Data e sotme
July 16, 2020
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Maqedonia e Veriut si pikë e re e pajtimit në Ballkan

Shkruan: Denko Malevski

 

Babai im, njëri prej themeluesve të shtetit dhe kombit bashkëkohor maqedonas nuk dëshironte të fliste për historinë e Maqedonisë. Kur, miku i tij profesori Canko Hristov, më nxiste t’i kushtohem mësimit të së kaluarës tonë, ai nuk ishte i disponuar që ky të ishte preokupimi im i ardhshëm akademik. Ai, shkruante, fliste dhe punonte me vrull të paparë për të tashmen dhe të ardhmen e Maqedonisë dhe Jugosllavisë. Pa veprën tonë, nuk ka ku të qëndrojnë gjeneratat e ardhshme, tha vetëm në një rast. Motoja e kësaj gjenerate partizanësh ishte njëjtë sikurse edhe në republikat e tjera të Federatës: Nuk ka Maqedoni (gjegjësisht Serbi, Kroaci, Slloveni, Bosnjë e Hercegovinë) pa Jugosllavi dhe nuk ka Jugosllavi pa Maqedoni. Kur u shpërbë Jugosllavia, detyrë e jona ishte ta përgënjeshtrojmë atë. Se mund të ekzistojë shteti dhe kombi maqedonas edhe pa Jugosllavi. Përfundimisht, duke folur në mënyrë objektive, nuk kishim zgjedhje tjetër. Të hedhur në valët e politikës ndërkombëtare, duhej të notonim vetë. Dhe notuam. Maqedonia u bë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Organizatë universale e shteteve në botë. Atë për të cilën nuk mund ta përgënjeshtrojmë gjeneratën partizane edhe krahas të gjitha çmendurive të disa prej politikanëve maqedonas dhe lojërave të tyre me antikomunizmin dhe antikuizimin është se pa veprën e tyre, nuk do të kishim ku të qëndronim dhe se po fundosemi thellë – në shpërbërje.

Tregimi nuk është aq i ndërlikuar që të mos munden sot ta kuptojnë Kamenos dhe Karakaçanov dhe nuk është aq i thjeshtë siç e tregojnë nacionalistët grekë dhe bullgarë. I lindur në vitin 1919 në Mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, më vonë Mbretëria e Jugosllavisë, dhe i regjistruar në libra si Vlladimir Malqeviq, gjenerata partizane, Vllado Maleski ka mësuar në shkolla serbe, që, kur të vijnë kohëra vendimtare, ta absolvojë dilemën historike të popullit tonë: ekziston ose jo kombi maqedonas. Ka komb maqedonas, do të thonë komunistët, duke e zgjidhur çështjen maqedonase të federatës multinacionale të Jugosllavisë, por, nuk do të mbeten vetëm në fjalë. Do të investojnë angazhime të mëdha personale që kjo të ndodh. Komintern? Harrojeni shenjën ideologjike, mendoni me gjuhën e politikës ndërkombëtare, me gjuhën e fuqisë dhe thoni se shteti i Maqedonisë dhe kombi i saj, në kuadër të Jugosllavisë, është krijuar edhe me mbështetjen e Rusisë? Korrekte, apo jo? Fuqitë e mëdha gjithmonë e kanë përcaktuar kornizën e politikës botërore. Prandaj kini kujdes të mos akuzoni, pasi kjo është njëjtë sikur ta akuzoni Amerikën për atë që ndihma e saj ishte vendimtare për qëndrueshmërinë dhe njohjen ndërkombëtare të po këtij shteti në fillim të viteve të nëntëdhjeta.

Partizanët e Maqedonisë do ta shpallin ekzistimin e kombit maqedonas siç kuptova më vonë edhe para se ta lexonin “Për çështjet maqedonase (“Za makedonskite raboti”) të Kërste Misirkov. Si është e mundur, pyesja veten? Përgjigja është e thjeshtë: e njëjta dhimbje ka prodhuar zgjidhjen e njëjtë. Sot, kur e ndjekim linjën tonë kombëtare historike, e kemi të qartë se marrëdhëniet midis shteteve ballkanike dhe ato midis forcave të mëdha e kanë përjashtuar mundësinë e realizimit të idesë panbullgare – të gjithë bullgarët në një shtet. Tentimet e pasuksesshme, pas një serie të kryengritjeve të shuara me gjak, bullgarët maqedonas siç i kanë quajtur të tjerët jashtë vendit dhe janë quajtur vetë këta banorë të Perandorisë Osmane, e kanë nxjerrë alternativën: komb dhe shtet të mëvetësishëm. Edhe në rastin e Misirkovit edhe në atë me partizanët, kujdesi primar do të ishte se si të ruhet populli ynë dhe territori i tij.

Do të thotë, rrethanat e trishta para luftërave ballkanike dhe ato para Luftës së Dytë Botërore, e kanë nxjerrë formulën e shpëtimit: fati të merret në duart tona. Sot, kur shteti ynë, kombi dhe gjuha jonë janë njohur ndërkombëtarisht, kjo linjë është shumë më e qartë për ne. Kjo është pasi, siç shkruan Hobsbaum, kombi i vërtetë mund të njihet vetëm a posteriori. Misirkov, që ta shpëtojë Maqedoninë e tij prej ndarjeve angazhohet për “separatizmin nacional” për braktisjen e idesë pan-bullgare dhe për shpalljen e kombit maqedonas (sllav) si dhe gjuhën amtare të vetën. Edhe pse të gjitha paralajmërimet në analizën e tij aq moderne të politikës ndërkombëtare, “Për çështjet maqedonase”, e shkruar para njëqind e pesëmbëdhjetë vjetësh, janë të sakta, ideja nuk është realizuar. Pas idesë për Maqedoninë e unifikuar, nuk qëndronte fuqia e shteteve përreth. Disa dekada më vonë, për “serbojugorët”, partizanët maqedonas, dilema nuk ka qenë aq e vështirë sikurse tek Misirkovi. E kanë ditur se nuk janë serbë dhe kanë dashur kombin dhe shtetin e tyre. Do të thotë, partizanët arrijnë ta realizojnë idenë e Misirkovit, në një pjesë të territorit të Maqedonisë gjeografike, për të cilën komisioni i Karnegit, i rrezikuar prej barbarizmit të luftërave etnike ballkanike, do të shkruaj se shpallja e shtetit sovran të provincës otomane të Maqedonisë, do të ishte zgjidhja më e dëshiruar dhe më e drejtë.

Maqedonia është e jona, brohorasin sot nacionalistët grekë, ndërsa bullgarët përgjigjen se është e tyre. Për cilën Maqedoni flasin, termi, megjithatë, shkakton habi. Gjegjësisht nëse flasin për këtë Maqedoni për Maqedoninë e Veriut, ajo është e jona. Duket se nacionalizmat ballkanikë akoma janë të gjalla. Akoma pa dalë nga kontesti me Greqinë, Bullgarinë e kemi pas shpine. Serbia, e cila ka prioritete të tjera, na ka në shënjestër. Historia sikur po përsëritet para syve tanë. Por, në kushte kur e kemi shtetin tonë dhe kombin tonë dhe mbështetjen prej SHBA-së dhe BE-së, duhet të ballafaqohemi qetë me sfidat në të cilat jemi të ekspozuar të gjithë në politikën ndërkombëtare. Dhe duhet ta dimë se për herë të parë në histori ne jemi në epërsi: politika reale niset nga ajo që është dhe jo nga ajo që dikush dëshiron të jetë ashtu. Politika reale niset prej asaj që jemi dhe jo prej asaj që dëshiron dikush të jemi. Ndërsa është realitet se ekziston shteti maqedonas, gjuha dhe kombi maqedonas. Gjithçka tjetër zbehet para këtij realiteti. Edhe Republika dhe jo vetëm nacionalizmat ballkanikë, është e gjallë dhe e shëndoshë.

Grekët i bëmë miq, do t’i bëjmë edhe bullgarët. Maqedonia e Veriut si pikë e re në historinë e pajtimit midis popujve ballkanikë? Tingëllon e pamundur, por mund të jetë pikërisht ashtu.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit