Data e sotme
June 17, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Arsyeja apo emocioni

Shkruan: Denko Malevski

 

Sharl Fransoa Rene Kastel de Sen Pjer (1658 – 1743) gjatë gjithë jetës së tij ka punuar në përmirësimin e shoqërisë së tij. Besimi i pafund në arsyen  e qenieve njerëzore, ka kontribuar që njerëzit e tij bashkëkohor ta konsiderojnë si njeri i cili ndërton kulla në ajër, ndërsa kryetarin e qeverisë franceze, ta quaj “agjitator të mërzitshëm dhe shqetësues”. Madje edhe Ruso i cili thellë e ka respektuar Sen Pjer, shkruan: “Ai do të ishte njeri mjaft i urtë sikur të mos ishte i arsyeshëm deri në absurditet”. Fjalë paralajmëruese nga mendimtari i madh, se në politikë dhe në shoqëri “emocioni” ka përparësi mbi “arsyen”.

I kujdesshëm të mos jem “i arsyeshëm deri në absurditet”, gjithmonë i kam në kokë këto fjalë. “Arsyen” apo “emocionin”, çfarë është ajo që dominon në politikën e Maqedonisë? Rregull i përgjithshëm është se në një debat të lartë emocional, siç është ai rreth ndryshimit të emrit, politika e arsyes, askund në botë, nuk ka qenë në përparësi në raport me politikën e emocionit dhe pasionit. Nëse, për çështjen e emrit, udhëheqësia e re e VMRO-DPMNE-së, njëherësh në instinktin e vet për mbijetesë politike, vazhdon të luaj në letrën e vjetër të nacionalizmit maqedonas, do ta kenë mbështetjen e shumë skllevërve të miteve nacionale. Ajo që disa prej udhëheqësisë së partisë vet nuk janë skllevër të këtyre miteve, por vetëm bëjnë politikë prej tyre, është një temë tjetër që flet për karakterin e tyre. Por, paramendoni pasojat politike prej një slogani si ky: Grekët na e morën tokën maqedonase, ndërsa tani, me Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimin e emrit edhe shpirtin maqedonas. Poshtë tradhtarët! Nëse mjaftueshëm e përsërisni këtë apo edhe në aspektin muzikor e ilustroni me “VMROOO…VMROOO…”, nuk nevojitet truri i votuesve, zemra do ta kryej punën. Politikanët e rinj dinakë e dinë atë dhe nga e para e nisin lojën e njëjtë.

Këtë emocion të fuqishëm vështirë e kundërshton arsyeja me shpjegimin që prehet ndaj analizës racionale për të cilën, në jehonën e fushatave zgjedhore, siç do të jetë fushata e ardhshme presidenciale, për shembull edhe ashtu nuk ka kohë. Si të shpjegohet në mënyrë të arsyeshme pavarësisht se sa politikanët maqedonas, madje edhe populli maqedonas, janë të gatshëm të presin ndonjë kompromis të volitshëm, trupi votues shqiptar do të radikalizohet nëse opsioni BE dhe NATO mbetet shumë i mbyllur për ta, duke shkaktuar “ukrainizimin” e Maqedonisë? Si të shpjegohet se pasi të prodhohet kjo situatë radikale, kthimi në atë parapraken është shumë i vështirë, pasi, si me shpërbërjen e Jugosllavisë multinacionale, disa sekuenca të humbura kohore shpesh nuk mund të kompensohen? Si të shpjegohet se nëse nuk kalon Marrëveshja e Prespës, qoftë në Greqi apo Maqedoni, marrëveshja e re, në rastin më të mirë të do ishte e njëjtë ose me siguri shumë më e keqe për maqedonasit? Apo si të shpjegohet se me amnistinë, pushteti ndoshta i mori votat e nevojshme por fitoi edhe armiq të rinj dhe të ashpër të cilët tani janë në liri dhe do të punojnë, me gjithë fuqinë, kundër saj? Për këto edhe shumë çështje të tjera, pati kohë për të folur gjatë gjithë këtyre muajve. Por, Maqedonia nuk e ka potencialin mendor dhe vullnetin për një ndërhyrje të tillë në inteligjencën e saj grindavece. Ja edhe një arsye se pse kur vijnë zgjedhjet, në kaosin zgjedhor që krijohet, zemra ka epërsi para kokës.

Jo, jo nuk ka nevojë të jetë ashtu, e as nuk është ashtu në të gjitha vendet: arsyeja të jetë inferiore në raport me emocionin. Megjithatë, duke e mbrojtur emrin kushtetues, njëzet e shtatë vjet edhe duke mos menduar për kompromis, politikanët e Maqedonisë e stimuluan “zemrën” kundrejt “kokës”. Drama e papritur e shkaktuar prej ndryshimit të gjeopolitikës botërore e cila e prodhoi domosdoshmërinë prej zgjidhjes së shpejtë të “konfliktit të ngrirë” midis Maqedonisë dhe Greqisë, i kapi politikanët dhe popullin totalisht të papërgatitur. Veçanërisht popullin emocionet e së cilit ishin të keqpërdorur prej një cikli zgjedhor në një cikël tjetër.

Gjegjësisht, edhe pse dihej se aleancat ekzistojnë për t’i mbrojtur interesat e anëtareve të saj dhe nuk ka NATO dhe BE pa kontest të zgjidhur me Greqinë, ankandi politik që është patriot më i madh nuk ndaloi me dekada. Thirrja prej socialdemokratëve që populli përfundimisht të fillojë të mendojë me kokën e vet ishte tejet e vogël dhe tejet vonë për fitore në referendum. Sjellja e papërgjegjshme e nacionalistëve të cilat luajtën një lojë të dyfishtë që në fund ta bojkotojnë referendumin, nga ana tjetër, e prodhoi heshtjen e një pjese të madhe të qytetarëve. Arsyeja? Vetëm se e thashë: kur bëhet fjalë për çështjen e emrit, demokracia jonë, nga viti 1991 e këtej, u shndërrua në një demagogji brutale fitimprurëse për fitore në zgjedhje. Në mungesë të aftësisë dhe vullnetit të partive që të bashkohen rreth së ardhmes së shtetit tonë, pasojat prej kësaj loje demagogjike dekadëshe, do t’i shohim edhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit