Data e sotme
August 24, 2019

Etika dhe politika

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Të nderuar bashkëqytetarë të mi, kësaj radhe tema për të cilën vlerësoj se është me rëndësi thelbësore për kulturën tonë shoqërore dhe politike është pozita e etikës në politikë.

Jemi dëshmitarë të një mungese pothuajse të plotë të kulturës politike dhe demokratike. Diskursi publik është reduktuar në sulme ad hominem mes opozitës dhe strukturave qeverisëse në kritika jo konstruktive dhe diskreditim, pa ndonjë argument dhe kundërargument kritik të cilat mund të çojnë në përmirësime të mundshme në narrativin e përgjithshëm shoqëror. Të kuptuarit e politikës si një mjet për diskreditim dhe fyerje personale, si edhe për vend ku veçanërisht i rëndësishëm është vetëpozicionimi dhe jo e mira e përbashkët, për mua është kalërim apokaliptik drejt shkatërrimit të vendit tonë.

A është aq e vështirë që aktorët në skenën politike të ulen si njerëz të pjekur, të arsyeshëm me përgjegjësi politike, të bien dakord për çështjet strategjike të Republikës së Maqedonisë. I vetmi konsensus, të paktën tani për tani, është se të gjitha partitë politike janë në favor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kjo është thënë nga partitë nga aspekti deklarativ, ndërkohë që në thelb veprojnë në kundërshtim me ato qëllime të projektuara deklarative. Strategjitë dhe qasjet e ndryshme për çështjen e zgjidhjes së problemeve thelbësore në Republikën e Maqedonisë duhet të jenë një sfidë për partitë në pushtet edhe për opozitën. Nuk pranoj kritika pa argumente, pa ofruar një zgjidhje alternative për problemin.

Shtytja për këtë kolonë është zgjidhja e çështjes së emrit me fqinjin tonë jugor. Nga fillimi i negociatave, para të gjithë opinionit, opozita u ftua të marrë pjesë në këto negociata. Le të parafrazoj, por përgjgija e opozitës ishte tërësisht e pakuptueshme për mua, duke thënë: “JU JENI NË PUSHTET, JU ZGJIDHENI ÇËSHTJEN E EMRIT”.

Jemi dëshmitarë për nënshkrimin e marrëveshjes midis Ciprasti dhe Zaevit, bashkësia ndërkombëtare luajti rol thelbësor dhe në vend të opozitës, këtu të hyjë me sugjerimet e veta në zgjidhjen e këtij problemi, ajo qëndroi qetë, në mënyrë pasive dhe të papërgjegjshme duke qëndruar anash dhe tani me të madhe e kritikon këtë marrëveshje, e cila sipas meje do të thotë shpëtim për Republikën e Maqedonisë dhe veçanërisht për ne maqedonasit si komb.

Ku është këtu dimensioni etik i atyre që e kritikojnë ndërsa njëherësh nuk ofrojnë zgjidhje se si Maqedonia në të ardhmen do ta zgjidh këtë problem me fqinjin jugor dhe do të hyjë në strukturat euroatlantike. Mjaft më me lojëra të cilat mund të jenë të kobshme për shtetin tonë. Mjaft më me përçarjen e indit shtetformues midis maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve, turqve dhe kombësive të tjera. Dëshiroj të jetoj në paqe dhe brezat e rinj të kenë perspektivë në këtë rajon, ndërsa atë do ta arrijmë kur etika dhe përgjegjësia personale dhe kolektive do të futen në përplasjet politike të ndërsjella.

Propozoj që opozita të vetëdijësohet dhe t’i shtrijë dorën hapit të guximshëm të garniturës qeveritare për zgjidhjen e çështjes me fqinjin tonë jugor dhe bashkërisht t’i shtyjnë obligimet tona në zbatimin e kësaj marrëveshje.

Nuk mallkoj dhe nuk dua të jetoj në një mallkim, i cili tashmë ka zënë vend si një kod në vetëdijen tonë kombëtare. Prandaj, insistoj që të largohem nga pika e vdekur në të cilën jetojmë, duke bërë që elitat tona politike të fillojnë të miratojnë kodet etike të kulturës politike dhe të avokojnë për interesa të përbashkëta, duke kapërcyer modelet e tyre të vogla të imëta dhe interesante të veprimit. Aktorët politikë duhet të dinë kur duhet ta kapërcejnë veten dhe të veprojnë së bashku – ata duhet të veprojnë bashkërisht në negociatat që do të vijnë me Bashkimin Evropian dhe të dëshmojnë qytetarëve se ata me të vërtetë mendojnë për këtë popull. Në të njëjtën kohë, ata duhet të punojnë së bashku për reforma në shoqëri me forca të përbashkëta.

Me numër të vogël përjashtimesh, midis qytetarëve të Republikës së Maqedonisë sikur ka ndaluar të jetojë entuziazmi për një të nesërme më të mirë jetese, për shkak se deri më tani nga pavarësia jonë e deri më sot, partitë politike dhe vetë politikanët e këtyre partive janë identifikuar si burim i fenomeneve më negative në një shoqëri, ndërsa ai është krimi dhe korrupsioni. Unë dua t’i pyes politikanët, nëse ata e dinë se çfarë do të thotë morali? Ky nuk është mall që blihet dhe shitet, ky është një sistem i veprimeve dhe sjellje ndaj gjërave që na janë besuar nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë, në mënyrë që të bëjmë një hap përpara në përmirësimin e jetës së qytetarëve

Më lejoni t’u rekomandoj politikëbërësve aktualë dhe atyre të ardhshëm të armatosen me këtë virtyt të respektuar, të quajtur kulturë politike dhe kod etike i cili në vete do të inkorporojë përpjekjet për një të mirë të përbashkët.

Në fund, dua të kërkoj falje për disa nga politikanët e tanishëm që do të gjejnë veten të ofenduar nga qëndrimi im ndaj etikës dhe politikës. Nuk ka asnjë tendencë në këtë tekst, por shqetësim për vendin tim dhe qytetarët e tij. Dhe nëse në tekst ata interpretojnë një qëllim të mirë, të cilin do ta praktikojnë në të ardhmen, padyshim që do të jetë një kënaqësi e madhe për mua.

Nuk duhet të shkojmë shumë larg, qytetarë të dashur, por duhet të kujtojmë vetëm paraardhësit tanë, prindërit tanë, jeta e të cilëve ishte në vartësi të motos: “DY GISHTA FYTYRË PËR KRENARI”.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit