Data e sotme
February 16, 2019

OPINGAT E HEKURTA DHE VJEDHËSIT E SË ARDHMES

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Pse t’i thjeshtojmë gjërat kur mund t’i komplikojmë? Pse të merremi me realitetin objektiv kur mund të krijojmë situata sureale? Jo njëherë politika ka krijuar “metafora” optimiste për ta zhvendosur vëmendjen e njerëzve nga një realitet i zymtë në projeksione ideologjike që përkojnë me gjuhë “përrallash” të bukura të treguar për natën e mirë ose me sekuenca nga filmat fantastiko-shkencor. Për më tepër, nganjëherë politika di të jetë një art shmangiesh nga problemet, duke krijuar sentenca dhe narracione gjumëndjellëse. Nganjëherë surealja mund t’ia kalojë edhe botës së letërsisë, sikurse ndodh, ta zëmë, në romanin e Mihaill Bulgakov “Mjeshtri dhe Margarita”, ku macet flasin dhe shfaqen si qenie njerëzore. Fantazia e letërsisë është e pakufishme, sepse letërsia nuk e njeh faktin real, por faktin letrar, që përpunohet në laboratorin krijues dhe vishet më pas me një lloj petku solemn dhe të magjishëm njësoj siç e përshkruan këtë proces shkrimtari peruan, Mario Vargas Llosa në librin e tij “Letra një shkrimtari të ri”.

Narracionet e këtilla në botën e letërsisë i takojnë kreativitetit, ndërsa kur politika ndërton narracione të tilla gjithnjë jemi në mjegullnajen e premtimeve që ndërlidhen me jetën dhe pritjet qytetarëve. Kryeminstri Zaev, këto ditë, ka ripërsëritur premtimin e tij se në Maqedoni paga mesatare do të jetë 500 euro. Por, kësaj radhe, ai, e ka “përforcuar” këtë premtim me një “metaforë” të çuditshme dhe gati të padeshifruar. Ai është zotuar se do të “mbathë opinga të hekurta” për ta jetësuar këtë premtim që e kishte edhe si premtim parazgjedhor në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur përfundimisht iu dha goditja e fundit regjimit të kryeministrit të mëparshëm, Nikolla Gruevskit, i cili tashmë gjendet në “azil politik” në Hungari, te miku i tij Orban, që konsiderohet se ka ngjashmëri me qeverisjen që Gruevski kishte instaluar në Maqedoni.

Duket se gati dy vjet qeverisje pa ndonjë rezultat konkret në fushën e ekonomisë dhe gjendjes së rënduar sociale të qytetarëve, e kanë detyruar kryeministrin Zaev, të përdorë një “simbolikë” hermetike për të krijuar bindjen te qytetarët se ai nuk i ka harruar premtimet parazgjedhore, sidomos rritjen e pagës mesatare në 500 euro. Në një tribunë me qytetarët në Veles, kryeministri Zaev ka theksuar se “nëse është nevoja do të mbathë opinga të hekurta”, vetëm që ta përmbushë premtimin për rritjen e pagës mesatare.

Nën jehonën e alertit për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duket se kryeministri Zaev, ka zgjedhur një “figuracion” tronditës dhe të pakapshëm për opinionin për të përcjellë mesazhin se tashmë do t’iu rikthehet premtimeve ekonomike parazgjdhore. Ai gjithashtu ka ripërsëritur se vendi ka kapacitet për t’iu mundësuar njerëzve që të fitojnë me dinjitet dhe të rinjtë të mos e braktisin Maqedoninë. Opozita e ka akuzuar se i përsërit të njëjtat gënjeshtra dhe se njerëzit nuk i besojnë atij. Përplasjet poltike mbi sukseset dhe ngecjet në ekonomi janë shndërruar në refren të përditshëm njësoj siç janë shndërruar edhe “grishjet” për zgjedhje të parakohshme për të matur forcat.

Në ndërmjet kohë, gjersa kryeministri Zaev hamendëson nëse do t’i mbathë “opingat e hekurta”, pas një procesi të vështirë në zgjidhjen e çështjes së emrit, qytetarët gjithnjë e më tepër po zhyten në një situatë të pashpresë sociale. Në disa nga anketat më të fundit është shpaluar nivel alarmant i varfërisë, ndërkohë që gjithashtu një numër alarmant i qytetarëve janë deklaruar se duan ta brakstin shtetin.

Padiksutim, në dy proceset paralele, në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe në premtimet për zhvillim ekonimik janë shfaqur sfida të ndryshme. Duket se nën hijen e rëndë të një procesi të komplikuar për zgjidhjne e çështjes së emrit ka pësuar ekonomia, por në ndërkohë janë shfaqur edhe afera që ndërlidhen me funksionarë më lartë të qeverisë së kryeministrit Zaev, siç ishte rasti me zëvendëskryeminstrin Koço Angjushev.

Një skandal tjetër këtyre ditëve ka tronditur opinionin. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska zbuloi skandalin e mos-transformimit të kontributeve për 12 mijë persona në Shtyllën e Dytë të Sugurimit Pensional, në një vlerë 19 milionë euro. Shumë media këtë skandal ia adresuan qeverisjes VMRO-DPMNE dhe BDI. Ndërkohë kanë reaguar nga BDI, duke paralajmëruar padi për gjitha ato mediat që kanë bërë shpifje. Gjithashtu, drejtori i Fondit Pensional, ka theksuar se ministrja e ka keqintepretuar çështjen. Kjo çështje mbetet e hapur dhe kërkon një hulumtim të padiskutushëm ashtu siç kanë paralajmëruar nga disa Organizata Joqoveritare. Hulumtimi duhet të bëhet me shumë përgjegjësi, pavarësisht se kush mund të qëndrojë prapa këtij keqpërdorimi siç është liferuar tashmë në opinion.

Duket se kryeministri Zaev, tashmë do të duhet të përballet, sa më shpejtë të jetë e mundur me korrupsionin në radhët e partisë së tij, por edhe me skandale me shuma marramendëse që vijnë nga qeversija e mëparshme. Gjithë kjo nëkupton sundimin e së drejtës, por edhe një impenjim shumë më të madh për të pastruar skandale të tilla që duken si vjedhje klasike nga qytetarët që presin ditë të qeta pensionimi. Por, me gjasë, në Maqedoni, nuk vidhet vetëm e tashmja, por edhe ardhmja e përkufizuar si kohë pensioni.

Me gjasë kryeministri, Zaev, duhet sa më shpejtë t’i mbathë “opingat e hekurta”, jo vetëm për ta rritur pagën mesatare, por edhe për t’i thënë stop korrupsionit që ka metastazuar në të gjitha institucionet. Edhe sipas renditjes më të fundit nga Transparency International, Maqedonia edhe pse ka përparime, përsëri gjendet mes vendeve me korrupsion më të lartë.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

 

Администратор
Администратор

Latest posts by Администратор (see all)