Data e sotme
February 16, 2019

TRAGJIKOMEDIA E IMPROVIZIMIT

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Improvizimi mbetet gjendje e përhershme në Maqedoni. Zakonisht për fatet e qytetarëve vendosin elitat politike, të cilat gjithnjë thirren në vullnetin e elektoratit. Edhe pse kjo logjikë mbetet legjitime, politika nuk mund të reduktohet në asnjë rast vetëm në “fuqi” që buron nga zgjedhjet, sepse janë sferat e pavarura të mendimit ato që i japin vektorët e domosdoshëm të debatit të përhershëm, që i zgjeron kufijtë e receptimt politik.

Fatkeqësisht, brenda tranzicionit të përhershëm, jeta politike në Maqedoni është reduktuar vetëm në mendime partiake, duke zhvendosur në margjina mendimin publik të atyre që kanë se çfarë të thonë. Për çdo temë të mundshme flasin vetëm përfaqësues të partive politike dhe protagonistë të “mendimit të pavarur”, që gjithnjë sorollaten nëpër seli partish varësisht nga pushteti që kanë pasur.

Janë shfaqur brenda kohës “mendimtarë” të kurdisur, të cilët në emër të një interesi të përgjithshëm dhe të një patriotizmi të rrejshëm kanë zaptuar hapësirën publike. Politika e kuptuar në sensin ballkanik përveç që iu ka mundësuar hapësirën e duhur është kujdesur që këta “mendimtarë” të kauzave të përputhshme me politikat partiake të gjejnë jehonën e duhur gjithnjë duke kultivuar arrogancën e paraqitjes dhe jo kreativitetin në dhënien e zgjidhjeve për kauza të ndryshme.

Dhe, si zakonisht, pushtetet vijnë e shkojnë, ndërsa improvizimet mbeten. Logjika improvizuese nuk i zgjidh problemet, ajo vetëm sa i prekë me snobizmin politik, duke kërkuar gjithnjë justifikime dhe duke kërkuar fajin gjithnjë te pushteti pararendës. Po çfarë në fakt paraqet improvizimi?

Improvizimi është një mënyrë se si i shohin gjërat njerëzit që nuk janë kompetentë. Një mënyrë për të folur mbi problemet pa i njohur ato, pa e pasur idenë e ndërvarësive dhe bashkëpunimeve për t’i dhënë zgjidhje një problemi. Politika e improvizimit është pika më kulmore jokompetencës që nganjëherë mund të degjenerojë në tragjikomedi.

Saherë që ofrohet dimrit problemi real i ndotjes së ajrit në Maqedoni shfaqet me gjithë seriozitetin e tij. Një problem që është afishuar me kohë nga shoqatat e ekologjisë, por që deri më tani nuk janë ndërmarrë masa të duhura për të parandaluar dhe zvogëluar këtë  “murtajë” vdekjeprurëse. Edhe rreth këtij problemi kaq serioz që me vite, sipas shumë statistikave dhe hulumtimeve profesionale, po merre jetë njerëzish, në ndërkohë është shfaqur logjika improvizuese. Para do ditësh ky improvizim u shfaq një një formë groteske. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, kishte apeluar që qytetarët të mos dalin jashtë kur ka ndotje, ndërkohë që kishte rekomanduar që të hanë sa më shumë pemë dhe perime. Sipas kësaj logjike i bie që qytetarët duhet të mësohen tashmë me këtë gjendje dhe të përshtaten, ndërsa pavarësisht nga statusi i tyre social, kanë apo nuk kanë para, duhet të hanë sa më tepër pemë dhe perime.

Varianti më optimist i zgjidhjes së problemit me ndotjen nënkupton një periudhë dyvjeçare. Kështu kanë paralajmëruar përfaqësuesit qeveritarë, të cilët nuk kanë harruar të theksojnë se ky është një problem i trashëguar. Improvizimet gjithnjë fillojnë te logjika e problemeve të trashëguara edhe pse ky pushtet kishte premtuar se do ta zgjidhë problemin me ndotjen.

Elitat politike gjithnjë janë të gatshme të improvizojnë. Edhe në debatin publik mbi amandamendet e Marrëveshjes së Prespës, ka qenë i pashmangshëm improvizimi. Tashmë në opinion është folur për një debat të kontrolluar, që nuk dëshiron të japë shumë sqarime për problemet që janë ngritur ndërkohë. Kanë “ligjeruar”ndërkohë përfaqësuesit qeveritarë bashkë me “mendimtarë” të sprovuar të “hekurosjeve” publike “elitare”. Dhe, aty-këtu flluska partiake që në esencë nuk mund ta kapërcejnë “direktivat” dhe sloganet.

Improvizimi padyshim nënkupton “paktin” e elitave për probleme të caktuara, të cilat, të paketuara paraprakisht, duhet të plasohen në opinion pavarësisht nga realitetet që shënojnë një prani komplekse identitetesh që duhet të trajtohen politikisht me më shumë përgjegjësi dhe me një horizont tjetër pritjesh.

Sidoqoftë, duket se ende është shumë larg debati i argumentuar dhe me kompetencë. Duket se ende është shumë larg mendimi i pavarur jo paragjykues që ka si synim një kohezion afatgjatë në shtet dhe një perspektivë gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, etnike dhe religjioze. Improvizimet e “elitave” politike mbeten për përdorime të përkohshme, ndërkohë që Maqedonisë i duhet politika të mirëqena, të cilat do ta vendosin atë në shinat e konceptit evropian. Improvizimi mund të tejakoleht vetëm duke iu dhënë më tepër zë margjinave, aty ku formësohet një mendim objektiv në përputhje me realitetet në shtet.

 

 

 

Администратор
Администратор

Latest posts by Администратор (see all)