Data e sotme
July 23, 2019

Posta e Maqedonisë mbetet edhe për një vit monopol shtetëror i tregut

  • Posta e Maqedonisë edhe një vit do ta ketë të drejtën ekskluzive të dorëzimit të dërgesave – letra me peshë deri në 50 gramë
  • “Për shkak të interesave private dhe partiake të dikujt Posta e Maqedonisë mbetet kompani e pareformuar që jep shërbime të këqija për qytetarët”, thotë drejtori i Agjencisë për Posta, Vllatko Atanasoski
  • Pjesën më të madhe të të ardhurave Posta e Maqedonisë i realizon prej dërgimit të letrave ndërsa segmenti i dorëzimit të dërgesave të porositura onlajn as nuk është prekur

Shkruajnë: Igor Petrovski

 

Të paktën dhjetëra herë deri më tani ka pasur problem me dërgesat që i mbërrijnë prej jashtë, Gorani, disenjator i ri grafik nga Shkupi, i cili thotë se për këtë arsye ka ndaluar t’i shfrytëzojë shërbimet e Postës së Maqedonisë dhe ka kaluar në dërgesat shumë më të shtrenjta të shpejta..

“Kam nevojë për komponentë të ndryshëm nga teknika të cilat nuk mund të gjenden në vend dhe shpesh i porosis onlajn. Por, pas disa rasteve me dërgesa të humbura ose paketave të hapura me ç’rast pati edhe dëmtime të gjësendeve të porositura, vendosa të mos i shfrytëzoj shërbimet e Postës së Maqedonisë edhe pse mbërritja me postë të rregullt ishte varianti më i lirë për mua”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Gorani nuk është i vetmi i cili ka pasur probleme me dërgesat e dorëzuara nga Posta e Maqedonisë. Vitin e kaluar ka pasur mbi 2.000 ankesa për shërbimet e kësaj ndërmarrje shtetërore, prej të cilave pjesa më e madhe, 1907 ankesa kanë qenë për dërgesa të humbura postare, ndërsa vetëm 7 ankesa janë regjistruar për shkak të përmbajtjes së dëmtuar/zvogëluar të dërgesave postare, tregon Raporti për aktivitete postare në Maqedoni në vitin 2017 të cilin e prezentoi Agjencia për Posta.

“Por, kur do të krahasohen këto 2.000 dërgesa me numrin e përgjithshëm të 38,4 milionë dërgesave të dorëzuara postare në vitin 2017 nga Posta e Maqedonisë, që janë 0,005%, del së cilësia e shërbimeve të tyre postare është e shkëlqyer. Për fat të keq nuk është ashtu, me përgjegjësi pohoj se numri i ankesave do të ishte shumë më i madh nëse procedura për shtrimin e tyre nuk është komplikuar keq, pjesa tjetër e sistemit të vjetër socialist dhe i kthen qytetarët të cilët vlerësojnë se janë dëmtuar”, thotë Vllatko Atanasoski, drejtor i Agjencisë për Posta, e cila është rregullatore e tregut të shërbimeve postare në vend.

 

Tregu për shërbime postare duhej të liberalizohet që në vitin 2012

 

Atanasoski shton se pozitën monopolizuese që Posta e Maqedonisë e ka në treg në pjesën e dërgimit të dërgesave me peshë deri në 50 gramë – që do të thotë kryesisht në pjesën e letrave me përmbajtje më të ndryshme dhe dedikimin në qarkullimin e brendshëm postar si edhe dërgesat që mbërrijnë në vend prej komunikacionit ndërkombëtar postar – e frenon zhvillimin konkurrencës së lirë në biznes me dorëzimin e dërgesave postare, që çon drejt cilësisë së ulët të shërbimeve. Përveç Postës së Maqedonisë, për momentin në tregun vendor janë edhe 36 kompani që kanë licencë për ofrimin e shërbimeve postare, prej të cilave disa kanë autorizim për qarkullim ndërkombëtar, disa janë vetëm për territorin e shtetit ndërsa disa dërgojnë dërgesa vetëm për rajonin e Qytetit të Shkupit apo qyteteve dhe komunave të tjera në Maqedoni. Prej gjithsej 41 milionë dërgesa të dorëzuara postare në vitin 2017, Postës së Maqedonisë i takojnë 38,4 milionë dërgesa, apo 93,7% prej kulaçit të tregut.

“Agjencia për Posta e formuar në vitin 2008  mu për qëllimin për ta përgatitur liberalizimin e tregut për shërbime postare, do të thotë edhe shitje e “Postës së Maqedonisë” e cila është në pronë shtetërore prej njëqind për qind. Procesi i liberalizimit të tregut duhej të përfundonte që në vitin 2012, ndërsa tani jemi fundi i vitit 2018 dhe Qeveria kërkoi edhe një vit të vazhdojë monopoli i kompanisë. Me vite të tëra, për shkak të mbrojtjes së interesave partiake dhe të biznesit mbrohet edhe monopoli i kësaj ndërmarrje”, thotë Atanasoski.

Raporti për tregun e shërbimeve postare të cilin e përgatit Agjencia për Posta tregon edhe ulje të vazhdueshme në tregun postar, gjegjësisht në numrin e dërgesave të dorëzuara viteve të fundit. Në vitin 2014 vëllimi i tregut postar ka qenë përafërsisht 50 milionë dërgesa, në vitin 2015 ka qenë 47 milionë dërgesa. Përqindja e uljes prej 9% për vitin 2017 i referohet uljes së vëllimit te Posta e Maqedonisë për 10%, derisa vëllimi te ofruesit e tjerë të shërbimeve postare është ulur për 1,5%, thuhet në raportin e Agjencisë së Postave.

 

Në vend se të zhvillohet e-tregtia, mbrohet kontrabandimi”

 

Drejtori i Agjencisë, Atanasoski, thekson edhe se Posta e Maqedonisë aspak nuk e zhvillon segmentin e dorëzimit të dërgesave të porositura onlajn nga qytetarët e Maqedonisë, ndryshe, treg i cili rritet shpejtë në korniza botërore dhe tashmë e ka tejkaluar shifrën prej një miliardë dollarë në nivel vjetor. Problem është, sipas tij edhe dallimi i madh midis shumës për import pa dogana për përdorim personal në qarkullimin rrugor dhe shumën në qarkullimin postar, që lë hapësirë për keqpërdorime.

“Për momentin onlajn mund të porosisni dhe t’u mbërrijë përmes postës produkt vlera e së cilit është maksimum prej 22 euro, pa paguar dogana. Derisa nëse hyni në vend nga jashtë përmes vendkalimit kufitar, mund të fusni mall deri në 350 euro pa vlerë doganore. Dispozitat për importim pa dogana deri në 350 euro në qarkullimin rrugor keqpërdoren për import ilegal dhe kjo është një prej barrierave për zhvillimin e sektorit postar. Në këtë kontrabandim janë përfshirë nëpunës edhe të MPB-së dhe të Drejtorisë Doganore”, thotë Atanasoski.

Nga Agjencia për Posta disa herë deri më tani edhe pushtetit të kaluar edhe atij aktual i kanë dorëzuar propozim-ndryshime ligjore që duhet ta lehtësojnë konkurrencën në treg për shërbime postare, ta çojnë në privatizim Postën e Maqedonisë si edhe hyrjen e një lojtari të madh botëror në tregtinë onlajn në Maqedoni, por siç thotë Atanasoski, për të gjitha tentimet e tyre nuk kanë marrë përgjigje nga autoritetet.

Kërkuam edhe koment prej drejtorit të Postës së Maqedonisë, Ejup Rustemi lidhur me konstatimet e Atanasoski, prej kabinetit të së cilit na u përgjigjën se gjatë këtyre ditëve do të dalin me kumtesë zyrtare në opinion lidhur me liberalizimin e tregut për shërbime postare dhe momente të tjera që i theksoi Atanasoski.