Data e sotme
June 25, 2019

Më të pasurit do të paguajnë më shumë tatim, disa madje edhe trefish

Nga 1 janari 2019 do të fillojë tatimimi progresiv i të ardhurave personale në Maqedoni. Për dikë kjo do të thotë pagesë edhe e TVSH-së edhe e tatimit personal të të ardhurave, që do të thotë rritje e shpenzimeve tatimore për më shumë se tri herë

Tatimi progresiv i shtyn të mendojë ata të cilët punojnë për kompani të huaja të paguajnë tatim jashtë vendit

 

Shkruan: Igor Petrovski

Maria dhe Aleksandar janë çift i ri martesor. Ajo maqedonase, ai shtetas i BE-së, por jetojnë dhe realizojnë të ardhura në Maqedoni dhe janë obligues tatimorë të shtetit. Për nevojat e këtij teksti emrat e tyre janë ndryshuar, si edhe profesioni i tyre, pasi që deshën të mbeten anonimë, por janë personazhe të vërtetë.

Maria dhe Aleksandar punojnë si konsulentë marketingu për kompani të mëdha të huaja dhe fitojnë shumë më shumë se mesatarja e pagave të Maqedonisë. Paraprakisht kanë jetuar në disa vende evropiane, por, siç thonë, në Maqedoni “kanë gjetur veten” pasi, midis tjerash, ka pasur sistem tatimor të thjeshtë, tatim të sheshtë dhe shkallë të ulët tatimore. Por, Aleksandar ka frikë se jeta e tyre, megjithatë, do të ndryshojë me paralajmërimet për tatimimin progresiv dhe regjistrimin e tyre si tatimpagues të TVSH-së prej vitit të ardhshëm. Me Ligjin e ri për tatim të të ardhurave personave prej 1 janarit 2019, parashihet pjesa mbi të ardhurat vjetore prej 1.080.000 denarë, gjegjësisht mbi 90.000 denarë në bazë mujore, të tatimohet me shkallë më të lartë se 18 për qind në vend se sikur ishte deri më tani me tatimin e sheshtë prej 10 për qind.

Maria dhe Aleksandar janë vetëm dy prej shumë klientëve të konsulentit tatimor Pavle Gacov të cilët kanë kërkuar ndihmë prej tij lidhur me rregullativën e re ligjore.

“Këta të rinj kanë kontrata shumëvjeçare me kompani të huaja dhe ndryshimet në tatimim i godasin të ardhurat e tyre familjare. Përveç me tatimin progresiv të të ardhurave, të dy kanë marrë vendim prej Drejtorisë së të Ardhurave Publike për një regjistrim të caktuar për TVSH-në për vitin që shkoi . Kjo ka mbushur kupën. Thonë se po bëhen gati për t’u kthyer në atdheun e Aleksandrit dhe se kur t’i mbledhin tatimet (TVSH dhe tatimin e të ardhurave) të cilat do t’i paguajnë këtu dhe të ardhurat familjare të tatimuara në vendin e Aleksandrit, shkalla tatimore efektive atje është më e vogël se në Maqedoni”, thotë Gacov.

 

 


Në vend se 10 për qind “tatim personal” për dikë ngarkimi i përgjithshëm tatimor do të rritet edhe mbi 30 për qind

 

Për të na ilustruar se çfarë më konkretisht do të thotë ndryshimi i Ligjit për tatimin e të ardhurave personale, Gacov na bëri një përllogaritje për rastin e Marias dhe Aleksandrit dhe praktikisht, për të gjithë të tjerët të cilët hyjnë në kategorinë e personave fizikë me të ardhura më të mëdha se 1.080.000 denarë në vit.

“Ata realizojnë të ardhura prej 1.500.000 denarë në vit, secili prej tyre veçmas. Me rregullativën e re, ata bëhen pagues të TVSH-së dhe kjo shumë do t’u tatimohet me shkallë prej 18 për qind. TVSH është kyçur në shumë dhe është 228.814 denarë në shembullin tonë. Ajo që do të ngelet bëhet kryegjë për përllogaritjen e tatimit personal, gjegjësisht shumë prej 1.271.186 denarë, e cila e tejkalon për 191.186 denarë pjesën prej 1.080.000 denarë që tatimohet me shkallë prej 10 për qind (108.000 denarë), që do të thotë për këto 191.186 denarë do të paguhet tatim me normë prej 18 për qind apo 34.413 denarë. Kur të bëhet e gjithë matematika, në fund prej 1.500.000 denarëve fillestarë, pas të gjitha taksave të marra (371.227 denarë) tatimpaguesit do t’i mbeten saktë 1.128.773 denarë apo 24,7 për qind më pak para. Për të ardhura më të larta bruto në fund kjo shkallë rritet akoma më shumë, gjegjësisht edhe mbi 30 për qind. Në periudhën e kaluar, ky person ka paguar vetëm 10 për qind të tatimit personal”, sqaron Gacov.

 

Odat e biznesit e kundërshtuan ashpër tatimin progresiv

Për ndryshimin e tatimit të të ardhurave reagoi edhe sektori i biznesit në vend, përmes odave ekonomike, të cilat e kundërshtuan ashpër vendosjen e tatimit progresiv, duke e vlerësuar procedurën qeveritare si të përshpejtuar dhe si jo transparente, gjegjësisht se “është duke e vazhduar praktikën e dëmshme të shfrytëzimit të procedurës së shkurtuar gjatë sjelljes së ligjeve të rëndësishme të cilat kanë ndikim të madh ndaj ekonomisë në Maqedoni”, siç deklaruan nga Oda Ekonomike Amerikane – AmCham.

“Tatimi progresiv nuk do ta arrijë efektin e dëshiruar të përmirësimit të barazisë sociale, do të çojë drejt uljes së produktivitetit, punësimit dhe zhvillimit të kuadrove të larta me cilësi të lartë. Gjithashtu, vlerësojmë se ligji i propozuar do ta ulë bindjen ndaj taksave dhe do ta rrisë ekonominë gri, më pas do të çojë drejt evazionit të rritur tatimor, grumbullimit të vështirësuar të tatimeve dhe rritjes së shpenzimeve dhe kompleksitetit të grumbullimit të tatimeve. Njëherësh, vlerësojmë se ligji i propozuar do të ketë efekt negativ ndaj rritjes së zhvillimit të ekonomisë së Maqedonisë, derdhje të kapitalit dhe investime të zvogëluara, ikjen e inteligjencës dhe destimulimin e industrive inovative “smart” të cilat gjenerojnë të ardhurat më të larta dhe janë shtytës të ekonomisë”, ishte qëndrimi i AmCham.