Data e sotme
April 21, 2019

NUK KA SHTET DEMOKRATIK ME PARTI POLITIKE TOTALITARE

Te partitë në Maqedoni mbretëron heshtja dhe tek ato akoma nuk ka as “d” prej demokracive të brendshme partiake

Shkruan: Zoran Ivanov

Maqedonia hyn në etapën përfundimtare të hapërimit, për fillim të paktën të ndalet në prag të derës së hapur të shoqërisë së vendeve demokratike lidere. Klubi i NATO-s është destinacioni i parë, BE është hapërimi i mëtejmë i sigurt. Fjala është për mundësinë shteti i Maqedonisë dhe në përgjithësi shoqëria e Maqedonisë t’i ndjejë vlerat demokratike. Varet prej nesh dhe veçanërisht prej partive politike nëse do të mbetemi me shprehitë dhe praktikat ballkanike apo do t’i ndryshojmë në frymën e atyre evropiane.

Shtetet janë të kryesuara dhe të rregulluara prej partive politike pasi pas zgjedhjeve fituesit do t’i  pushtojnë pozitat, institucionet, buxhetin. A do të drejtohen në mënyrë demokratike apo në pajtim me sjelljet totalitare partiake nuk është vetëm teori por edhe debat i nevojshëm. Gjendja në shtet varet drejtpërdrejt nga gjendjet në parti. Tranzicioni i transformimit demokratik të partive politike tek ne as që ka filluar. Me rëndësi termat “demokratik” dhe “demokratike” i kanë betonuar në emrat e tyre dhe këtu u fillon dhe këtu u mbaron demokracia partiake. Në rregullimet e tyre të brendshme partiake, në praktikën e tyre partiake, vetëm edhe pak ka mbetur nga demokracia. I gjithë rregullimi partiak është koncentruar rreth liderit dhe gjithçka varet nga sjelljet e tij drejtuese.

Në këto pothuajse tri dekada të jetës politike, janë të shumtë shembujt me anëtarë të afirmuar, kryesisht të funksionarëve të lartë partiakë, për shkak të toneve kritike të ndara të cilat nuk korrespondojnë me ato të kreut të partisë, të izolohen prej pozitave të tyre ndërkombëtare me ndikim deri në shkallë të përjashtimit të tyre prej partisë amë. Për këto arsye praktika e Maqedonisë është përplot me ngjarje të shtresëzimit të partive, të ndarjes nga amëza dhe të formimit të subjekteve të reja partiake. Baza e jotolerancës pa përjashtim është për shkak të mungesës së një ambienti të lirë dhe të hapur partiak për ide të reja, për zgjidhje të tjera dhe për shkak të mospërshtatjes dhe kritikave publike ndaj disa hapave të caktuar të liderit dhe mbështetësve të tij të heshtur. Makineria burokratike partiake e vrazhdë fillon të bluaj dhe kaq prej demokratikes që e përmban emri i partisë.

Në historinë tonë të shkurtër plurale pati nisma për skicimin e demokratizimeve statusore si për shembull për fraksione të brendshme partiake. Por, të gjitha këto tentime përfunduan me ndarje partiake.

Rekordin e mban VMRO-DPMNE. Prej saj dolën gjashtë, shtatë e Gollubovskit, e Georgievskit, e Stojmenov, e Zmejkovsit, VMRO-PD, VMRO-PP, VMRO-E vërteta, VMRO e tillë, e atillë, ndërsa pasuan edhe përjashtimet e reformistëve. Tek LSDM grupi i Petkovskit u shndërrua në PRSD dhe më pas prej saj u krijua edhe nga ndonjë margjinale. Parti të reja dolën edhe prej PL si PLD, pastaj RDM si edhe një apo dy të cilat shpejtë u zhdukën në tollovinë e madhe partiake. Në mënyrë identike edhe tek partitë e votuesve shqiptarë. Nga PPD-ja, Xhaferi dhe Thaçi e formuan PDSH-në, pastaj prej saj u nda Sela me Aleancën, para asaj lindi edhe RDK si edhe disa të tjerë regjistruan subjekte të veta partiake. Me përvoja të ngjashme është edhe BDI me Ostrenin si edhe me disa individë dhe kështu me radhë.

Të gjitha kryesisht si reagime ndaj monopoleve lidere dhe të mbrojtësve të tyre nga radhët e mjedisit hierarkik. Në partitë maqedonase mbizotëron heshtja dhe në to akoma nuk ka as “d” prej demokracive të brendshme partiake. Akoma ngjajnë në lozha malonike mistike. Anëtarësia më e gjerë është e izoluar nga çfarëdo izolimesh në ndërtimin e politikave ditore partiake. Ato, si dhe kombinatorikat për kuadrin qëndisen pas perdes së hekurt partiake. Lideri është bosi, sulltani, koka. Për “haukun” e tij vetëm pëshpëritet, por publikisht askush nuk guxon të bëjë zë.

Partitë e Maqedonisë janë pjesë e familjeve të grupacioneve identike ideologjike evropiane. Por dukshëm, prej partnerëve të tyre prodemokratik perëndimorë, deri më tani akoma nuk kanë mësuar asgjë. E as nuk kanë marrë gjë prej praktikave të atjeshme partiake. Asgjë nuk “kanë” vjedhur prej statuteve të tyre ku janë theksuar konceptet demokratike partiake. Veçanërisht jo dispozita të cilat i definojnë edhe modelet e fraksioneve dhe proceset e hapura dhe transparente partiake zgjedhore. Dhe duket se asgjë prej parimeve dhe metodave morale për kontrolle ndaj krerëve të tyre partiakë të instaluar në funksione shtetërore. Gjithsesi, e gjithë kjo më lartë është vetëm çështje e brendshme e secilës prej partive politike tona. Problemi i përgjithshëm është se kur janë në pushtet, siç e bëjnë atë në partitë e tyre, në mënyrë identike, me sjelljet e njëjta totalitare, ata e drejtojnë edhe shtetin.

Edhe gjatë praktikumit të pushtetit, qeverisja e tyre kryesisht e reflekton mentalitetin partiak. Tani vetëm i pasqyruar në drejtimin e shtetit dhe me resurset e saj. Në mënyrë jotransparente udhëheqin politika pa vlerësime publike. Prej shtabeve të partive diktohen vendimet e kuadrit, kurdisen punësime, mbulohet çdo pore ku lëvizin paratë e buxhetit. Pasojë e rregullimeve të tilla të brendshme partiake të kontrolluara është se në vend të  shtetit institucional akoma ekziston shteti partiak. Këto praktika të diktuara prej partive politike më të fuqishme, vendin me vite e mbajnë të ngujuar në shkallën më të ulët të standardeve evropiane të vlerave.

Demokracia e brendshme partiake është postulati primar për realizimin e proklamatave për shtet demokratik. Ajo është veçanërisht e domosdoshme pasi është faktor kontrollues elementar për evropeizimin e përshpejtuar të Republikës së Maqedonisë. Transparenca e brendshme partiake është mekanizmi më i fuqishëm mbrojtës prej keqpërdorimeve të resurseve publike nga bartësit partiakë të funksioneve publike. Demokracia partiake është kushti për funksionimin e paanshëm edhe të shtetit, edhe të institucioneve të saj juridike dhe të gjitha institucioneve të tjera.

Veprime publike, debate të lira, lista të hapura zgjedhore, nominime transparente, votime të fshehta si edhe etablime statusore të fraksionuara, preferohen vlerësime në drejtim të demokratizimit të domosdoshëm proevropian të partive politike të Maqedonisë. Përvoja e tipit “si të thotë dhe kë do ta zgjedh lideri” prej tre dekadash, do të ishte e dëshirueshme sa më parë të jetë e kaluar.

E derisa partitë tona politike nuk e instalojnë dhe nuk e praktikojnë demokracinë e vërtetë funksionale, deri atëherë nuk ka shpresë as për një hap përpara drejt shtetit demokratik.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit