Data e sotme
January 22, 2020

GREATEST OF ALL TIME

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Pas disa javësh dhe shkrimesh për tema politike, para së gjithash lidhur me Marrëveshjen e Prespës dhe procedurat rreth saj, veçanërisht votimin e ndryshimeve kushtetuese tek ne dhe ratifikimin e marrëveshjes në Greqi, koha është të pushoni pak prej kësaj dhe t’u kthehemi për shembull (përsëri) temave sportive.

Në njërin prej shkrimeve paraprake (Futbolli dhe demokracia) tentova që t’i krahasoj sportin dhe politikën, duke argumentuar se si sistemimi më demokratik i mjeteve në Premier ligën angleze, çon drejt konkurrencës më të madhe/kompeticionit, ndërsa kjo nga ana tjetër e rrit interesimin e shikuesve (ose në krahasimin – të votuesve për zgjedhje), duke rezultuar me cilësi më të mirë dhe në mënyrë të pashmangshme (duke e përmbyllur rrethin) – me sukses (midis tjerash me mjete akoma më të mëdha për sistemim midis klubeve… ndërsa në rastin e zgjedhjeve, kjo do të korrespondonte me kandidatë më të mirë dhe më pas vendime për standard më të mirë jetësor për qytetarët).

Kësaj here, desha të përqendrohem apo thënë më mirë të pyes veten ndërsa dhe ju lexues – për fenomenin sportiv “më i miri i të gjitha kohërave” (apo në botë)” (në cilindo sport) dhe për atë se pse individë të tillë (apo ekipe) paraqiten më shumë në disa shtete ndërsa në disa të tjera jo? Për fat të keq ne si shtet jemi më shpesh në këto të tjerat dhe prandaj po e parashtroj pyetjen!

Rast i drejtpërdrejtë është sigurisht fitorja e pardjeshme e tenistit serb Novak Gjokovik në kampionatin e hapur të Australisë (Australia Open) në Melburn, i cili për të ishte i shtati i këtij turneu Grand Slam (një nga katër më prestigjiozet në tenis, së bashku me Uimbëldonin në Londër, Rolan Garos parisien dhe US Open të Nju-Jorkut), duke vendosur rekorde të reja në turne (deri më tani ai ndau me Roxher Federer dhe Roj Emerson me 6 tituj). Me këtë, ai e fitoi titullin e tij të 15 Grand Slam dhe rihapi debatin në lidhje me “më të mirin e të gjitha kohërave” (apo Greatest of All Time – GOAT), që vetëm një vit më parë u duk se më në fund u mbyll kjo çështje kur Federer e fitoi titullin e tij të 20-të (ndërsa Novak ishte ndalur në të 12-in).

Sigurisht, ka shumë variante që duhet të merren parasysh kur flasim për përzgjedhjen e më të mirit të të gjitha kohërave, por në tenis, kjo zakonisht lidhet me grand-slamet prestigjioze. Por edhe këtu puna nuk është aq e thjeshtë. Ndërsa numri i përgjithshëm është matësi i parë dhe i qartë (ndërsa Gjokoviq si 6 vjet më i ri se Federer, në qoftë se i shërben shëndeti do të ketë kohë për t’i arritur këto 20 tituj, ndërsa mund t’i arrijë edhe titujt rekord të të gjitha kohërave të vajzës Margaret Kort e cila i ka 24 ), mund të flitet edhe për aspekte të tjera. Për shembull, në qoftë se i kanë fituar të gjitha katër Grand Slam në karrierën e tyre? Këtë në konkurrencën e meshkujve e kanë arritur vetëm 8 tenistë në histori (krahas të treve aktual:Federer, Nadal dhe Gjokoviq ata janë: Fred Perri, Don Baxh, Rod Laver, Roj Emerson dhe Andre Agasi. Lojtarët legjendarë si Sampras, Borg, Konors, Lendël apo Mekinro për këtë nuk ia kanë dalë. Ndërsa edhe prej këtyre 8, vetëm dy e kanë bërë atë në vitin e njëjtë kalendarik (Baxh dhe Laver). Gjokoviq është vetëm i treti krahas tyre, i cili në të njëjtën kohë i kishte titujt e të gjitha 4 grand-slameve. Disa në analizën e përzgjedhjes së më të mirit, i fusin edhe elementet artistike (stilin e lojës, uniken gjatë hapave, etj.), popullaritetin në publik apo sjelljen jashtë terrenit (nëse është shembull për të tjerët).

Ky debat mund të jetë i përjetshëm, gjegjësisht varësisht arritjeve gjatë gjithë karrierës, ndoshta nuk mund të ketë kurrë një konsensus (pajtim të plotë) për atë se kush është më i miri i të gjitha kohërave, ndër të tjera, për shkak të mendimeve tona personale dhe simpatizimeve ndaj një ose një tenisti tjetër (ose në përgjithësi një sportisti … në futboll, për shembull, debatet janë për Pelen ose Maradonën, ose në dekadën e fundit për Mesin ose Ronaldon).

Por një gjë tjetër më bëri të mendohem me këtë rast – ndërsa ajo është se si është e mundur që një vend si Serbia ka prodhuar një sportist të tillë të madh dhe cilësor: Ndoshta neve fqinjët na duken të mëdhenj (me rreth 8 milionë banorë, duke mos e konsideruar Kosovën, janë 4 herë më të mëdhenj prej nesh), por në kornizat botërore bëhet fjalë për shtet të vogël. Ndërsa nuk është vetëm Gjokoviq… dy prej tenisteve të tyre (Ana Ivanoviq dhe Jelena Jankoviq) në kohën e tyre kanë qenë të parat në listën botërore VTA, ndërsa jo vetëm në tenis – kanë kampionë bote edhe në sportet e tjera – kanotazh, mundje madje edhe atletikë. Ndërsa në sportet kolektive – akoma më shumë: vaterpolistët për një dekadë “mbretërojnë”, ndërsa nga muaji i kaluar kampione janë edhe volejbollistet. Basketbollistët në vitin 2005 u bënë kampionë bote edhe atë në mes të djepit të basketbollit – SHBA-së edhe atë përmes “drim tim” të gjashtë të tyre ndërsa në vitin 2015 të rinjtë e tyre (deri 20 vjeç) u bënë kampionë bote në futboll.

Nuk është e thënë të kapemi vetëm me shembullin e Serbisë. Kroatët janë dyfish më pak se serbët (ndërsa dyfish më të mëdhenj prej nesh), ndërsa janë fitues të shumëfishtë në të gjitha ndeshjet e mëdha të hendbollit. Basketbollistët e tyre arritën deri në finalen e olimpiadës në Barcelonë në vitin 1992 (menjëherë pas shpalljes së pavarësisë), ndërsa futbollistët verën e  kaluar gjithashtu arritën deri në finale. Kapiteni i tyre Luka Modriq e arriti çmimin “më i miri në botë” për vitin 2018. Vendi akoma më i vogël (ndërsa për nga numri i banorëve sa ne) Kosova, përmes Majlinda Kelmendit, u bë me kampione olimpike në Rio-de-Zhanejro.

Në këtë kontekst, është impresionues tregimi i Sllovenisë, e cila është po aq sa ne… edhe sipas sipërfaqes së tokës edhe sipas numrit të banorëve. Para disa vitesh pata mundësi të marr pjesë në shënimin e 20-vjetorit të pavarësisë së tyre në njërin prej hoteleve në Shkup. Në prezantimin e shkurtër, ambasadori i atëhershëm Adam Bergant, bëri paralele interesante – të sukseseve politike dhe sportive. Kështu, çdo ngjarje të rëndësishme në shtet (pranimin në KB, pastaj në NATO, pastaj në BE dhe ngjashëm) e krahasoi me sukses të ngjashëm sportiv – para së gjithash në Olimpiadat (dimërore) dhe kampionatet në disiplinat dimërore (kërcime me ski, skijim por edhe të tjera). Që atëherë Sllovenia kishte progres të rëndësishëm edhe në sportet kolektive futboll, basketboll dhe hendboll, arritën deri në pjesëmarrjet në manifestimet më të rëndësishme – kampionatet botërore.

Pyetja është do të thotë, se si pothuajse të gjithë fqinjët tanë dhe ish-bashkëqytetarë të kohës së Jugosllavisë ( e cila edhe vetë ishte super fuqi sportive) janë më të suksesshëm se ne në sport? Sukseset tona më të rëndësishme si shtet janë në sportet kolektive edhe atë vendi i katërt në basketboll (Lituani, viti 2011) dhe vendi i pestë në hendboll (Serbi, viti 2012), të dyja në Kampionate evropiane (ndërsa në kampionate botërore, deri ku arritëm vetëm me hendbollin, por me plasime prej pozitës së 9-të e më poshtë). Gjithsesi në planin e klubeve ato janë titujt e kampioneve në hendboll në nivel evropian, të Kometal Gjorçe Petrov në konkurrencën e femrave dhe Vardari në konkurrencën e meshkujve, të cilat lidhen me përkushtimin dhe financimin prej disa viteve të klubeve nga Trifun Kostovski dhe Sergej Samsonenko.

Madhësia (popullata) e shtetit me siguri ka lidhje, por sigurisht se nuk është përcaktuese. Sllovenia është po aq sa ne, ndërsa Kroacia dhe Serbia, dy gjegjësisht tre herë me më shumë popullatë, por edhe të gjithë të shtetet e vegla në korniza botërore ndërsa e shohim janë kompetitive në skenën globale dhe arrijnë në trofetë më të rëndësishme.

Disa thonë se fajin e ka sistemi, gjegjësisht kujdesi për sportin prej moshave më të hershme dhe ofrimi i kushteve për sport prej moshës shkollore, ndërsa më pas përfshirja aktive e të gjithë të rinjve të interesuar në klube me kujdes përkatës të rritjes dhe zhvillimit të tyre. Më tej, financimi i orientuar dhe i vazhduar i klubeve në sporte të caktuara, për shkak të stabilitetit në sigurimin e sportistëve të mjaftueshëm të rinj dhe të suksesshëm. Në këtë kuptim, paratë dukshëm bëhen faktor gjithnjë i rëndësishëm (edhe dy arritjet tona e konfirmojnë atë), por nëse përkujtohemi në kohën e Jugosllavisë – ato nuk ishin as faktor e lëre më i rëndësishëm.

Të tjerët mund të thonë –   është faji i mentalitetit! Disa kanë shpirt fituesi ndërsa disa (duke menduar për ne) – nuk kanë. Edhe ndoshta është kështu – kur u ndërtua Porta e Maqedonisë, pati deklarata të tipit “cilat suksese/triumfe do t’i festojmë?”. Por ja, e pritëm edhe atë që përmes saj të kalojnë edhe basketbollistët edhe hendbollistët, të cilët i pritën publik prej 100 mijë personash, i etur për suksese të tilla (edhe pse të dy përfaqësueset u kthyen pa medalje). Kjo na kthen në dilemën e një shkrimi të mëparshëm – a do t’ia dalim si shtet?  

Të përfundoj prej ku fillova, me Gjokoviqin. Një anekdotë thotë se ku qëndron sekreti i suksesit të tij dhe u konstatua se është 1% fat, 9% talent dhe 90% punë e mundimshmeJ. Me siguri ky është çelësi i suksesit!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit