë jetës. Derisa të jemi gjallë, duhet të mësojmë dhe të jemi kureshtarë për të gjitha gjërat, dhe kështu vazhdimisht t’i zhvillojmë njohuritë tona.

Sipas matematikave të mia, investimi i prindërve për çdo fëmijë është midis 300 dhe 500 mijë euro deri në përmbylljen e ciklit të tij arsimor formal.

Të nderuar, këto janë mjete financiare të mëdha që qytetari i ynë i ndan për arsimimin e fëmijës së tij.

Segmenti i dytë i këtij projekti të përbashkët të ndarë të jetës është shoqëria, gjegjësisht politikat arsimore të shtetit. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për pushtetin qendror apo vetëqeverisjen lokale, ata duhet të kenë për obligim të sigurojnë kushte maksimale në institucionet arsimore parashkollore, shkollore dhe të larta, në mënyrë që të rinjtë të ndjehen të sigurt dhe në të njëjtën kohë prindërit të mos kenë frikë nëse fëmija i tyre mund të ekspozohet ndaj disa rreziqeve për shëndetin dhe sigurinë.

Edhe segmenti i tretë, ndoshta më i rëndësishmi, është kuadri mësimor, prej edukatorëve, mësuesve, mësimdhënësve, profesorëve. Prej tyre dhe prej asaj që ata mund t’i bartin të rinjve, do të varet cilësia e personalitetit të formuar, i cili duhet të kontribuojë më tej për ndërtimin e shoqërisë.

Nuk është fshehtësi se jetojmë në një kohë dinamike dhe nëse duam t’i ndjekim të gjitha rrjedhat moderne në arsim, duhet në mënyrë të barabartë të angazhohen të gjitha tre segmentet e kësaj, të theksoj edhe një herë, shenjtërie shoqërore mbi baza të së cilës ndërtohet bashkësia.

Prindi duhet të kërkojë prej shoqërisë dhe prej kuadrit arsimor arsim cilësor. Shoqëria duhet t’i ndjek trendet në nivel botëror në drejtim të zbatimit të arsimit më adekuat dhe më të mirë, në pajtim me mundësitë tona financiare.

Segmenti i tretë, kuadri arsimor, duhet të jetë në edukim të vazhdueshëm, me qëllim që të ndërtojë një njeri i cili mund t’u përgjigjet sfidave bashkëkohore.

Të nderuar, kur flasim për arsimin, flasim për mjete të mëdha të cilat ne duhet t’i ndajmë me qëllim që të krijojmë kuadër bashkëkohor dhe të arsimuar.

Në vitin 2008, si kryetar i Qytetit të Shkupit, isha mysafir tek kryebashkiaku i Varshavës dhe u informova se Varshava i ka marrë 13 miliardë euro mjete të pakthyeshme prej BE-së, të dedikuara vetëm për arsimin për periudhën 2007-2012, të cilat mjete dedikohen për të gjitha sferat e arsimimit të njeriut. Veçanërisht isha i befasuar se Varshava praktikon edukimin e avancuar të të gjithë personelit arsimor, duke filluar nga kopshtet, shkollat dhe universitetet.

I gjithë personeli arsimor, çdo vit kishte edukim të avancuar dyjavor, vetëm e vetëm  t’u përgjigjen sfidave me nevojat e të rinjve dhe të ndihmojnë në zhvillimin e vendeve të tyre.

Në bazë të kësaj përvoje dhe të dhëne, e shqyrtoj nevojën se edhe ne, në Maqedoninë tonë, duhet të mendojmë për procedurat dhe mënyrën se si të arrijmë drejt një shoqërie bashkëkohore që është aq e dëshiruar prej nesh.

Pa sisteme të vërteta dhe bashkëkohore, politika arsimore funksionale, gjithmonë do të hasim në anomali në korpusin arsimor të qytetarit tonë të ri.

Dëshiroj të inicioj një iniciativë, të gjithë ne si aktorë në shoqëri, qoftë si prindër, funksionarë apo edukatorë, duhet këtë çështje në mënyrë thelbësore ta vëmë si prioritet. Pasi nga politikat arsimore varet e ardhmja e shoqërisë dhe e shtetit. Edhe sëmundjet e shoqërisë, por edhe shëndeti i saj varen nga ajo sa dhe çfarë lloj edukimi kemi.

Nuk ka lumturi më të madhe për njerëzit e moshës sime kur takojnë një njeri të ri të arsimuar dhe të pajisur me njohuri. Sa keq tingëllon fjala NJERI! Veçanërisht njeri në vendin dhe kohën e duhur.

Mendoni për këtë…!!!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit