Data e sotme
April 24, 2019

Çdo i katërti fëmijë në Maqedoni është i varfër

Shteti më shumë investon tek pensionistët sesa tek fëmijët. Për çdo 10 denarë të harxhuar për fëmijët, janë harxhuar 15 për personat e moshuar, tregoi analiza e organizatës “Finans Think”, Instituti për hulumtime ekonomike dhe UNICEF

Shkruan: Ivana Ramadanova

 

Çdo i katërti fëmijë në shtet jeton në varfëri. Vetëm një në 300 fëmijë nga familjet e varfra shkojnë në kopsht, ndërsa vetëm dy deri në tre fëmijë shkojnë në shkollë të mesme. Këtë e tregoi analiza e zbatuar para ca kohësh e organizatës “Finans Think”, Instituti për hulumtime ekonomike dhe UNICEF. Analiza tregon për mangësitë në kujdesin sistematik për fëmijët, për të cilën viteve të fundit alarmuan organizatat joqeveritare të cilat merren me këtë problematikë, midis tjerash duke e vënë në dukje kohën e fundit dhe pakujdesinë e shtetit me ajrin e ndotur i cili e rrezikon shëndetin e fëmijëve.

Sipas rezultateve të analizës, shteti më shumë mban llogari dhe investon për pensionistët se për fëmijët.

Dallimet midis shpenzimeve për fëmijët dhe për të moshuarit janë krijuar në shtatë vitet e fundit. Sot, për çdo 10 denarë të shpenzuara në programe për fëmijë janë shpenzuar 15 denarë në programe për të moshuar. Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve në vitin 2017 është harxhuar në programe për persona të moshuar apo 50 për qind më shumë se shpenzimet për fëmijë. Rritja e shpejtë e mjeteve të dedikuara për popullatën më të moshuar ka kontribuar që mjetet e harxhuara për fëmijë në mënyrë të konsiderueshme të ngecin në raport me mjetet e harxhuara për të moshuarit. Në periudhën monitoruese, shpenzimet për të moshuarit janë dyfishuar, gjegjësisht rritja e tyre është 92,7 për qind, që është pothuajse katër herë më shumë se rritja e shpenzimeve për fëmijë dhe dy herë më shumë se rritja e ekonomisë.

Në arsimin në vitin 2017 pjesëmarrje në investimet në infrastrukturë kanë qenë vetëm 3,8 për qind e mjeteve të ndara, ndërsa në mënyrë plotësuese ekziston edhe nënrealizimi i këtyre mjeteve. Përfundimi final është se investimet e rritura tek fëmijët tregojnë rezultate pozitive, kryesisht drejt shkuarjes në kopsht, por edhe drejt vlerësimit dhe rezultateve të nxënësve të shkollave të mesme prej familjeve të varfra.

Për momentin 3500 fëmijë marrin shtesë fëmijërore dhe arsimore, por pritet ky numër vitin e ardhshëm të rritet deri në mbi 60 mijë fëmijë. Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale para ca kohësh siguroi 30 milionë euro prej Bankës Botërore, prej të cilave 16 milionë dedikohen për ndërtimin e kopshteve të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese, duke siguruar hapësirë për 7.000 fëmijë të rinj.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska theksoi se bëhet fjalë për rritjen e kapaciteteve në kopshte, me qëllim të rritjes së përfshirjes së fëmijëve për start më të mirë.

“Janë duke u ndërmarrë reforma të cilat japin bazë për vendosjen e shtesës fëmijërore për arsim si transfer i cili drejtpërdrejt kujdeset për uljen e varfërisë dhe përfshirjen në procesin arsimor. Nuk mund të kujdeseni për fëmijë, nëse nuk kujdeseni për familjen dhe prandaj shtesës së garantuar minimale i shtohet shtesa fëmijërore dhe arsimore”, theksoi Carovska.

 

 

 

Shpenzime shtetërore dhe private për shëndetësinë e fëmijëve

Sipas hulumtimeve, shpenzimi për një fëmijë i bërë nga xhepi personal është i përafërt me shpenzimet që i bën shteti. Në numra kjo do të ishte se 55 për qind e shpenzimeve shëndetësore për një fëmijë është prej mjeteve publike dhe 45 për qind prej mjeteve private.

Në vitin 2017 për një fëmijë janë ndarë nga 9596 denarë mjete publike, prej të cilave 943 denarë përmes programeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe 8653 denarë përmes Fondit për Sigurim Shëndetësor. Shpenzimi për një fëmijë tek programet e Ministrisë së Shëndetësisë nga viti në vit ndryshon, ndërsa mjetet e FSSHM viteve të fundit janë në rritje.

“Sivjet për 30 për qind i rritëm mjetet për vaksina dhe jemi duke i furnizuar dy vaksina të reja për pneumokokën dhe rota virus. E ndryshuam ligjin për importim paralel me të cilin i furnizuam tre lloje të reja të insulinës dhe për 20 për qind më shumë pompa insuline, me të cilat do të lehtësohet trajtimi i diabetit tek fëmijët”, tha ministri Filipçe.

Sipas Benxhamin Perks nga UNICEF këtu nuk bëhet fjalë vetëm për atë në cilën mënyrë do të harxhohen paratë nga shteti, por me sa inteligjencë do të harxhohen

“Na duhet politikë e cila do t’i nxjerrë fëmijët nga varfëria dhe do t’u mundësojë të lulëzojnë në shkolla, që të bëhen të rritur të cilët do të kontribuojnë për vendin. Në fokus të vihen programe të cilat do t’u ndihmojnë fëmijëve të zhvillohen që në moshën më të hershme parashkollore”, tha Perks.

 

Shteti më së paku investon në fëmijët e komunitetit rom

 

Latifa Shikovska, nga organizata joqeveritare “Anbrella” vlerëson se shteti nuk investon mjaftueshëm tek fëmijët si grup më i ndjeshëm. Ajo si përfaqësuese e komunitetit rom, thotë se për një kohë të gjatë punon në terren dhe përveç gjendjes së pandryshuar ajo është duke u përkeqësuar.

“Të mos harrojmë, më të varfrit në shtet janë fëmijët e komunitetit rom në krahasim me fëmijët e tjerë. Ata i ekspozohen lypsarisë nëpër rrugët e Shkupit. Kemi fëmijë të pastrehë, fëmijë pa certifikatë të lindjes, të cilët nuk ekzistojnë, nuk janë të dukshëm në sistem. Çdo i dyti fëmijë është i sëmurë. Kemi fëmijë të cilët janë të përjashtuar nga sistemi arsimor. Asnjëherë nuk kanë shkuar në kopsht apo në shkollë”, theksoi Shikovska.

Lidhur me infrastrukturën, ajo thotë se në Shuto Orizare akoma nuk ka kopsht. MPPS ndërton kopshte në qytetet e tjera por jo edhe në komunën rome ku jetojnë 1500 fëmijë të moshës prej 0 deri në 6 vjeç.

Përfshirja e fëmijëve si grup i ndjeshëm gjithmonë varet prej mbështetjes së projekteve dhe donatorëve të huaj, rrallë apo asnjëherë nuk ndahen para shtetërore për përmirësimin e jetës dhe gjendjen e fëmijëve romë. Ata nuk janë fajtorë pse kanë lindur në familje të varfra. Ata, si edhe fëmijët e tjerë, meritojnë një mundësi për zhvillim dhe përfshirje në arsim, gjendje më të mirë shëndetësore dhe shërbime për ta, mbrojtje sociale. Mjaft më vetëm me angazhime deklarative. Atyre u nevojiten masa konkrete nga shteti për rritje dhe zhvillim më të mirë, për të ardhme më të mirë”, shtoi Shikovska.

 

Shteti të investojë më shumë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

 

Nga Ambasada e parë e fëmijëve Megjashët thonë se të drejtat e fëmijëve janë me rëndësi të veçantë dhe vazhdimisht duhet punuar në zhvillimin e tyre.

“Çdo shoqëri duhet të mundësojë rritje të drejtë për çdo fëmijë, ndërsa ajo është shoqëria në të cilën nuk ka luftëra, ka ajër të pastër dhe mjedis të shëndoshë jetësor. Ajo është shoqëria e cila u mundëson fëmijëve shëndetësi dhe arsim cilësor, ua njeh të drejtën fëmijëve të konsultohen për punë dhe vendime të cilat janë me interes për ta”, thonë nga Megjashi.

Që atje përmendin se sipas Raportit vjetor për vitin 2017 për punën e telefonit SOS për fëmijë dhe të rinj dhe të serviseve për ndihmë të drejtpërdrejt dhe mbështetje në kuadër të Ambasadës së Fëmijëve “Megjashët”, nga rastet e denoncuara, 47 kanë qenë viktima potencial të shkeljes të së drejtës së fëmijës gjatë procedurave të shkurorëzimit ku mund të shihet se më së shumti shkelet e drejta e fëmijës për t’u parë.

Se duhet investuar shumë më shumë në zhvillimin e fëmijëve, vlerësojnë edhe prindërit.

Aleksandra Kapsarova, nënë e dy fëmijëve të mitur, vlerëson se të drejtat e fëmijëve janë rrezikuar dhe se shteti duhet më shumë t’u përkushtohet dhe të investojë në ta.

“Mungon pothuajse gjithçka. Programe edukative përmes lojës në kopshte dhe shkolla, parqe rekreative për fëmijë në qiell të hapur, mjete rekreative për sport. Vlerësoj se fëmijët shumë kohë kalojnë para kompjuterit pasi prindërit druajnë t’i lëshojnë të luajnë jashtë ndërsa arsye për këtë janë rrugët e pasigurta dhe ajri i ndotur”, thekson Kapsarova.

Ivana Hristova, thotë se fëmijët janë persona që kanë të drejta për jetë dinjitoze, ndërsa kjo mund t’u mundësohet si prej prindërve ashtu edhe prej institucioneve.

Para së gjithash çdo fëmijë duhet të ketë dhe meriton shëndetësi dhe arsimim falas si edhe të drejtë zgjedhjeje. Të drejtën e familjes, të drejtën e mbrojtjes nga eksploatimi si edhe nga abuzimi seksual. Thjeshtë është e drejtë ushqimi i shëndetshëm, uji i pijshëm dhe ajri i pastër, thotë Hristova, nënë e një fëmije minoren.