Data e sotme
April 6, 2020

NDOTJA

Shkruan: Trifun Kostovski

Të nderuar lexues të mi,

Dëshiroj të përqendrohem në njërën prej temave më të dhimbshme të momentit në Republikën e Maqedonisë, e cila i prek të gjithë qytetarët, nga foshnjat e deri te personat e moshuar, ndërsa ajo është shkalla enorme e ndotjes. Bëhet fjalë për kanosje serioze për shëndetin e qytetarit, pasojat e së cilës vështirë mund t’i llogarisim. Kjo nuk është vetëm dukuri e padëshiruar por edhe shkatërruese për jetën tonë.

Strategjia për zgjidhjen e këtij problemi, duhet të bazohet në analizën e thellë dhe propozim masat efikase nga ana e kompetentëve në vend, për dekontaminim. Ndoshta më e rëndësishme është subjekti kompetent juridik i cili do t’i zbatonte dhe implementonte strategjitë e tilla për luftë kundër ndotjes të ketë ekspertizë të lartë në këtë sferë. Shkurt, neve na duhen analiza, të cilat do ta diagnostifikojnë ndotjen, jo vetëm të ajrit por gjithashtu të tokës dhe të ujit.

Për këtë problem, nuk duhet të kursehen para, pasi me asnjë çmim nuk mund ta blini shëndetin e njeriut.

Do të më lejoni të kthehem në shqyrtimin tim për arsyet, të cilat janë burim për këtë mjedis jo të shëndetshëm dhe të kontaminuar.

Në IRFJ apo akoma më larg RPFJ, në vitet e hershme të 50-ta filloi industrializimi në Republikën e Maqedonisë në kuadër të së cilit katër qytete ishin veçanërisht të goditura, ndërsa ato janë Shkupi, Manastiri, Tetova dhe Velesi. Këto qytete edhe për momentin shquhen si më të ndoturat në botë.

Në Shkup u instalua metalurgjia e zezë, përmes Minierave dhe Hekuranës Shkup, e cila merrej me përpunimin më të pistë të xeheve në gjysmëfabrikate dhe fabrikate, në kuadër të vetë Hekuranës së Shkupit. Gazrat e lëshuara dhe materiet helmuese nga shkritoret e atëhershme, sot vështirë se do të mund t’i përllogarisim.

Më pas në Shkup u vendos edhe metalurgjia me ngjyra, përmes Aluminës dhe Kupromit, si edhe industria e fuqishme kimike përmes Ohisit, ndërsa shumë më herët edhe Cvetan Dimov si edhe industria e lëkurës, e çimentos dhe e qelqit etj.

Të nderuar, Shkupi është kryeqyteti i vetëm prej të gjitha kryeqyteteve të ish- Republikave Jugosllave ku u vendos industria më ndotëse në botë.

Tetova akoma e paguan çmimin e ish-Jugohromit, sikurse edhe Manastiri çmimin e REK Manastir, që edhe sot e kësaj dite punon me teknologji të cilën bota e ka eliminuar prej kohësh. Mirë është që shkritorja në Veles, e cila i shkatërroi dhe i mori shumë jetë njerëzish, pas betejës shumëvjeçare u mbyll dhe më nuk është në funksion. Por, pasojat akoma ndjehen pasi periudha e dekontaminimit në mënyrë natyrore është minimum 20 herë më e gjatë se procesi i kontaminimit.

Por a vlerësoni se vetëm ajri është i kontaminuar? Apo duhet të mendojmë më thellë, a janë të kontaminuara toka dhe uji? Sipas bindjes time personale edhe uji edhe toka janë të kontaminuara, megjithatë akoma nuk ekziston teknologji e cila do të zbatohej tek ne që të dëshmohet kjo. Shpresoj se do të paraqitet dhe do të zbatohet edhe tek ne teknologjia e tillë, siç zbatohet me matësit e ndotjes së ajrit.

Në botën bashkëkohore ekziston sistem i përpunuar i pastrimit në të gjitha tre segmentet – ajër, ujë dhe tokë. Supozoj e pyesni veten se pse sot Londra nuk është qytet me mjegull, por përkundrazi. Tek shumica prej nesh, të cilët mbajmë mend më gjatë, Londra u identifikua si qytet ku mjegulla ishte pjesë përbërëse e përditshmërisë. Ky është vetëm një shembull se si bota ballafaqohet me gabimet e industrializimit, veçanërisht në industrinë primare.

Si në kushte të sotme zgjidhet problemi në Maqedoni me mbeturinat e ashtuquajtura të rënda? Përgjigja ime është se nuk ka kurrfarë strategjie e as përgjegjësit i kushtojnë vëmendje këtij problemi të madh.

Do t’ua përmend një rast të cilin e përjetova si kryetar i Qytetit të Shkupit, ndërsa ka të bëjë me fabrikën Alumina në Komunën e Karposhit, i cili u paraqit gjatë pastrimit dhe përgatitjes së terrenit për urbanizim. Si çdo industri, ashtu edhe Alumina, pati mbeturina të rrezikshme dhe të rënda, të cilat u deponuan në fuçi dhe meqë nuk ekzistonte asnjë sistem se si të zgjidhet kjo mbeturinë, fuçitë u deponuan në rrethin e vetë fabrikës që nga ekzistimi i saj. Gjatë pastrimit të terrenit të gjitha këto fuçi ishin të hapura dhe me pompa uji këto mbeturina u hodhën në kanalizim ndërsa edhe në tokë, që do të thotë se mbeturinat pjesërisht përfunduan në Vardar ndërsa pjesa më e madhe akoma jeton rreth nesh dhe me ne.

Pyes me përgjegjësinë më të madhe, deri kur do të sillemi në mënyrë të papërgjegjshme si tani, me problemet të cilat e rrezikojnë shëndetin tonë? Republika e Maqedonisë me urgjencë duhet të ndërtojë deponi, veçanërisht për mbeturina të rënda, të cilat do të trajtohen sipas mënyrës dhe procedurave të cilat nuk do ta vënë në pikëpyetje shëndetin e njeriut.

Mbeturinat e padëshiruara, të cilat e helmojnë jetesën tonë janë kudo rreth nesh. E përmenda industrinë e cila ndot, por dua të potencoj se ajo nuk është ndotësi i vetëm. Në mas të madhe ndotës jemi ne qytetarët vetë, sepse jemi të papërgjegjshëm ndaj mjedisit tonë.

Njëherësh do të pyesja edhe se si do të ballafaqohemi me azbestin e vendosur në të gjitha objektet private dhe afariste infrastrukturore nëpër gjithë Maqedoninë, i cili është me mijëra tonë. E dimë se një grimcë e këtij azbesti mund të jetë fatale për shëndetin e gjithsecilit prej nesh. Por, për këtë temë do të shkruaj kolumnave të radhës ndërsa me këtë desha të nxis tek ju një pikëpyetje të madhe: PSE E GJITHË KJO PO NA NDODH NEVE, pse nuk dimë të ulemi dhe të mendojmë se si të ballafaqohemi me këto probleme të mëdha, të cilat për politikanin e vërtetë duhet të jenë sfidë.

Në fund, dua t’ua uroj festat e Vitit të Ri, ndërsa për temën për të cilën kam shkruar më lartë, MENDONI…!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit