Data e sotme
January 19, 2019

MARRËVESHJA E SHPRESËS DHE E SHQETËSIMEVE IDENTITARE

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Debati mbi Marrëveshjen e Prespës gjatē tërë kohës është përcjellë me përplasje partiake, të cilat në esencë kanë prekur në sferën identitare. Hapja e ndryshimeve në kushtetutë sipas kēsaj marrēveshjeje është votuar nga të gjitha partitë me përjashtim të VMRO-DPMNE-së, e cila e ka kundërshtuar këtë marrëveshje duke e konsideruar si të dëmshme për identitetin maqedonas.
Brenda kohës, edhe në bllokun politik shqiptar, partitë opozitare kanë parashtruar amandamente për disa ndryshime në preambulë nëpërmjet tē cilave, sipa tyre, përforcohet pozicioni i shqiptarëve në kushtetutë. Tashmë kryeministri Zaev ka pranuar disa nga kërkesat e Aleancës për Shqiptarët, mbi disa definime në preambulë, të cilat nga partia e Selës janë parë si problematike për konceptin e barabarësisë për tē gjithë qytetarët.
Lideri i ASH-së, menjëherë pas takimit me kryeminstrin Zaev ka deklaruar se “prej sot nuk do të kemi dy kategori të qytetarëve- qytetarë, si dhe qytetarë të tjerë, por do të jetë vetëm populli maqedonas, shqiptar, turk etj”. Kryeminstri Zaev gjithashtu ka shfaqur kënaqësinë e tij për arritjen e marrëveshjes me ASH-në. “Nga preambula do të fshihen disa fjalë me qëllim që të mos ketë ndjenjë se dikush këtu është i përkohshëm”, ka theksuar ai pas takimit.
Brenda kohës është bërë e ditur se kryeministri Zaev ka paralajmëruar edhe pranimin e propozimit të Lëvizjes Besa të Bilall Kasamit për heqjen e emërtimit “maqedonase” për qytetarët shqiptarë në dokumentet personale. Nuk dihet nëse do të pranohet çështja e 20 përqindëshit që gjithashtu ishte një ndër kërkesat e partive opozitare nē bllokun politik shqiptar. Lideri i ASH-së Zijadin Sela ka theksuar se edhe pēr këtë do të këmbëngulin në të ardhmen.
Duket se bashkë me marreveshjet me partitë opozitare në bllokun politik shqiptar, kryeminstri Zaev tashmë ka siguruar shumicën e nevojshme për të miratuar në parlament Marrëveshjen e Prespës, e cila është konsideruar si historike dhe si kusht i padiskutueshëm për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE. Marrëveshje historike e ka qujtuar në një intervistë të tij të fundit edhe ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli. Gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë përkrahur këtë marrëveshje, e cila vlerësohet se iu jep fund dilemave për orientimin strategjik të Maqedonisë, duke hapur një perspektivë europiane . Nga shumica e qytetarëve kjo marrëveshje është parë si një shpresë për të dalë nga humnera e gjatë e tranzicionit dhe për t’u futur në koordinata tjera të afirmimit dhe të zhvillimit ekonomik në kohën kur shumë të rinj po e braktisin vendin.
Padyshim nga një pjesë tjetër është parë me skepticizëm dhe me shqetësime identitare, të cilat janë afishuar politikisht nga partitë politike opozitare në bllokun politik maqedonas dhe shqiptar. Diskurset kundër marrëveshjes dhe diskurset e rezervuara kanë qenë të pranishme në hapēsirën publike. Këto diskurse gjithnjë janë ndërlidhur me çështjet identitare, të cilat duket se në orët e fundit të miratimit të marrëveshjes kanë intensitet të zvogëluar. Me gjasë këto diskurse do barten edhe në periudhën e ardhshme në formë betejash politike elektorale. Një ndër ato beteja do ta kemi së shpejti në prag të zgjedhjeve presidenciale.
Sigurisht çështjet identitare mbeten kategori dinamike në hapēsirën publike në dimensionet e perfomimeve politike dhe kulturore. Diskurset mbi çështjet identitare në rrafshin politik dhe kulturor mbeten të pambaruara dhe gjithë kjo e nënkupton një paradigëm moderne në të cilën shpresojmë të futet edhe Maqedonia.
Demokracia mbetet debat i përhershëm, ndërsa politika mbetet një veprimtari që në epiqendër ka njeriun. Në vizionin europian edhe çështjet identitare i nënshtrohen njē debati të pandërprerë, por gjithnjē mbi premisa argumentuese dhe të një perfomance dhe koncepti tjetër që është në korrelacion me vlerat europiane.
Në rrugën e vështirë por të pakthyeshme drejt këtyre vlerave asgjë nuk përfundon njëherë e përgjithmonë. Është një proces i thellë dhe shumëdimensional që kërkon përkushtim, tolerancë dhe mbi të gjitha angazhim të përhershëm për të mbajtur të hapur horizontin politik dhe shoqēror ndaj premisave politike dhe kulturore europiane që tashmë i kanë dimensionuar në nivele tjera edhe çështjet identitare.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

Администратор
Администратор

Latest posts by Администратор (see all)