Data e sotme
April 24, 2019

KOMUNAT ZHYTEN NË BORXHE, KRYETARËT E KOMUNAVE KËRKOJNË DECENTRALIZIM FISKAL

  • Borxhet e komunave janë rezultat i punës së tyre joracionale dhe planifikimit joreal të buxheteve. 
  • Nga komunat më të mëdha, më shumë borxhe kanë Ohri, Tetova, Karposhi dhe Kumanova.
  • Faktorë të tjerë që ndikojnë për borxhet e komunave janë edhe mbipunësimet në administratat komunale.

 

Shkruajnë: Gjurgjica Bojçovska dhe Ljubica Ivanova

 

Shumë nga komunat në Republikën e Maqedonisë zhyten në borxhe dhe janë me llogari të bllokuara. Ato krijojnë probleme të mëdha për komunat dhe për këtë arsye ato nuk janë në gjendje t’i kryejnë me sukses kompetencat e marra me ligj dhe të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët. Rreth 20 komunash kanë në vazhdimësi xhiro-llogari të bllokuara, disa prej tyre edhe për dekada të tëra.

Ndër arsyet për gjendjen e tillë janë puna joracionale dhe planifikimi joreal i buxheteve të tyre, si dhe mbipunësimi në administratat komunale. Pjesa më e madhe e mjeteve buxhetore shpenzohen pikërisht për pagat dhe kontributet e të punësuarve.

 

KOMUNA ME BORXHE MË TË MËDHA JANË OHRI, TETOVA, KARPOSHI DHE KUMANOVA

 

Nga komunat më të mëdha, më shumë borxhe kanë Ohri, Tetova, Karposhi dhe Kumanova.

Në shikim të parë, edhe pse balancimi midis të ardhurave dhe shpenzimeve në disa komuna ndoshta nuk duket aq tronditës, megjithatë janë tronditëse shifrat të cilat tregojnë drejtpërdrejt shumën e detyrimeve të raportuara të maturuara, por të papaguara të komunave.

Çdo vit, komunat janë zhytur në borxhe. Shumë prej tyre kanë krijuar buxhete të mëdha dhe kanë marrë detyrime që nuk mund t’i paguanin.

Prej këtu dalin edhe borxhet. Qeveria e Republikës së Maqedonisë miratoi një ligj të ri për rebalancimin e buxhetit, nga i cili do të sigurojë mbështetje prej 51% për detyrimet e papaguara të komunave. Me rebalancimin e buxhetit do t’i ndihmojë komunat që të përmirësojnë gjendjen e tyre financiare. Me këtë do të mundësojë që ato të krijojnë mekanizma për shtyrjen e borxheve dhe gjithashtu do të mundësojë hapësirë ​​për projekte të reja.

Ligji për financimin e Njësive të vetëqeverisjes Lokale dhe Ligji për mbështetjen financiare të njësive të vetëqeverisjes lokale është votuar në Parlament më 13 nëntor 2018.

Nga Ministria e Financave na dërguan të dyja ligjet, Ligjin për financimin e Njësive të vetëqeverisjes Lokale dhe Ligjin për mbështetjen financiare të njësive të vetëqeverisjes lokale. Qëllimi i tyre është shlyerja e borxheve komunale. Por, para të gjithash, kjo gjë nuk guxon të përsëritet.

Numri i komunave, llogaritë e të cilave janë të bllokuara ndryshohet në bazë ditore. Kështu, më 27 nëntor të këtij viti me llogari të bllokuara kanë qenë 17 komuna.

Nga prezantimi grafikor shihet se komuna me borxhe më të mëdha në Republikën e Maqedonisë është komuna e Ohrit. Menjëherë pas saj, sipas shumës së borxheve, janë gjoja komunat e pasura urbane Tetova, Karposhi, Manastiri. Nga komunat, borxhet e mëdha i arsyetojnë me projektet e premtuara joreale në kohën parazgjedhore. Këtë sidomos e kanë premtuar kryetarët e komunave dhe selitë e tyre partiake, duke mos marrë parasysh të hyrat reale të komunave.

 

BORXHET DHE LLOGARITË PËRFUNDIMTARE

Ekspertët thonë se borxhi i një komune nuk janë proporcional me rezultatin e llogarive përfundimtare të të ardhurave dhe shpenzimeve, gjegjësisht nëse komuna ka një suficit, kjo nuk do të thotë se ajo nuk ka borxhe. Dhe anasjelltas – nëse komuna ka një deficit, kjo nuk do të thotë se komuna ka borxhe. Njohësit e kësaj problematike shpjegojnë se suficiti na tregon se sa mjete financiare mbeten në fund të vitit që t’i shtohen ato buxhetit për vitin e ardhshëm si tepricë e të ardhurave. Deficiti, nga ana tjetër, është dallimi negativ – mungesa. Borxhet nuk hyjnë në të ardhurat/shpenzimet.  

 

Ace Kocevski, kryetari i komunës së Velesit, mendon se për një pjesë të borxheve komunat nuk e kanë fajin, sepse ato janë krijuar në sistemin e mëparshëm, e si detyrim për eksproprijimin e tokës u transferuan komunave aktuale.

Një pjesë e borxheve, sipas tij, janë për shkak të zgjidhjeve jo adekuate për transportin e nxënësve pasi arsimi i mesëm u bë i detyrueshëm.

“Për këtë shkak, shkollat krijojnë borxhe të mëdha për komunat. Për pjesën e tretë dhe më të madh të borxheve fajin e kanë kryetarët e komunave, sepse me qëllim që t’i fitojnë votat e votuesve, duke shkelur ligjet në mënyrë flagrante, kanë ndërtuar më shumë sesa kanë pasur mjete dhe në këtë mënyrë kanë bërë borxhe enorme për komunat e tyre”, shton Kocevski.

Ai thekson se, mosrespektimi i ligjeve, mosndërmarrja e masave ndëshkuese, krijimi i praktikës së dëmshme sistematike që të mbrohen borxhlinjtë në vend të kreditorëve, ka krijuar këtë gjendje. “Me respektimin e vazhdueshëm të ligjeve dhe me ndërmarrjen e sanksioneve ligjore kundër kryetarëve të papërgjegjshëm të komunave nuk do të krijohen borxhe”, nënvizon Kocevski.

 

MBIPUNËSIMI – NJË GJENERATOR BORXHESH

 

Faktorë të tjerë që ndikojnë për borxhet e komunave janë edhe mbipunësimet në administratat komunale. E ngjashme është edhe gjendja e ndërmarrjeve publike komunale të komunave dhe të Qytetit të Shkupit.

Me mbipunësimin, komunat i shpenzojnë paratë e tyre për pagat e kuadrove meritore partiake, të cilat janë të punësuara pa nevojë në administratën komunale dhe ndërmarrjet publike, në vend se t’i shpenzojnë për projekte infrastrukturore për të përmirësuar cilësinë e jetesës në bashkësitë lokale.

Momenti kur premtimet, veçanërisht premtimet për objekte kapitale, siç janë ndërtimi i kopshteve të fëmijëve, ndërtimi i rrugëve të reja, rinovimi i shkollave dhe projekte të shumta të shtrenjta komunale siç janë ujësjellësi dhe kanalizimet, për shembull, për të cilat qytetarët kanë dhënë votat e tyre në zgjedhje, nuk mund të plotësohen, është momenti kur komunat hyjnë në humbje.

Por, në qoftë se kryetarët e komunave kanë bërë borxhe në emër të projekteve të ardhshme, e nuk i kanë realizuar ato deri në skadimin e mandatit të tyre, atëherë pyetja logjike është se për çka janë shpenzuar paratë komunale nëse jo për atë që është premtuar dhe planifikuar.

Përgjigja e kësaj pyetjeje shihet pjesërisht edhe në llogaritë përfundimtare të bilancit të të ardhurave dhe të shpenzimeve të buxhetit të komunave. Ato tregojnë qartë faktin se pjesa më e madhe e të ardhurave janë të dedikuara për pagat e të punësuarve të administratave dhe për këtë shkak mbetet që një pjesë relativisht e vogël e mjeteve të dedikohet për gjërat e tjera dhe si rrjedhojë e kësaj komunat lejojnë veten të bëjnë borxhe.

 

KUMANOVA PAGUAN BORXHET NGA KOHA E RSFJ-SË, NDËRSA PEHÇEVA ËSHTË E BLLOKUAR QË NGA VITI 2009 


Kryetarët e rinj të komunave nuk mund t’i ndryshojnë shumë kushtet në komunë. Një pjesë prej tyre trashëguan llogari të bllokuara komunale. Të gjithë shlyejnë borxhet e vjetra. Disa komuna kanë borxhe shumë të mëdha që kanë shkaktuar bllokimin e llogarive. Borxhet e disa komunave janë madje që nga ish-Jugosllavia. Disa komuna kanë borxhe që janë të vjetra rreth dhjetë vitesh. Me kalimin e viteve, borxhi është rritur për shkak të kamatave dhe për shkak të borxheve shtesë që i kanë bërë kryetarët e komunave për disa projekte të reja.

Kryetari i komunës së Pehçevës, Dragan Trençevski, thotë se Ligji për financimin e komunave do ta lehtësojë mënyrën e funksionimit të komunës, kështu që komuna do të mund të realizojë projekte të reja kapitale.

“Ministria e Financave, pas buxhetimit paraprak nga ana e komunës së Pehçevës, vlerëson se cila është vlera që mund të miratohet për të njëjtën huazim. Pas të hyrave të realizuara më parë. Kështu, në atë mënyrë shmanget nevoja që komunat të marrin hua dhe para të gjithash, varësisht nga menaxhimi, përkatësisht nga mënyra se si kryetari i komunës parashikon ato mjete”, thotë Trençevski.

Trençevski edhe thotë se është shumë e rëndësishme që Qeveria e Republikës së Maqedonisë u del në ndihmë komunave me shlyerjen e paralajmëruar të borxheve të tyre, në vlerë prej 51% të borxheve të tyre dhe se ato janë mjete të pakthyeshme. Kjo, shton ai, do të lehtësojë punën dhe funksionimin e komunave, kështu që edhe komuna e Pehçevës do të mund t’i realizojë projektet kapitale.

 

DECENTRALIZIM VETËM TË DETYRIMEVE, POR JO EDHE TË PARAVE

Hulumtimi i ekipit të gazetarëve të SCOOP-it Maqedoni tregoi se komunat në vend që nga formimi i tyre e deri më sot zhyten në borxhe. Disa prej tyre janë trashëguar, shumicat prej tyre janë bërë që në vitin e parë të formimit të tyre dhe zvarriten dhe rriten deri në ditët e sotme. Komunat kanë borxhe ndaj shumë kompanish për shërbimet që i kanë kërkuar. Ato kanë borxhe ndaj kompanive të ndërtimit, distributorëve të naftës, kanë borxhe për energji elektrike, ujë dhe për shumë gjëra të tjera. Nuk është i vogël numri i njësive të vetëqeverisjes lokale të cilat me vite të tëra janë me llogari të bllokuara dhe financohen me vendime të përkohshme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Nën presionin e kërkesave të parave të tyre për shërbimet e kryera nga ana e kompanive, pushteti ekzekutiv vendosi t’i propozojë kuvendit një ligj për shlyerjen e një pjese të borxheve të komunave. Ligji është miratuar dhe në këtë periudhë administratat komunale presin t’i marrin paratë e premtuara të cilat, siç kërkohet me ligj, janë të dedikuara vetëm për shlyerjen e borxheve.

 

ÇFARË THOTË LIGJI PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE TË NJËSIVE TË VETËQEVERISJES LOKALE?

                                                           Neni 2
Mbështetja financiare ka të bëjë me financimin e detyrimeve të raportuara të maturuara, por të papaguara të komunave dhe përdoruesve individualë në Sistemin Elektronik për raportimin dhe evidentimin e detyrimeve duke përfshirë muajin shtator të vitit 2018.

                                                        

                                                         Neni 4

Shuma totale e mjeteve të siguruara si mbështetje financiare për financimin e detyrimeve të raportuara të maturuara, por të papaguara të komunave dhe përdoruesve individualë është 3.032.383.086 denarë, përkatësisht 51% nga shuma e raportuar totale e komunave dhe përdoruesve individualë, duke përfshirë muajin shtator të vitit 2018. Mjetet e paragrafit 1 të këtij neni sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018, seksioni 09002 – Ministria e Financave – funksionet e shtetit, programi 2 – Funksionet, nën-programi 20 – Funksionet, pika 464 – Transferimet e ndryshme.

 

                                                         Neni 5
Mjetet financiare ndahen për komunat në mënyrë individuale në vlerë prej 51% të shumave të përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji.

 

                                                         Neni 7
Komunat dhe përdoruesit individualë kanë obligim t’i përdorin mjetet e ndara vetëm për qëllimin e përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji.

Sipas ligjit, gjoba në vlerë prej 1.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë të denarit mund të shqiptohen për kryetarët e komunave nëse bëjnë kundërvajtje. Mbikëqyrjen e punës së tyre do ta kryejë Ministria e Financave përmes inspektimit financiar në sektorin publik.

 

Kryetarët e rinj të komunave nuk kanë zgjedhje. Për të marrë paratë e shtetit për shlyerjen e gjysmës së borxheve, kushti është që t’i shpenzojnë ato para për shlyerjen e borxheve të tyre të vjetra, e jo me këto para t’i realizojnë premtimet zgjedhore. Tani ata duhet të kujdesen për borxhet e komunës dhe të ndajnë mjete për pagat dhe kompensimet e administratës komunale.

Kryetarja e komunës së Manastirit, Natasha Petrovska, thotë se arsyet kryesore për shkak të të cilave komunat kanë bërë borxhe është se me vite të tëra është bërë decentralizim në delegimin e obligimeve me një decentralizim jo adekuat fiskal, gjegjësisht me mjete të pamjaftueshme të siguruara.

“Në komunën e Manastirit nga buxheti total ndahen 38.48% për paga, ku përfshihen edhe pagat e institucioneve lokale dhe shkollave, që do të thotë se komuna nuk ndan pjesën më të madhe të buxhetit për paga dhe nuk ballafaqohet me mbipunësime. Në komunën e Manastirit janë punësuar 150 persona me kohë të papërcaktuar dhe dy persona janë punësuar me kohë të përcaktuar”, thotë Petrovska.

Kryetarja e komunës shton se një nga funksionet themelore të komunës së Manastirit është të jetë shërbim i banorëve të komunës, kështu që nëpërmjet formave të ndryshme të veprimit (bashkësitë lokale urbane, shkollat, vendbanimet) t’i përcaktojë prioritetet e banorëve të saj. Prandaj, gjatë planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, merren parasysh kërkesat e tyre prioritare, e gjithashtu ndahen mjete edhe për komponentin e zhvillimit të qytetit, i cili do të sigurojë kushte më të mira për jetesën e qytetarëve.

Ivica Dimitrov, kryetari i komunës së Vinicës lidhur me këtë temë për SCOOP thotë:

“Për shkak të kufizimeve të buxheteve, përkatësisht për shkak të të ardhurave të vogla që grumbullohen nga buxheti bazë dhe me qëllim që të realizohen projektet bazë kapitale që janë në interes të komunës, shumë komuna duhet të marrin hua. Nëse përqindja e TVSH-së që u kthehet komunave ose nëse rriten mjetet nga qeveria për komunat, një pjesë prej tyre nuk duhet të marrin kredi ose të hyjnë në borxhe për një bazë tjetër”.

Këtë herë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë i ndihmoi komunat përmes buxhetit të shtetit. Por, duke gjykuar sipas praktikës së deritashme, kjo nuk do të ndihmojë shumë sepse edhe nevojat reale të komunave për realizimin e detyrimeve aktuale, por edhe për shkak të orekseve shumë të mëdha të kryetarëve të komunave dhe partive të tyre politike në luftën për pushtet, u premtojnë qytetarëve shumë gjëra. Gjithmonë orekset janë më të mëdha se mundësitë, kështu që pushteti lokal hyn në projekte që nuk mund t’i paguajë vetë. Kështu, nga zgjedhjet në zgjedhje, komunat në Maqedoni janë vazhdimisht me borxhe, me llogari të bllokuara dhe me projekte të papërfunduara. Nuk ka përgjegjësi dhe borxhet e komunave janë një problem i vazhdueshëm i shtetit.

A ka ardhur koha që të rishikohet pozita e njësive të vetëqeverisjes lokale, racionalizimi i numrit të tyre, kriteri ekonomik si një parametër i vetëm i vlefshëm për mbijetesën e një komune. Përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet t’i japin partitë politike dhe Parlamenti i Republikës së Maqedonisë. Deri atëherë, me humbjet financiare të komunave, Republika e Maqedonisë po zhytet në borxhe edhe më të mëdha.

 

(„Storja është e përkrahur nga QGH SCOOP Maqedonia në kuadër të NED projektit “Promovimi i llogaridhënies përmes raportimit hulumtues”).