Data e sotme
March 21, 2019

BOTË E BUKUR DHE E LODHUR

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Në kohë festash nuk flitet për politikë. Është njësoj si t’i biesh borisë në kohën kur njerëzit meditojnë. Festat reflektojnë në esencë gëzimin e jetës. Realiteti ndërkohë ia lëshon vendin fantazisë dhe ëndërrimit. Njerëzit kanë ëndrra dhe me afshin e tyre i japin kuptim jetēs. Së paku për pak çaste duan të harrojnë gjithçka, gjithë atē realitet të zymtë tipik për vendet e tranzicionit që nuk arrijnë të futen në dimensione normaliteti politik dhe ekonomik.
Përditshmëria jonë është cinike dhe kjo përcaktohet nga cinizmi politik që përshkon jetën e gjithsecilit. Cinizmi politik ushqehet nga elitat, të cilat ka kohë që janë shkëputur nga gjendja reale e qytetarëve. Elitat që nga fronet e akomodimit tē tyre botën e shohin me optimizëm.
Mesazhet e fundvitit të politikanëve ishin të mbushura me optimizëm. Numëruan sukseset e tyre dhe i “recituan” edhe njëherë premtimet e tyre, angazhimet që kanë ndërmend t’i kenë në agjendën e tyre për këtë vit.
Si jehona nga viti i kaluar vijnë në këtë vit që po shkelim deklarime politike që duket se do t’i bartin dinamikat dhe antagonizmat e njohura ideologjike dhe shoqërore. Edhe për një kohë do t’i kemi përplasjet politike mbi Marrëveshjen e Prespës, që për partitë në pushtet mbetet historike, ndërsa për opozitën një marrëveshje e papranueshme. E pashmagshme në këtë kalim viti është “jehona” e presidentit tē shtetit, cila mbetet e vendosur kundër marrëveshjes. Në bllokun politik shqiptar, partitë opozitare kanë parashtruar kushtëzimet e tyre që ndërlidhen me statusin e shqiptarëve në kushtetut. Lëvizja Besa ka lëshuar sinjalin për kryeminstrin Zaev se nëse nuk pranohen amandamentet e tyre do të duhet të gjejë vota tjera për Marrëveshjen e Prespës. Edhe Aleanca për shqiptarët është shprehur se ka shumë dilema për votomin e marrëveshjes.
Ndërkohë partitë shqiptare në opozitë e shohin Marrëveshjen e Prespës si një hap historik që hap rrugën drejt integrimeve europiane. Mesazhet e fundvitit të BDI, PDSH-së dhe Lëvizjes Besa të krahut të Afrim Gashi kanë riafirmuar përkrahjen e tyre pēr marrëveshjen si një mundësi për të hapur perspektivën euroatlantike.
Disa përplasje dhe situata dramatike në formë paralajmërimesh po zhvendosen edhe në këtë vit. Kryeministri Zaev ka theksuar këtyre ditëve se të sigurta janë vetëm 76 vota. Diku nē sfond të kësaj deklarate duket ligji për amnesti, i cili shihet në opinion si një veprim që bie ndesh me gjithë angazhemet për dënim të dhunës së 27 prillit në parlament.
Nē sfond të kēsaj deklarate qëndron edhe një vendim tjetër i konsideruar si i papritur, lëshimi nga PSP në arrest shtëpiak i disa krerëve më të ekspozuar të pushtetit paraprak që akuzohen për afera kriminale, konkretisht në rastin ” Perandoria”. Në ndërkohë disa shoqata joqeveritare tashmë e kanë ngritur zërin kundër ndryshimeve nē Kodin Penal, me të cilat ndryshime sipas tyre shmanget ndëshkimi i krimit dhe korrupsionit.
Janë këto disa nga jehonat që viti që shkoi i lëshoi në fund të rrugëtimit të tij. Ky vit politik duket se do të fillojë rrugëtimin duke pranuar këto jehona politike. Këto janë kumtet që vijnë nga sfera e pushtetit dhe politikës përgjithësisht.
Për më tepër kryeministri Zaev ka paralajmëruar një vit në të cilin do të ketë zjvillim ekonomik. Në sferën ekenomisë viti që shkoi vlerësohet si i zymtë. Kjo është vërejtur edhe në ditët e festës. Pak blerje dhe gjithashtu festime të kufizuara nga qytetarët. Por, duket një vullnet pēr ecur përpara. Një optimizëm i lodhur që këmbëngul për të kapur horizonte tjera. I mbetet politikës që ta transkiptojë këtë gjendje të dyzuar duke krijuar një suazë tjetër angazhimesh politike, ekonomike dhe kulturore.
Festat u mundësojnë njerëzve, pavarësisht nga gjithçka, ta kapin bukurinë e jetës. Gjithsesi një përpjekje madhështore përballë një bote të lodhur dhe të rënduar të “performuar” nga politika.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

Администратор
Администратор

Latest posts by Администратор (see all)