Data e sotme
January 19, 2019

2019 ÇFARË NA PRET KËTË VIT

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Të dashur lexues, të mi, qytetarë dhe qytetare të Republikës së Maqedonisë, në fillim të vitit të ri 2019 dëshiroj t’ju uroj shëndet të mirë, mendime dhe hapa të matur me të cilat do ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët. Pavarësisht nga dëshira që Maqedonia të jetë e suksesshme, nuk mund të mos përmend më se ndjenja e pesimizmit mbizotëron, për disa arsye.

E para dhe më e fuqishmja, është situata shqetësuese politike në vend. Përçarja e partive, si në bllokun politik maqedonas ashtu edhe në bllokun shqiptar, është shkaku i për ndërlikueshmërinë e  progresit të Republikës së Maqedonisë. Mungesa e kulturës politike dhe përgjegjësisë së përbashkët politike, e cila është mbi interesat e veçanta dhe që do t’i vë interesat prioritare për çdo qytetar të këtij vendi, çon në mungesën e vullnetit të partive politike dhe liderëve që në mënyrë të pjekur dhe përmes bisedës së arsyeshme të veprojnë lidhur me të gjitha problemet e hapura. Kjo më bën të pikëlluar, sepse jam i lodhur, ndërsa konsideroj se edhe ju bashkëqytetarë të mi.

Për shkak të përplasjeve politike, pazaret dhe lojërat, e të ashtuquajturve lojtarë të mëdhenj, ne të gjithë paguajmë çmim të lartë. Qeveria e re promovon stil të ri të qeverisjes, në të cilin është i bindur se ka arritur sukses të madh politik, me ndryshimin e Ligjit për tatimim. As nga larg nuk ka ambient e madje debate të hapura për ndryshimin e këtij ligji. Të jeni të bindur se konsekuencat e zbatimit të tij, përsëri do të bien në shpinë të qytetarëve. Arsyeja për këtë interpretim timin i referohet para së gjithash faktit se një përqindje e madhe e qytetarëve jetojnë me punë për ekzistencë dhe se kjo u dedikohet kompanive dhe personave, të cilët më shumë fitojnë dhe duhet në mënyrë plotësuese ta mbushin buxhetin e Republikës së Maqedonisë. Shfrytëzohen përvoja prej shteteve, konkretisht Danimarka, vend i cili parë nga aspekti i sotëm është shumë më i avancuar prej realitetit tonë.

Dua ta bind pushtetin aktual, se ka shembuj prej kompanive, veçanërisht nga ato informatike, të cilat menjëherë pas sjelljes së këtij ligji i transferuan bizneset në njërin prej vendeve fqinje.

Ky shembull është një segment i vogël, i cili duhet të pasqyrojë realitetin e përgjithshëm. Kompanitë e pasura dhe individët me siguri do të gjejnë një mënyrë për të shmangur këtë barrë shtesë në të ardhurat dhe bizneset e tyre. Përgjithësisht sipas mendimit tim, ky është një gabim katastrofik i qeverisë së tanishme. Unë nuk e kam marrë ose nuk kemi marrë arsyetim se pse ekonomia po lëviz me rritjen më të ngadalshme, jo vetëm në rajon, por edhe në botë. Unë konstatoj se në mungesë të ideve dhe projekteve për progres të vërtetë në ekonominë reale të Maqedonisë, merremi me gjëra të parëndësishme, për të cilat as nga larg nuk jemi të gatshëm për t’i implementuar.

Me promovimin e zonave të lira ekonomike, si burim kryesor për investime kapitale, zbulohet përmendore e madhe për ish-kryeministrin në egzil Nikolla Gruevski. Nëse vizioni i Gruevskit është vizion i vërtetë në zhvillimin e Republikës së Maqedonisë, atëherë propozoj kjo qeveri ta angazhojë si konsulent. Tingëllon cinike… Apo jo? Më bindni zonja dhe zotërinj se keni vizion për këtë shtet.

Ndryshimet Kushtetuese pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, tashmë janë  hapur në Kuvend dhe jemi dëshmitarë se janë duke u paraqitur shumë kërkesa, të cilat sipas vlerësimit tim, vetëm se janë duke e komplikuar situatën edhe ashtu të rëndë në Maqedoni. Në vend të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike, jemi duke u ballafaquar me hapjen e sërishme të edhe një krize më të madhe në Maqedoni.

Na presin zgjedhjet presidenciale herët në pranverë, gjatë këtij viti, ndërsa janë të mundshme zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat për ekonominë paraqesin sfidë të madhe, jo si të përmirësohet por si të mbijetohet, pasi cikle të tilla zgjedhore, praktikat tregojnë se ekonomia gjithmonë stagnon.

Prandaj, bashkëqytetarë të mi të dashur, nuk mund të largohem nga ideja se edhe ky vit do të jetë vit i humbur për Republikën e Maqedonisë, jo për udhëheqësit politikë, por për qytetarët të cilët kam përshtypjen, janë gjithnjë e më shumë apatikë, duke mos pasur besim se mund të bëjmë një hap përpara për të nesërme më të mirë. Me një fjalë, agonia e Maqedonisë si një shtet i pavarur vazhdon nga vetëdeklarimi i saj deri në ditët tona.

A do të mbledhim forca edhe këtë vit të qëndrojmë apo është koha të themi MJAFT MË!

Maqedonia në mesin e qytetarëve të vet ka persona të mençur dhe me përvojë, megjithatë, teatri politik aktual këta njerëz i margjinalizon, kështu që rrallë do të gjeni në Maqedoni njerëz të aftë të cilët do të hynin në politikë.

Do të më lejoni në fund t’u kërkoj falje disa personave të cilët do të gjenden të goditur prej pikëpamjeve të mia të tilla, megjithatë qëllimi im nuk është t’i lëndoj, por përkundrazi t’i motivoj të krijojnë ambient, në të cilin secili individ do të japë kontributin e tij në zhvillimin e mëtejmë të Republikës së Maqedonisë.

Koha po kalon, Vardari gjithashtu në secilin shteg ka rrjedhur, derisa shtetet ballkanike i ndryshonin kufijtë e vet, ndërsa ndryshimi i tillë sjell dhimbje, mjerim dhe gjak.

A do të rritemi për ta kuptuar këtë sfidë? MENDONI…

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

Администратор
Администратор

Latest posts by Администратор (see all)