Data e sotme
July 22, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Korrupsioni: Keqpërdorimi i pushtetit të besuar për përfitim privat

Shkruan: Denko Maleski

 

Të gjithë e dimë se si përfundojnë aferat me korrupsionin në një shoqëri demokratike normale: aktakuzë, aktgjykim, burg apo dënim në para. Por, askush nuk e di se si përfundojnë aferat me korrupsionin në një shoqëri të korruptuar. Këtë e shkrova kur, me pamjet e publikuara për keqpërdorimin e pushtetit prej funksionarëve të lartë shtetërorë, më pyetën që ta prashikoj rrjedhën e zgjidhjes së skandalit. Të lumtur se, përmes PPS janë ngritur aktakuza, nuk e kuptonim atëherë se aktakuzat janë, gjegjësisht, pjesa më e lehtë e punës. Për atë se çfarë ështënë të vërtetë shoqëria, duhej të tregojë sistemi gjyqësor, si edhe parlamenti dhe organet e tjera të pushtetit. Tani, disa vite më vonë, e dimë pak më mirë se si është dukur ballafaqimi me korrupsionin në një shoqëri të korruptuar. Me një fjalë: vështirë. Shteti ligjor, si edhe demokracia nuk mund të proklamohen, ato fitohen me mund dhe sakrificë, me vullnet që të shkriposen ato lëmshe ballkanike të kriposura të interesave personale dhe shtetërore të cilat fillojnë kush e di se ku dhe përfundojnë kush e di se ku. Prokurorët e guximshëm, janë vetëm instanca fillestare e një procesi më të gjatë gjyqësor dhe politik.

Si qytetarë, kërkojmë shembull për sjelljen e ndershme të krerëve të shtetit, por jemi duke e kthyer kokën nga korrupsioni para hundës tonë, në rrethin në të cilin jetojmë apo punojmë. Thjeshtë, refuzojmë personalisht të involvohemi atje ku mund të ndikojmë. Është situatë e pakëndshme që të përleshemi me njerëz në kërkim të së vërtetës dhe nderit. Por, ky kombinim i kprrupsionit prej lartë dhe i atij prej poshtë e krijon një ndjenjë të zemërimit dhe deprimimit se nuk ka shpëtim. Problemi, përsëri edhe “lartë” edhe “poshtë” është i njëjtë: fuqia e papërgjegjshme e cila është pasojë e mungesës së sistemit demokratik të kontrollit. Kjo është sëmundja e shoqërisë tonë. Nuk është problemi nëse do të fitojë ky ose ai orientim politik, siç thonë politikanët e rinj, duke përdorur shprehje të zbrazëta siç janë: qendra – majtë, qendra – djathtë, konservative, socialdemokrate apo liberale… Të zbrazëta, pasi që problemi bazë tek ne është nëse pushteti, i përhapur në mbarë shoqërinë është nën kontroll.

Baballarët amerikanë – themelues të Republikës, janë nisur prej ligjshmërisë se gjithsecili që disponon me pushtet të besuar të vendosë në emër të qytetarëve të tjerë dhe të disponojë me para të huaja është kriminel potencial. Rreth kësaj ligjshmërie e kanë ndërtuar konstruksionin e kushtetutës së tyre në të cilën kanë paraparë një sistem të tërë të “pengesave dhe baraspeshave” kontrolluese. Mbi këtë bazë bazohet lufta e tyre kundër korrupsionit si keqpërdorim i pushtetit të besuar për përfitim privat. Derisa ne nuk e absolvojmë këtë leksion bazik të demokracisë, kontrollin përmes llogaridhënies, politikanët edhe më tej “do t’ia lyejnë kokën” popullit me shprehje të cilat nuk kanë kurrfarë rëndësie për të. Partitë duhet të arrijnë konsensus rreth këtyre vlerave demokratike dhe të vendosin sistem të përbashkët të llogaridhënies, kontrollit dhe përgjegjësisë, i cili do të vlejë pavarësisht përkatësisë partiake. Vetëm në terrenin e niveluar në këtë mënyrë për garë politike, partitë mund të udhëheqin beteja në interes të qytetarëve dhe të quhen me emrat e tyre.

Ndjenja e jetesës në një nga vendet më të korruptuara evropiane është e tmerrshme dhe secili ka historinë e vet për efektet e dëmshme të korrupsionit në jetën e tij. Për arsimin dhe për Fakultetin e Drejtësisë kam shkruar në mënyrë më të thuktë. Këtyre netëve, kam marrë edhe një konfirmim tjetër se edhe në sport nuk është më ndryshe. Një i ri, një trajner i një grupi të rinjsh, mu prezantua si ish-futbollist i Maqedonisë. Ka luajtur jashtë vendit dhe në mënyrë financiare qëndron mirë. Ai tani është një trajner. Ai më kërkoi t’i shpjegoj se si sillen vendimet në politikën e lartë dhe pse propozimet e mira nuk kalojnë. Po ndiqte një kurs të shpejtë të politikës realiste. Politikani, i them, qëndron para një “konflikti të interesave”: nga njëra anë është interesi pesonal të mbijetojnë dhe të avancojë në strukturat e pushtetit, nga ana tjetër, të kujdeset për interesin e popullit që e ka zgjedhur. Struktura personale e cila vendoset rreth një qendre të pushtetit janë njerëz me interesat e tyre, i them. Këto interesa, shumë shpesh, kanë një ndikim vendimtar në vendimet që sillen. Nëse nuk ka një sistem të llogaridhënies, nëse nuk e di para kujt është përgjegjës, i them atij ja një tokë pjellore për korrupsion. Por nuk është gjithçka tek sistemi, them unë. Dhe virtyti i njerëzve është shumë i rëndësishëm, sepse pa marrë parasysh se çfarë kontrollesh të pushtetit vendosni, mungesa e njerëzve të virtytshëm nuk kompensohet me asgjë. Nga ana tjetër, vetëm virtyti nuk ndihmon sepse pushteti ka tendencë t’i korruptojë edhe të ndershmit. Është e komplikuar, konstatojmë të dy.

Bashkëbiseduesi im më thotë se të gjitha gjërat që po i them në lidhje me politikën e lartë si strukturën e pushtetit dhe interesave, e përkujtojnë shumë në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, me politikën e së cilës nuk pajtohet dhe me përfaqësuesit e të cilëve ka një betejë verbale. Thotë se interesi i grupit për përfitim personal e pengon zhvillimin e futbollit në Maqedoni. Cili qenka ky përfitim, pyes. Filloi me faktin se në federatën tonë të futbollit, nga FIFA, u dhanë dhjetëra miliona euro për të zhvilluar futbollin. Arsye e mjaftueshme për korrupsion në drejtim të pushtetit të pakontrolluar, mendova. Pasoi shpjegimi se si në mënyrë të korruptuar shpenzohen paratë, të cilën nuk dua ta përsëris, sepse gjithçka është aq e njohur …

Do të thotë edhe “lartë” është njëjtë sikurse “poshtë” pyet në mëyrë retorike. Kudo ku keqpërdoret pushteti i besuar për përfitim privat është njëjtë, i them. Trajnimi i tij dhe xhogingu im vazhduan.

 

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit