Data e sotme
June 25, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Akti maqedonaso-grek i quajtur Marrëveshje e Prespës

Shkruan: Denko Malevski

 

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës është akt i madh për shoqëritë siç janë ajo e Maqedonisë dhe ajo greke, në të cilat politikanët profesionin e tyre nuk e shohin si proces të zgjidhjes së problemeve të mëdha, strategjike të shtetit por si seri të pandërprerë të përplasjeve të ashpra e taktike për përfitime personale dhe partiake. Dhe kur, mbi të gjithë këtë, ata vetë janë apo me qëllim i mbajnë popujt skllevër të miteve historike, atëherë pasqyra është e plotë. Vërtetim është kontesti ynë prej disa dekadash. Por, tani kur interesat e forcave të mëdha perëndimore për zgjidhjen e kontestit midis Maqedonisë dhe Greqisë bënë presionin vendimtar që të ndryshojë sjellja e tillë dhe u gjetën njerëz dhe parti të cilat me vendosmëri u ndalën pas zgjidhjes me kompromis, është e nevojshme mbështetje e pakursyer në realizimin e këtij plani paqësor. Momenti është me të vërtetë historik. Pas luftës njëqindvjeçare, dy popujt ballkanik, ai maqedonas dhe grek, janë duke u përgatitur që ta shtrijnë dorën e pajtimit. Kompromisi është i dyanshëm: ne pajtohemi që të heqim dorë prej miteve për Maqedoninë e Madhe dhe për maqedonasit antikë, ndërsa ata nga ana tjetër, pajtohen që të heqin dorë nga mitet për Greqinë e Madhe dhe për “fjalën greke Maqedonia”, e cila nuk mund ta nënkuptojë një komb dhe një gjuhë sllave. U pajtuam edhe për përcaktuesin gjeografik – Maqedonia e Veriut. Kështu, nyja historike, më në fund është zgjidhur. Me Marrëveshjen, “hardueri” i cili na futi në NATO dhe në BE, është vendosur. Pason vendosja e “softuerit” evropian: politika të mira ndërfqinjësore të cilat do ta ndryshojnë vetëdijen ultra-nacionaliste tek popujt, të bashkuara rreth njerëzimit.

“Një qenie njerëzore është pjesë e një tërësie, të cilën ne e quajmë “univers”, pjesë e kufizuar në kohë dhe hapësirë. Ai përjeton vetveten, mendimet dhe ndjenjat e tij, si diçka e veçuar prej të tjerëve – një lloj iluzioni optik i vetëdijes. Ky iluzion është një lloj burgu për ne, duke na kufizuar në dëshirat tona personale dhe në ndjenjat ndaj njerëzve të cilët i kemi më të afërt. Detyra jonë duhet të jetë të lirohemi prej këtij burgu, duke e zgjeruar rrethin tonë të keqardhjes për t’i përfshirë të gjitha qeniet e gjalla dhe të gjithë natyrën me bukurinë e saj”, do të shkruante Albert Ajnshtajn . Në vitet para nesh, kur ne do të bëhemi pjesë e hapësirës së vetme evropiane politike dhe kulturore, do të pasojë depërtimi i së vërtetës historike objektive për Maqedoninë dhe për vuajtjen e përbashkët të popujve të saj. Kjo e vërtetë për hallin e përbashkët do të na bashkojë rreth njerëzimit të përbashkët. Pse, kur ta pranojmë këtë fakt, se të gjithë ne jemi njerëz, dhe kur të gjithë do të fillojmë të bashkëndjejmë me hallin e tjetrit, kemi dalë nga burgu për të cilin shkruan shkencëtari i madh. Në rastin tonë, nga burgu i nacionalizmit maqedonas dhe grek. Çelësi është në duart tona.

Në vigjilje të referendumit thashë se duhet t’i mbyllim sytë para të gjitha ndarjeve partiake dhe keqpërdorimeve dhe të votojmë “për” Maqedoninë evropiane. Duket se edhe tani, deri në miratimin përfundimtar të marrëveshjes nga dy shtetet, duhet t’i mbyllim sytë. Ndërsa ndonjëherë t’i mbyllim edhe sytë edhe veshët. Në realizimin e këtij projekti paqësor, partia në pushtet kryesisht mbështetet në aktivistët dhe simpatizuesit e vet dhe ndaj lidhjeve të veta të vjetra, ndonjëherë të këputura dhe shpejtë të arnuara. Mbështetet edhe në institucionet të cilat, edhe pse të ndara, përmes reprezentuesve të cilët janë “për”, manifestojnë unitet fiktiv dhe mbështetje me qeverinë. Duhet t’i mbyllim sytë para faktit se disa prej intelektualëve të cilët paraqiten në rolin e frontmenëve në debatin për amendamentet, kanë qenë në anën e kundërt, kanë ndërruar ngjyra partiake, nuk kanë qenë ithtarë të kompromisit në kohën kur nuk ka qenë e shpagueshme të jesh ai, ose thjeshtë janë persona konfliktuozë. Dhe do t’i mbyllim sytë. Ajo që më brengos është se fjalimi i tyre normativ sikur i nxjerrë nga naftalina nuk mund t’i prekë zemrat dhe dinjitetin e shkelur të qytetarëve dhe t’i përfitojë për politikat e reja.

Njeriu mundet vetëm të ngrejë supet dhe të thotë: U bë çfarë u bë, tani ata janë kryesorët për zbatimin e marrëveshjes e cila na çon drejt NATO-s dhe BE-së. Të gjitha armiqësitë duhet të lihen anash që të realizohet plani që të shpëtohet anija e Maqedonisë nga fundosja në edhe një krizë politike dhe në mënyrë të sigurt të mbërrijë në botën moderne. Në momente të tilla, gjithmonë i kujtoj fjalët e Bernard Sho se kur fundoset anija nuk është koha për qërim hesapesh të vjetra por se të gjithë duhet të kapin kovat dhe pompat. Nëse jeni një prej atyre të cilët mendojnë se gjatë gjithë jetës keni hedhur kova derisa të tjerët kanë “fjetur”, ta dini: fajtor është parimi moral tek ju dhe harku i madh qiellor mbi ju.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit