Data e sotme
July 16, 2020
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Nacionalizmi si keqpërdorim i ndjenjave patriotike të qytetarëve         

Shkruan: Denko Maleski

 

Opinionit kurioz, të ngazëllyer dhe të paduruar, se çfarë do të ndodh pasi Maqedonia të bëhet anëtare e KB-së, iu përgjigja se do të festojmë një ditë, por se ditën tjetër na pret punë e madhe. Njohja ndërkombëtare e një shteti, nuk është fundi por fillimi i luftës së këtij shteti për mbijetesë. Shtetin tonë e priste përshtatja me kërkesat e fqinjëve dhe mësimi i leksioneve të politikës botërore. Është një e vërtetë e dëshmuar se politika ndërkombëtare është një sferë e rrezikshme e jetesës së njeriut, vend ku vendoset për luftë dhe paqe dhe me të cilën dominon paqja dhe interesat. Opinioni në Maqedoni këtë e kuptoi me vështirësi. Madje edhe shkëputja e qetë nga federata konsiderohej si diçka normale dhe jo si politikë e qëllimshme e njerëzve të përcaktuar për paqe.

E lindur në Evropë në vitin 1993, koha e një entuziazmi të madh për plan paqësor i quajtur Bashkim Evropian, fuqishëm i mbështetur nga SHBA, politika e jashtme e së cilës ishte t’i japë mundësi asaj që do të lindë ta tregojë aftësinë e vet për jetë, Republika e Maqedonisë nuk e përcaktoi saktë strategjinë e saj për mbijetesë. U ndje kaq e privilegjuar nga vëmendja, mirëkuptimi dhe ndihma të cilën e merrte nga Perëndimi, saqë besoi se jo ne por bota dhe fqinjët duhet të përshtaten për ekzistimin tonë. Kështu, duke iu referuar të drejtës së vetëpërcaktimit, politikanët shpikën identitet dhe histori, në kundërshtim me rrjedhat e historiografisë botërore. Barazinë formalo-juridike të shteteve nga ana tjetër e shpallën për barazi faktike, në kundërshtim me realitetet e politikës botërore.

Kjo marrëdhënie ndaj botës ishte produkt i nacionalizmit maqedonas “krenar” me të cilin koketuan politikanë dhe intelektualët. Kështu, duke iu referuar të drejtës ndërkombëtare dhe duke i lënë pasa dore realitetet e politikës botërore, ata i harxhuan pa pak tridhjetë vjet prej jetës së qytetarëve të Maqedonisë. Për çfarë? Për zgjedhjen personale dhe rizgjedhjen në organet e pushtetit dhe në institucionet e tjera të shtetit të ri. Loja me nacionalizmin, e njohur si “mbrojtje e emrit”, u bë e shpagueshme dhe e rrallëkush, djathtas e majtas rezistoi që të mos ketë ndonjë fjade – me privilegje, me para, me funksione, me heshtje apo duke folur zëshëm. Megjithatë, politikat e tilla populiste i paaftësuan edhe qytetarët të mendojnë për një sferë të komplikuar të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ta njohin hierarkinë e fshehur dhe fuqinë edhe të interesave mbi të cilat është ndërtuar ajo. Ta kuptojnë, për shembull, 86 për qind e rasteve të konfliktit midis dy shteteve, “drejtësia” është në anën më të fuqishme.

Duke shkuar nëpër rrugën e gabuar, e bëmë një xhiro të madhe kohore dhe sot jemi atje ku ishim në vitin 1991. Atëherë, politika zyrtare e Maqedonisë thoshte se identiteti ynë është sllav dhe del prej gjuhës të cilën e flasim, se nuk pretendojmë për trashëgiminë kulturore të maqedonasve antikë, se nuk kemi pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe se jemi të gatshëm për kompromis me të cilin do të bëhet distinksion midis shtetit tonë të ri dhe provincës greke të Maqedonisë. Sikur ta kishim përmbushur termin “Maqedonia” me këtë përmbajtje (sllave), emri me kompromis, me siguri, do të ishte vetëm për jashtë. Madje është e mundur edhe ta kishim ruajtur emrin, nëse do t’i kishim zgjidhur paraprakisht keqkuptimet historike me Bullgarinë.

Në vend të kësaj, nacionalizimi ynë prodhoi – “erga omens”. Politika e antikuizimit me të cilën u përfshi e gjithë shoqëria, duke e përfshirë edhe sistemin shkollor, e rriti çmimin e kompromisit për ne: tani emri me kompromis duhej të jetë edhe për përdorim të brendshëm. Ky ishte dënimi të cilin e pagoi një shoqëri e cila e para koketoi, ndërsa më pas, në mënyrë të hapur luajti në letrën e nacionalizmit. Prandaj, parë në aspektin objektiv, me marrëveshjen e Prespës ne, praktikisht, nuk kemi humbur asgjë nga ajo që e kishim prej vitit 1991.

Humbi nacionalizmi maqedonas i cili vendosi t’i vë themelet e identitetit maqedonas në territorin të cilin grekët e vlerësojnë si pjesë e trashëgimisë së tyre kulturore dhe historike. E bëri atë, në kundërshtim me të gjitha parashikimet, treguan se si konflikti i tillë identitar nuk do të zgjidhet pa kapitullimin e njërës palë ndërsa asnjëherë nuk pati aspak dyshim se cila palë do të jetë. Humbi edhe populli edhe shteti, duke ngecur pas të tjerëve në rajon të cilët iu bashkuan NATO-s dhe BE-së. Dhe tani, shikoni fuqinë e nacionalizmit, atë keqpërdorim të ndjenjave patriotike të qytetarëve ndaj vendit të vet. Opozita përsëri është duke u përgatitur të luaj në të njëjtën letër, kundër Marrëveshjes së Prespës.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit