Data e sotme
December 13, 2018

Infuzion për të ndjerin

Ndihmesa buxhetore e importuesve të letrës, për pronarët e shtypshkronjave dhe të firmave distribuuese nuk është atraktive madje as për nostalgjikët më të mëdhenj

Shkruan: Zoran Ivanov

 

E pazakontë dhe më se çuditëse është të shpenzohen para për diçka që është e kaluar, e vdekur. Ky investim është muzeor dhe nuk ka gjë prej tij. Për qëllimet e proklamuara që në start është investim i dështuar.

Masa më e re qeveritare për ndihmë financiare për mediat e shtypit, që gazetat ditore të mbulojnë një pjesë të mirë të shpenzimeve të pronarëve të tyre për letër, për botim dhe për shpërndarje nuk është vetëm joekonomike dhe kontroverse por edhe favorizuese.

Është mjaft e qartë se në Maqedoni  kanë mbaruar punë mediat e shtypit. Koha i shkeli. Do ta shtyjnë edhe aq sa munden edhe me ndihmën e kumtesave të paguara qeveritare, thirrjeve për tenderë dhe përmbajtjeve të tjera shtetërore. Ja, madje edhe kjo është mu si injeksion financiar qeveritar për njëfarë përkrahje të tyre jo të gjatë.

Askush më nuk blen gazeta. Aty-këtu edhe ndonjë pensionist, disa institucione të caktuara shtetërore në tog, dy tirazhe ndonjë kompani miqësore e pronarit të gazetës. Sot është kaq i gjithë publiku lexues i shtypit ditor. Në ndërkohë, duke mos pritur letrën, shtypshkronjën dhe distribuimin, përmbajtjet zhurnaliste që në edicionet e tyre redaksitë i ofrojnë për nesër, përmes faqeve të tyre të internetit konsumuesit tashmë me të madhe i lexojnë.

Në kontinentin tonë subvencionet për mediat e shtypit janë shfryrë. Është e vërtetë se në disa vende të zhvilluara ekonomikisht ato akoma ndihmohen me para të buxhetit. Dhe është e vërtetë se për çdo vit buxhetor, përmes debateve të ashpra për këto para pohohet se janë hedhur në ajër. Dhe është e vërtetë se motivin për shtesat e tilla me para qeveritë e atjeshme e arsyetojnë me mbajtjen në jetë jo të gazetarisë si sferë e ndjeshme në shoqëritë e tyre demokratike por të industrive të mëdha të shtypit dhe të letrës. Dhe shumë shpejt, nën presionin e kohës së re, së cunamit social gjithnjë e më dinamik, gjithnjë e më dominanues dhe më gjithëpërfshirës teknologjik dhe informues, edhe atje, në ato pak vende, shumë shpejt do të ndalojë derdhja e parave qeveritare për botimin e gazetave ditore.

Ndihma buxhetore për importuesit e letrës, për pronarët e shtypshkronjave dhe firmat distribuuese dukshëm është gjendje në defekt. Prej saj përfitim do të kenë vetë ata. Gazetarët dhe gazetaria hiç asgjë. Orientimi i publikut lexues bashkëkohor tashmë është kthyer nga tregu i edicioneve elektronike të vërtetuara. Përqindja e diapazonit midis gazetave dhe portaleve prej kohësh është e pakrahasueshme dhe dominuese në dobi të këtyre të dytëve. Në dhjetë vitet e fundit drastike është kthesa në llogari të elektronikës si botuese dhe internetit si kompensim distribuues. Këtë shumë mirë e dinë edhe në redaksitë e gazetave ditore të cilat tani i gëzohen dhuratës selektive prej shtetit. Përveç kësaj, edicionet e tyre elektronike janë një milion herë më të lexuara sesa gazetat e tyre. Aroma e ngjyrës së shtypit prej kohësh nuk është atraktive madje as për nostalgjikët më të mëdhenj.

Shpjegimet se mbulimet e shpenzimeve për letër, për botim dhe për distribuuim do ta përforcuakan profesionalizmin mediatik dhe do t’i stabilizuakan pagat e gazetarëve, nuk janë më tregime as për më të vegjlit. Në analizën e tij të shkurtër këtë konstatim në mënyrë shumë të saktë e detekton edhe gazetari i njohur dhe publicisti, doajeni Vele Mitanoski. Ai përkujton se përvoja jonë dhe realiteti ynë shkojnë në dobi të konkluzës se është e gabuar qasja e Qeverisë për subvencionimin e gazetave ditore. Për të është i pamjaftueshëm dhe jobindës argumenti duke iu thirrur përvojave të vendeve me demokraci të zhvilluar dhe vlerëson se subvencionimi i gazetave do të thotë kthim i gjendjeve që prej para pesëmbëdhjetë vjetësh.

Shoqatat e Gazetarëve dhe zakonisht udhëheqësit mjaft aktiv të sindikatës esnafe dhe të Këshillit për etikë, për këtë vendim të Qeverisë sikur kanë gëlltitur top ping-pongu. Është mjaft e pritshme, se heshtja që atje shumë shpejtë do të ballafaqohet me pyetje prej anëtarësisë së tyre për rolin e tyre në sforcimin e Qeverisë të trajtimit jo të barabartë ndaj selektivitetit mediatik. Për dallim prej udhëheqësive të tyre, prononcimet në opinion për këtë hap qeveritar, pa përjashtim janë negative.

Qeveria është duke rrezikuar për disa gazeta ditore për të cilat tirazhi më i madh është remitenta, të shkaktojë inatosje tek një numër i medieve elektronike tashmë të dëshmuara dhe të afirmuara. Është e padyshimtë se edhe ato duan një dozë të oksigjenit buxhetor për edicionet informative të tyre në internet. Një orientim i tillë për barazi dhe për konkurrencë të shëndoshë profesionale, gjithsesi do t’i përfshinte edhe edicionet e gazetave në internet të cilave Qeveria dëshiron t’u paguaj letrat, shtypin dhe distribuimin. Pikërisht ueb faqet e tyre dhe jo edicionet e tyre të atrofizuara dhe të pa perspektivë, janë autoritetet informative të vërteta në dispozicion për secilin në çdo moment nga cilido kënd i planetit.

Tregimi mediatik botues vazhdon përmes internetit. Ky mas përfitim revolucionar teknologjik duhet të jetë motiv për shtetin. Në vend se të paguaj për të kaluarën, ta subvencionojë të tanishmen. Paratë për letër, për shtypje dhe për distribuim t’i riorientojë tek gazetat elektronike dhe aty ta ndihmojë profesionalizimin zhurnalist. Ata janë e tanishmja dhe e ardhmja mediatike dhe e gazetarisë.

Ideja për dhurimin e mjeteve buxhetore për gazetat ditore është joracionale dhe shpenzim i paarsyeshëm. Ky është investim shtetëror i pashpjegueshëm në të kaluarën. Me këtë hap proteksionist të kabinetit paratë do të hidhen, ndërsa efekti për interesin publik do të jetë zero. Shtesë, Qeverisë nuk i duhet një aferë e re si ajo që nuk është ftohur akoma me paratë për inovacione.

 

Dhe për këtë me siguri nuk do t’i merr shtruar reagimet e shkaktuara nga infuzioni i saj për të ndjerin.

Ose edhe do t’i merr. Është e mundur edhe kjo, pushtet është.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit